Kryeministri Edi Rama i jep garanci Athinës zyrtare se çështja e pronave të pakicës greke në Shqipëri po trajtohet me një vëmendje të veçantë. Gjatë punimeve të forumit ekonomik të Delfit në Greqi, kreu i qeverisë u kujdes të theksonte se minoriteti grek po trajtohet me të njëjtin standard para ligjit dhe pa asnjë diskriminim.

“Askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po ju them, se problemi me pronën, edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë, nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët etnikë shqiptarë, në të njëjtën zonë apo kudo tjetër. Për shkak se kemi një nivel mjaft të rëndësishëm të kuptuari e respekti për pakicën greke, që është një thesar kulturor, ne ju kemi kushtuar vëmendje të posaçme. Këtu dua të përgëzoj Mitsotakis, që ka qenë vërtet këmbëngulës për këtë”, tha Rama.

Rama e pranon se “çështja Beleri” krisi marrëdhëniet me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, dhe thotë se rasti i Belerit është vetëm një nga shumë kryetarë bashkish të arrestuar, pa asnjë lidhje me origjinën e tij greke.

“Çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë, nuk ka dyshim, por kemi qenë gjithmonë respektues dhe të hapur me njëri-tjetrin.  Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës nga partia ime, është burgosur në janar të vitit 2025 dhe vijon të jetë ende në burg. Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh”, u shpreh kryeministri.

Te çështjet e pazgjidhura dy palëshe, kryeministri Rama kujdeset të veçojë një, ligjin e luftës ende në fuqi.

“Duam që të mos jetë, të ikë dhe nuk kemi probleme të tjera. Kemi diçka që është një aset i madh për ne, që është pakica greke dhe po kështu diçka tjetër që është aset i madh i madh për ju, që janë qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu, të cilët janë shumë e tashmë plotësisht të integruar. Kësisoj ju detyrohemi të dyja palëve për të pasur një raport miqësor”, tha Rama.

Sa për marrëveshjen e detit, Rama tha se dy vendet kanë rënë dakord që çështja të trajtohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

"Tashmë kemi një marrëveshje me qeverinë greke për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare. Kështu do të bëhet dhe pastaj i takon gjykatës të vendosë", tha Rama.

I pyetur nga kryeredaktori i gazetës Kathimerini Alexis Papahelas, për situatën në Ballkanin Perëndimor kryeministri Rama u shpreh më optimist se kurrë.

"Ballkani Perëndimor është në kohën më të mirë. Nuk kemi qenë kurrë më pranë BE se sot. Nuk jemi të harruar. Jemi në kohën më të mirë që kemi jetuar”, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:36
Shqipëria porta europiane e gazit? Rama pohon nga Greqia: Miqtë amerikanë janë të interesuar

1776894072_edirama.jpeg

Kryeministri Edi Rama nga Forumi Ekonomik i Delfit pati një bisedë me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës Kathimerini. Rama foli për disa tema të marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë, por edhe për zhvillimet ndërkombëtare. I pyetur se a synon Shqipëria të bëhet një portë hyrëse për gazin në Europë, Rama tha: "Ne kemi shansin për ta patur këtë gjë, miqtë tanë amerikanë janë të interesuar dhe ndihmues për këtë gjë. Jemi shumë të lumtur që po bashkëpunojmë për energjinë që prej disa kohësh edhe me Greqinë." Çështja e gazit vjen në vëmendje pas një takimi të kryeministrit Edi Rama me ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle gjatë muajit mars në Tiranë. 

Alexis Papahelas: Dua të flas për energjinë. A do të bëhet Shqipëria një pikë hyrëse për gazin, për Evropën. A ka ndonjë diskutim të tillë?

Kryeministri Edi Rama: Tani, nuk i kërkova leje ambasadorit të SHBA-së këtu për të dhënë asnjë informacion, por mund të flas pa lejen e grekëve, pa lejen e europianëve, por nuk flas dot pa lejen e amerikanëve, sepse mund të bëhen shumë të këqij.

Alexis Papahelas: Ndoshta është e anasjellta.

Kryeministri Edi Rama:  Po, po. Ka një lloj konspiracioni për ta bërë Shqipërinë. Në fakt më pëlqen shumë, shumë kur të gjithë në rajon thonë duam të jemi qendra e kësaj, qendra e asaj dhe në fakt aty pa asnjë mendje është ideja për t'i ‘’gëlltitur’’ të gjithë, por jo. Ne nuk duam t'i gëlltisim të gjithë. Ne kemi shansin për ta pasur këtë gjë dhe miqtë tanë amerikanë janë të interesuar, janë mjaft ndihmues dhe nga ana tjetër jemi shumë të lumtur që jemi angazhuar në një bashkëbisedim të mirëfilltë me Greqinë, për çështjet e energjisë që është prej disa kohësh.

Ora 19:48
VIDEO/ 'Beleri përfundoi mirë, u zgjodh eurodeputet', Rama nga Greqia: Veliaj ndodhet në burg pa gjyq

Kryeministri Edi Rama nga Forumi Ekonomik i Delfit, gjatë një bisede me Alexis Papahelas, Kryeredaktor i gazetës Kathimerini, ka deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, po vijon që prej janarit të vitit 2025 të qëndrojë në qeli, pavarësisht se ndaj tij ende nuk ka një vendim gjyqësor.

Problemi me numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri, sipas Ramës, është një problem madhor të cilin kryeministri tha se e ka adresuar edhe në BE.

