DO HAPIM RRUGËN E ARSIMIT PROFESIONAL
Një nga pyetjet e para që i janë drejtuar Ramës ka qenë punësimi i të rinjve. Një djalë i ri e ka pyetur Ramën se mundësia e tij për të punuar në Korçë është ose kamarier, ose pica taksi, ku rrezikon jetën. Rama është përgjigjur se “sot dy në të rinj në tre janë të papunë, një shifër alarmante kjo, ndërkohë që janë hapur të gjitha dyert, dritaret, çatitë, bodrumet e shkollave të larta për të futur sa më shumë, për të prodhuar diploma, që në shumicën e rasteve janë pa vlerë dhe prodhon papunësinë".
Rama ka shtuar se njëkohësisht rruga e zanatit, për t’u vetëpunësuar, hapur një biznes, prodhuar shërbime në Shqipëri është e mbyllur. "Nuk ka një sistem të tillë profesional të nxjerrë zanatçinj. Të gjithë shkojnë në universitet dhe bëhen juristë dhe ekonomistë, edhe me mastera dhe mbeten pa punë. Ne do hapim rrugën e arsimit profesional. Jo arsim profesional, që të thotë hajde bëhu elektriçist dhe të tregojnë llambën në fotografi, por program për kurse të trajnimit profesional, që janë pa punë dhe nuk shkojnë në universitet", tha Rama.
ÇLIRONI PRINDËRIT TUAJ NGA ROBËRIA
Shqetësimit të një vajze të re, për kërcënimet ndaj nënës së saj për ta hequr nga puna, Rama e ka këshilluar atë dhe të tjerët, se "duhet që ju fëmijët, të rinjtë të çlironi prindërit tuaj, punonjësit e administratës, robër të pushtetit nga frika se i heqin nga puna. Duhet ta bëni këtë fushatë tuajën, për të cliruar prindërit, se këto gjëra s’ndodhin në asnjë vend të BE dhe NATO-s".
KOMUNITETI ME NGJYRË I BËN NDER SHOQËRISË SONË
Jam shumë krenar që jam në krah të Niko Peleshit, që është një nga promotorët e flaktë për krijimin e shanseve të barabarta për komunitete me ngjyrë. Në Alenacën për Shqipërinë Europiane kemi një parti të komunitetit me ngjyrë. Besoj shumë që trajtimi krejtësisht i barabartë i fëmijëve romë dhe ejgiptianë dhe integrimi i tyre me çdo lloj diskrimini nukëhstë një nder që u bëjmë atyre, por nder që i bëjmë vetes dheshoqërisë sonë. Në këtë aspect do bëjmë gjithçka që kemi mundësi, që ata të trajtohen në mënyrë të denjë dhe barabartë me gjithë të tjerët.
TË RIKTHYERVE NGA JASHTË DUHET T'U KRIJOJMË KUSHTE
Rama ka kthyer përgjigje për mundësitë që studentëve, që kanë studiuar jashtë vendit do t'u krijohen pas 23 qershorit në atdhe. "Ata që kanë kapacitete s’mund të vijnë me iluzionin e një shërbimi patriotik, por u duhen ndërtuar kushte, ku merita dhe konkurrenca të jenë të patjetërsueshme", nisi shpjegimin Rama.
Ai ka vijuar argumentin me "ata nuk mund të vijnë nga jashtë për të ndihmuar në punën e shtetit shqiptar, kur shohin si trupi diplomatik është mbushur me kalamaj, me dhëndurë, halla, teze, kunata të atyre që janë në pushtet, pasi kjo është shëmbëlltyra e dekurajimit të gjithë të tjerëve, e provës se po nuk pate babain, tezen e duhur, nuk arrin të marrësh dot jo atë që të takon, por as rrugën për të provuar, nëse do të ta japin".
Rama i ka mëshuar ndërtimit të një sistemi meritokratik. Ai u ka bërë apel atyre, që duan të vijnë dhe punojnë për shtetin në një fazë delikate, që gjendet përtokë e duhet rimëkëmbur, por kjo, sipas tij, "duhet shoqëruar me mekanizma dhe prova, që mundi i tyre nuk shkon kot dhe merita e tyre vlerësohet dhe marrin vendin që u takon".
