Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një tjetër video, ku denoncon një tjetër rast të zaptimit të hapësirave publike në Tiranë, ndërsa iu përgjigjet kritikave nga ata që i cilëson si “komentatorë” për aksionin që vijon prej disa ditësh.

Ai thekson se aksioni nuk synon që të godasë popullin, sepse, populli thotë kryeministri, nuk ka lidhje me këta “guximtarë” që kanë zaptuar hapësirat. Shefi i qeverisë shprehet se çdo hapësirë e zënë padrejtësisht do të çlirohet, ashtu siç do të ndodhë edhe me rastin e publikuar në video.

“3 - 4 subjekte kanë marrë peng tërë hapësirën komunitare dhe pyetja për disa komentatorë që qajnë hallin këtu e gjetkë, se duke rivendosur kufirin mes të drejtës e të paligjshmes në hapësirat publike po goditen kursimet e “popullit”, është e thjeshtë:  Kush është populli, këta tre katër guximtarë që kanë zënë tërë lulishten e komunitetit apo familjet, të moshuarit, fëmijët, që jetojnë në pallatet përreth dhe dalin nga shtëpitë përmes shtigjeve të lëna nga bizneset?!", shprehet Rama.

Ai nënvizon se bizneset mbeten një vlerë e shtuar për shoqërinë, por jo duke shkelur “kufirin e të drejtës së popullit për të lëvizur e marrë frymë lirisht”.

"Edhe kjo hapësirë edhe çdo hapësirë si kjo, do t’i kthehen komunitetit, ndërsa bizneset do të jenë vlerë e shtuar por pa shkelur kufirin e të drejtës së popullit për të lëvizur e marrë frymë lirisht”, shkruan më tej Rama.