Rama në Britaninë e Madhe: Problem që të rinjtë shqiptarë përdoren nga kriminelët! S’e sollën ato drogën këtu, por gjetën tregun

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe është ndalur sërish tek çështja e emigranteve të paligjshëm dhe paragjykimi që u bëhet atyre. Kreu i qeverisë u shpreh se problemi i tij nuk është me shqiptarët që vijnë në Britani, por kur shqiptarët përdoren në ëndrrat dhe shpresat e tyre nga kriminelët.

'Dëgjoni, edhe njëherë dua ta përsëris se na vjen keq, na vjen shumë keq. Nuk do të lidhim partneritetin strategjik që kemi me një vend si Britania dhe nuk do t’i vëmë të gjitha këto interesa të jashtëzakonshme për të zhvilluar këtë marrëdhënie në atë kutinë e vogël të Suela Braverman dhe disa njerëzve të tjerë. Është shumë më e madhe sesa kaq. Mund t’iu them që ne kemi një komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë dhe kjo nuk është për të thënë fjalë të bukura sepse unë nuk mendoj se jeta është interesante kur jeton për të thënë fjalë të bukura që në fakt nuk i mendon.

Jo, kjo është e vërtetë. Për herë të parë shoh, jo vetëm fjalë, por edhe vepra nga kryeministri britanik dhe kam parë shumë kryeministra britanikë meqë ra fjala. Në këtë rast, ka diçka mjaft të rëndësishme që po ndodh, që e kemi kërkuar qysh prej shumë kohësh. Kujtoj qysh kur Theresa May ishte Sekretare e Punëve të Brendshme. Gjithnjë kemi thënë, na duhet të ndërtojmë një forcë të përbashkët operative për të goditur rrjetet kriminale. Gjithmonë na kanë thënë “Është e shkëlqyer”, por kurrë nuk ka ndodhur; tani po ndodh. Pas bisedës time me kryeministrin në telefon, kjo po ndodh dhe jam i sigurt që në qoftë se do të bëhet sipas planit, shumë shpejt rezultatet do të jenë të jashtëzakonshme në raport me atë që është problemi.

Problemi im nuk është se shqiptarët vijnë në Britani; problemi im është kur shqiptarët përdoren në ëndrra dhe shpresat e tyre për të ardhur në Britani nga kriminelët. Nuk kam probleme se kufijtë britanikë mbyllen. Është e gabuar, por nuk më takon mua ta vendos. Problemi është të mos i lëmë të rinjtë shqiptarë të shfrytëzohen nga kriminelët. Kjo është pika e parë.

Pika e dytë, nuk duhet lënë ky komunitet fantastik dhe është komunitet fantastik komuniteti shqiptaro-britanik; është fantastik që nga profesionistët deri tek punonjësit e ndërtimit. Të jesh nën trysninë e disa mollëve të kalbura qe janë vërdallë.

Thënë kjo, kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin këtu, e gjetën krimin këtu. Ata nuk e sollën drogën këtu, gjetën tregun këtu prandaj erdhën këtu. Është një treg i madh krimi, droga, i gjithë gjërave të këqija. Kjo është e vërteta. Për ta lidhur këtë dhe për të thënë se po fshijnë krimin se po luftojmë kriminelët shqiptarë kjo është vetëm propagandë dhe ne jemi shumë të interesuar për t’i goditur ata dhe do ta bëjnë. Në qoftë se homologët britanikë do të na ndihmojnë, do të na dëgjojnë dhe do të ndjekin atë çfarë u themi kur bëhet fjalë për shqiptarët, sepse nuk do t’i mësojmë se çfarë të bëjnë me të tjerët, kjo do të jetë shumë e suksesshme dhe ne do të jemi në një pozitë shumë më të mirë dhe shqiptarët këtu do të jenë në një pozitë shumë më të mirë. Kjo është ajo çfarë duam të bëjmë.

Por, t’i veçosh shqiptarët dhe të flasësh për shqiptarët; për shembull, Dua Lipa është këngëtare britanike kurse ai me varkë është kriminel shqiptar. Jo, Dua Lipa është një emigrante shqiptare, e cila këndon si një shqiptaro-britanike. E njëjta gjë vlen dhe për atë djalin që vjen me varkë, është e njëjta gjë. Pra, çdo gjë e mirë që ne sjellim këtu është britanike, çdo gjë e keqe është shqiptare. Jo, jo, nuk funksionon kështu, nuk është kështu.'- tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama nga Britania e Madhe: Nëse rusët ju pushtojnë, ejani në Shqipëri t’ju mbrojmë nga Putin dhe Braverman


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja