Kryeministri Edi Rama vlerësoi të dielën të gjithë të rinjtë që kanë ndarë idetë e tyre përmes aplikacionit "Ëndrra ime 2015?, ndërsa theksoi se fituesit që do të mbështeten për realizimin e ideve të tyre të spikatura, do të shpallen më 15 Mars.
"Faleminderit për të gjitha 734 idetë dhe ëndrrat që keni ndarë me ne përmes aplikacionit Ëndrra ime 2015! Por ndërkohë të gjithë ju që ëndrrat tuaja patët kurajon t'i ktheni në një plan konkret, jeni fitues, sepse siç e ka thënë dhe Laura Ingalls Wilder, askush nuk ka arritur ndonjëherë diçka, që nga më e vogla deri tek më e madhja, pa patur si fillim një ëndërr", shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social Facebook.
Qeveria do të mbështesë financiarisht 10 idetë më bindëse për realizimin e ëndrrave, që kanë paraqitur të rinjtë përmes aplikacionit "Ëndrra ime 2015?. Afati për të kërkuar financim për projektin ishte data 28 shkurt. Përmes këtij programi mund të aplikonte çdo gjimnazist, student apo i ri deri në moshën 30-vjeçare që kishte nevojë për mbështetje për të bërë realitet një projekt në vitin 2015./atsh/












