Fjalimi i kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në takimin e anëtarëve të Bordit të Paqes në Uashington ka qenë kryefjala e mediave.

Gazetari Ardit Rada, përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’ tha se fjalimi i kryeministrit Rama ishte mjaft i guximshëm. Rada nënvizoi se kreu i qeverisë mund të kishte ngritur çështje të tjera aty, por zgjodhi temën më të rëndësishme që ka Shqipëria dhe Kosova në këto momente.

“Vetë diskursi i fjalimit të Ramës, tregon që përpjekjet e tij ishin për shqiptarët. Fjalimi ishte i guximshëm. Nuk dihet nëse Rama do të ketë më një takim me Trump derisa të jepet vendimi për ish-krerërt e UÇK. Prania e Shqëiprisë dhe Kosovës atje tregon peshën që kanë të dyja vendet. Rama mund të ngrinte shumë probleme të tjera, por ngriti zërin për temën më të rëndësishme për Shqipërinë”, tha Ardit Rada.

Ndër të tjera Rada theksoi se sjellja miqësore e Trump me Ramën hedh poshtë pretendimet e opozitës se SHBA-ja do të rrëmbejë Ramën siç bëri me Nicolas Maduro.

“Do të ketë ndikim në politikën e brendshme. Ky takim me Trump, ajo sjellje miqësore tregon që çështjet që ngre opozita nuk janë fare temë në Amerikë. Është e qartë që Shtëpia e Bardhë ka një dashamirësi për qeverinë shqiptare, përveç Sali Berishës që e kanë non grata”, shtoi ai.

Sa i përket deklaratës së Trump për Kosovën ‘Nëse keni ndonjë problem më telefononi', Rada theksoi se SHBA-të e kanë mbështetur gjithmonë Kosovën.

“Kjo gjë ka rëndësi, dhe duket se SHBA-të janë konsistente në qëndrimin e tyre. Mbështetja e tyre nuk ka ndryshuar. Kosova ka nevojë për këtë lloj mbështetje për shkak të gjendjes që ndodhet”, theksoi ai.

Në fund të intervistës Rada komentoi edhe protestën e sotme të opozitës, ku ndër të tjera vuri në dukje se nuk pret ndonjë gjë të jashtëzakonshme përveç molotovëve.

“Moti do të jetë justifikimi i Sali Berishës për pjesëmarrjen e ulët në protestë. Një opozitë duhet të luftojë në Parlament, për të propozuar dhe diskutuar ligje. Por këta qenkan shumë të etur për organizime të tilla. Nuk pres ndonjë gjë përveç moltovëe dhe pastaj të kthehen në shtëpi”, përfundoi ai.