Shqipëria ulet ditën e nesërme e 26 majit në konferencën e 8-të ndërqeveritare me Bashkimin Europian, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt mbylljes së kapitujve.

Pasi vendi kaloi me sukses objektivat e ndërmjetme për gupin e “Themeloreve”, ky takim i radhës në Bruksel do të shërbejë për të përcaktuar piketat përmbyllëse për këtë grupkapitull ku përfshihen Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, si dhe Kapitulli 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike.

Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Rama së bashku me një ekip nga grupi negociator të cilët pritet të udhëtojnë nesër drejt Brukselit. Konferenca është parashikuar të nisë zyrtarisht në orën 19.30.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë ditë si një koecidencë të bukur historike për Shqipërinë.

“Eshtë një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”, tha Rama.

Gjetja e konsensusit mes vendeve anëtare për t’i dhënë më në fund dritën jeshile hapit tjetër të rëndësishëm të integrimit ka ardhur me një ashpërsim të termave në dokumentin final, të aprovuar javën e shkuar nga përfaqësuesit e vendeve anëtare. Dokumenti i Këshillit të BE ka gjuhë më kushtëzuese se ai i Komisionit, duke vënë theksin te rezultatet konkrete për sundimin e ligjit dhe reformat. SPAK dhe presionet politike ndaj tij dalin në plan të parë, ndërsa korrupsioni cilësohet si “shqetësim thelbësor”.