Nga Durrësi, ku është ndalur sot në një takim me të rinj, Kryeministri Edi Rama ka prekur në fjalën e tij çështjen që është bërë 'virale', atë të patronazhistëve.

Rama i falënderoi publikisht të gjithë ata që kontribuojnë, pasi sipas tij PS është një rrjet i organizuar.

 “Sot ata që nuk e dinë se çfarë pune, çfarë angazhimi të padukshëm ka brenda PS, kanë zbuluar fjalën patronazhist, dhe e sjellin vërdallë e vërdallë, duke e deformuar kuptimin e saj. Për faktin se ata nuk e dinë se PS, është një familje ku të angazhuarit brenda familjes punojnë. Punojnë vullnetarisht, pas pune, pas shkolle, punojnë duke marrë nga koha e tyre e lirë për të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi. Për të pasur komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Sepse beteja e përditshme e PS është beteja për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve", tha Rama.

Teksa foli për projektet zhvillimore për Durrësi, Rama i ftoi të rinjtë të bëhen bashkë kundër gjithccka që përfaqëson pala tjetër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:01
'Babai i punon në ndërtim dhe nëna rrobaqepëse', Rama tregon historinë e ekselentes që studion në degën e ëndërruar

 

Në fjalën para të rinjve durrsakë, Kryeministri Rama pasi falënderoi për fjalimin Bojkenën, një studente ekselente, tregoi me pak fjalë historinë e saj. Sipas Ramës ajo sot studion në një degë që e ka ëndërruar, edhe pse babai saj është punëtor ndërtimi dhe nëna e saj është punonjëse në një rrobaqepësi. Sipas tij pak vite më parë kjo do të ishte e pamundur.

"Babai i saj është punëtor ndërtimi, nëna e saj është punonjëse në një rrobaqepësi. Bojkena sot studion në fakultetin që ka dëshiruar dhe ka merituar. Por nëse do të kishte trokituar 5-6 vite më parë nuk do të kishte arritur dot. Sepse deri para 5-6 viteve e dinë shumë mirë disa se sa stres ishte që të futeshe në universitet ku të takonte nëse do ishe vajza e një punëtori ndërtimi", tha Rama.