POPULLI SHQIPTAR VUAN ENDE PËR TË NGRËNË
"Ka ardhur dita të merret borxh jo një bukë, por disa feta buke. E kam parë me sytë e mi në Elbasan. Mori tre feta bukë borxh, një i papunë në prag pensioni, me shkollë të lartë. Fshati nuk prodhon ushqimin e nevojshëm për popullin që vuan për të ngrënë dhe kjo është e patolerueshme", ka rrëfyer Rama. Duke iu rikthyer fshatit, ai paralajmëroi se
"rrezikojmë të mbetemi me Shqipërinë djerrë, ndaj duhet t’i krijojmë kushte familjeve në fshat që të punojnë më shumë".
"Nuk ka familje fshatare në Ballkan, as në Europë, që të dridhen se nuk ushqehen dot normalisht. Nuk ka familje të varfra, që mos arrijnë të pijnë një gotë qumësht apo mos pagujanë dot dritat. Kjo është mesjetë, nuk ndodh askund tjetër. Votoni, që mos përsëriten skenat e tmerrshme, që fshatarët edhe kur prodhojnë u ngelet prodhimi në dhoma gjumi apo banjo. Do bëhemi aleatë besnikë të familjeve shqiptare, që jetojnë në fshat", tha Rama.
Rama i ka shtuar lehtësirave për fshatin, heqjen e akcizës së naftës, heqjen e taksës mbi 20 % mbi plehrat kimike, përgjysmim të taksës për të çuar ujin në parcel. "Jemi vendi i dytë në Europë për burime ujore dhe jemi i vetmi vend, që s’pimë ujë apo përmbytemi. Aty ku s’ka shtet mund të ndodhë. Ne nuk kemi shtet dhe ne duhet dhe do ndërtojmë shtet".
SPORT PËR TË GJITHË, JO MË SHFAQJE BANALE
Ne do ta rilindim sportin. Për nesporti për të gjithë, që ka humbur krejtësisht. Ne nuk quajmë sport të dergjet rinia në lloto, e të shohësh Bajernin sa herë luan. Sporti do fillojë nga shkolla. Ne do organizojmë jo vetëm klasa sportive, por aktivitete mes shkollave,që djemtë dhe vajzat jo të bëhen sportistë profesionistë, por përmes sportit të gjallërojmë jetën sociale, fizikisht rininë tonë, të krijojmë një kulturë bashkëjetese dhe solidariteti komunitar, ku sporti ka një rol shumë të madh, një frymë kompeticioni, është një dimension jashtëzakonisht i rëndësishëm i një shoqërie demokratike. Dhe shfaqjet banale me ndeshje që shiten, me rrahje, një degardim që duhet të marrë fund. Sporti do të etë në qendër të vëmendjes, duke filluar që nga klasa e parë e shkollës", analizoi Rama vizionie Rilindjes për sportin pas pyetjes mbi këtë aspekt.
KRYEMINISTRI, SI SHOFER PA PATENTË
Rama në një çast e krahasoi kryeministrin Berisha me një shofer pa patent. “Kemi kryeministër, që nget shtetin pa leje drejtimi, se lejen ta jep populli me vota. Është pa patent këto 4 vjet ndaj po shkon shteti në drejtimin e duhur...”
NUK JAM KUNDËR RRUGËVE, POR DUHET SHIJE
“Unë nuk jam kundër rrugëve. Por pse nuk kemi asnjë kilometër autostradë sipas standardeve europiane?! Autostradë do të thotë “rrugë e autove”, jo ku bashkohen mushkat, nuset me dhëndurët e me radhë”, ka komentuar Rama mbi këtë aspekt shumë të diskutuar.
Ai ka pyetur se "pse në gjithë rrugët e ndërtuara nuk kemi asnjë rrugë, që të fillojë dhe mbarojë me një standard?!". Sipas Ramës, aksi i Veriut nga Shkodra deri poshtë në Kakavijë ka 22 standarde, si të presë rrobaqepësi një kostum me 22 lloj masash, e shumica kanë mbetur rrugëve e s’po mbarojnë dot".
Rama i ka kërkuar Berishës, që të vërtetojë 14 mijë km rrugë. "Ku i ke? Të shkosh në Kosovë e të kërkosh sa ka shtruar shteti, për 5 min t’i japin në dorë. Është si të mos dish sa m2 shtëpi ke",ka thënë Rama. Sipas tij, “qeveria ka shpenzuar para për 11 mijë km dhe ka ndërtuar vetëm 1400 km”.
Rama ka premtuar se edhe qeveria e ardhshme do të vazhdojë me infrastrukturën rrugore. "Por nuk do bëjmë rrugë si këto. Do bëjmë rrugë me standarde europiane. Shikoni veprat e bëra nga Niko Peleshi në Korçë. Si mund të betonosh bregun e liqenit të Lasgushit, si mund të çash anash sipërfaqen e shkëmbit për të bërë rrugë pas asnjë shije?! Do ndryshojmë shijen", theksoi Rama.
SHËNDETI DHE ARSIMI, JO MALL PËR T'U SHITUR
Rama ka përsëritur se, "kush nuk ka lekë në Shqipëri, nuk duhet të sëmuret". Ai ka theksuar se qeveria e konsideron mall shërbimin shëndetësor dhe drejtësinë, arsimin e fëmijëve të familjeve të varfëra. "Saliu thotë se shëndetësia kushton. Nuk diskutohet kjo që kushton, por pyetja është kush e paguan. 800 milionë dollarë në vit për kujdesin shëndetësor, ku 7% mbulohen nga sistemi i sigurimeve, 33% vijnë nga taksimi i përgjithshëm dhe 60% nga xhepat e njerëzve. Tek 60%, 5% janë nga xhepat e të pasurve, 95% nga xhepat e atyre që s’kanë lekë në xhep. Dhe si vijnë? Duke shitur lopën, delen, duke marrë para borxh, duke shitur dhe shtëpinë. A mund të pranojmë një shoqëri të tillë mes të Europës, që t’u përlasim në fytyrë atyre që kanë hall?!. Ne themi që është një e drejtë, që ka apo s’ka lekë, jeton në qytet apo fshat, është i bardhë apo me ngjyrë ta marrë kujdesin shëndetësor falas".
5% E SHQIPTARËVE, GJYSMËN E PASURISË SË VENDIT
"Më pak se 5% e shqiptarëvë kanë më shumë se gjysmën e pasurisë së vendit dhe po vazhdoi kështu ky 5% do rritet", ka thënë Rama. Ai ka premtuar se qeveria ka një sistem taksimi, që privilegjon më të pasurit, por ne themi të pasurit rrofshin e u pasurofshin, por meqë marrin më shumë duhet të taksohen më shumë. Nuk mund të paguajë taksa më pak ministri i Brendshëm në krahasim me policin", ka thënë Rama, duke prmetuar se "do ulim taksa për 95% të shqiptarëve".
Dhe këtu ai ka pasur parasysh edhe taksën e fshehtë në çdo gotë qumësht 20%, që e merr taksë Saliu, në vaj, miell….në çdo kokërr vezë. Është e drejtë kjo? Ne këtë taksë do ta bëjmë zero|. Rama ka përmendur edhe taksën e sëmundjes; 10% për çdo kokërr ilaç, që pinë pensionistët. "Është e drejtë kjo? Zero do ta bëjmë dhe këtë. Fatura e energjisë 20% e ka taksë, ne do ta bëjmë 6%", premtoi Rama.
NUK JANË GJITHË PARTITË NJËSOJ
Rama u ka bërë thirrje korçarëve dhe gjithë shqiptarëve, që të mos besojnë idenë e përhapur se "këtu të gjithë janë njësoj, se kjo histori do vazhdojë njësoj". Po i besuat kësaj do vazhdojë më keq, por besoni se ndryshimi e gjen mënyrën se si të gjejë rrugën e tij dhe bëhuni pjesë e ndryshimit tuaj".
Rama ka kërkuar që, kush ka një rrogë nën 1,5 milionë lekë me atë votë mund të ulë taksat dhe fiton mesatarisht 40 mijë lekë në muaj nga ulja e taksave; një rrogë më shumë në vit.
"Si qenka njësoj si me ne si me ata?! Nëse mbizotëron e keqja është faji i të mirëve, që s’bëjnë asgjë. Shumicë është e mira, por kur e mira fle gjumë, e keqja s’ka nevojë t’i dominojë ata që flenë gjumë. Vini një kryq te numri 29 dhe 4 vjet s’ka taksa", tha Rama.
BLINDONI VOTËN
"Mos shkoni vetëm në votim. Ti, nëse ke një të fejuar merre dhe thuaji ose hajde voto, ose rishikojmë marrëdhëniet bilaterale", ka thënë Rama, duke bërë edhe shaka. "Ti, merre edhe atë vëllain me xhel, që fle deri në 11 të mëngjesit, që thotë “o ma çfarë do ha unë?”, merreni dhe atë, ka kërkuar Rama. "Një më shumë, secili të vijë me dy vota, një të vetën e një të tjetrit, kështu blindohet çdo votë dhe realizojmë një fitore të thellë, që na duhet për 4 vjet me radhë të bëjmë realitet këto që ju thashë", ka përfunduar Rama.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)