Rama u pyet nga gazetari grek i Kathimerinit, Aleksis Papahelas edhe për rastin e Fredi Belerit, i arrestuar pak ditë para zgjedhjeve lokale dhe i dënuar për manipulim votash.

“Në Shqipëri gjyqësori është i pavarur. Në Shqipëri sot kemi 58% të personave në burgje, që ende nuk kanë procedim gjyqësor, pra që nuk kanë gjyq. Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës nga partia ime, është burgosur në janar të vitit 2025 dhe vijon të jetë ende në burg. Dhe procesi gjyqësor sapo ka nisur. Kështu që kur thashë për Belerin përfundoi në mënyrë të mrekullueshme sepse është europarlamentar, e kam fjalën ka marrë fund dhe nuk duhet t’i kthehem kësaj gjëje.

Ju thatë që ky ishte një episod fatkeq. Është episod fatkeq jo vetëm për të, por për të gjithë, sepse është para procesit gjyqësor dhe paraburgoset. Kjo është diçka që unë nuk e marr me lehtësi. Unë këtë po e ndaj me BE-në”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 19:38
Çështja e pronave, Rama: Problem shqiptar, po e trajtojmë! Vëmendje e posaçme për pakicën greke

Kryeministri Edi Rama është shprehur se problematikat që kanë qytetarët etnikë grekë në Shqipëri me pronat, nuk janë aspak të ndryshme me problematikat që kanë qytetarët shqiptarë me pronat.

“Është një temë shumë e thjeshtë, por edhe e ndërlikuar. Ne kemi qenë një vend që u privua plotësisht nga prona private. Nuk lejoheshim të kishim as një metër katror tokë në pronësinë tonë. Pas 50 vitesh, më në fund e ndryshuam atë regjim të tmerrshëm. Asokohe u miratua një ligj me konsensus për t’i dhënë letër përdorimi, pra titull përdorimi, jo pronësimi të gjithëve atyre që punonin tokën.

U krijua një mbivendosje dhe përgjatë viteve, njerëzit që kishin titull përdorimi të tokës u bënë pronarë, pronarët ish-pronarë dhe u vendos një shtresë e tretë, që ishte shumë njerëz që vinin nga zonat rurale dhe ndërtuan në mënyrë të paligshme në tokë bujqësore. S’kishte rrugë tjetër veçse ti legalizonim. Ne kemi 10 vite që po merremi me këtë.

Askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po ju them, se problemi me pronën, edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë, nuk është aspek ndryshe nga problemet që kanë qytetarët etnikë shqiptarë, në të njëjtën zonë apo kudo tjetër. Është thjesht një problem shqiptar, për shqiptarët apo për qytetarët etnikë grekë dhe po e trajtojmë. Për shkak se kemi një nivel mjaft të rëndësishëm të kuptuari e respekti për pakicën greke, që është një thesar kulturor, ne ju kemi kushtuar vëmendje të posaçme. Këtu dua të përgëzoj Mitsotakis, që ka qenë vërtet këmbëngulës për këtë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 19:21
Rama nga Greqia: Iranianët i pranuam në vendin tonë për qëllime humanitare! Shqipëria meriton të futet në parajsë për kaq shumë jetë të shpëtuara

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Forumi Ekonomik i Delfit në Greqi se Shqipëria i ka pranuar anëtarët e opozitës iraniane në Shqipëri, për arsye humanitare dhe jo për të bërë opozitën politike të Teheranit.

Rama tha se njësoj si iranianët, Shqipëria ka strehuar edhe anëtarë të komuniteteve të tjera, si afganët, apo edhe hebrenjtë e italianët më herët.

“Ne kemi një histori, pra duhet t’i thërrasim historisë. Kemi një histori mikpritjeje, që duam ta ruajmë e ta ushqejmë. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që i dha fund luftës së Dytë botërore me më shumë hebrenj sesa ishin para se të ishte kjo luftë. Dhe nuk ka shifra të dhëna për asnjë hebre të dorëzuar nazistëve. Ne kemi mbrojtur edhe 25 mijë italianë, pjesë e ushtrisë pushtuese kur Italia kapitulloi. Pritëm afganët, pasi ndodhi ai largim nga Kabuli në një mënyrë të turpshme. Ne hapëm dyert me mijëra afganë që askush në Europë nuk i donte. Sa për iranianët na u kërkua të merrnim në konsideratë, t’i sillmin aty jo për ta përdorur Shqipërinë si një platformë për opozitën politike, por për arsye humanitare, sepse ndodheshin në kampin Liria në Irak dhe sulmoheshin gjatë gjithë kohës nga vrasësit e Teheranit. Po, i kemi aty prej vitesh dhe u kemi shpëtuar jetën. Mendoj se do të ketë një konsideratë për ta futur Shqipërinë në parajsë, nëse rrëfejmë të gjitha këto histori kur kemi shpëtuar jetë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 19:12
Lufta ndaj krimit të organizuar, Rama: Kemi probleme, por po përmirësohemi! Pavarësia e gjyqësorit, arritja e një jete

Kryeministri Rama u pyet nga Papahelas pse përgjatë qeverisjes së tij nga vendi janë larguar rreth 500 mijë shqiptarë, për të cilën u shpreh:

“Nuk është shifër e saktë, por po, shqiptarët kanë vazhduar të largohen dhe mendoj se është normale për një vend që ka kaluar 50 vjet izolimi të plotë”, tha Rama.

Sa për krimin e organizuar, ai i pranoi problemet duke evidentuar rëndësinë e sistemit gjyqësor:

“Kemi probleme dhe po bëjmë gjithçka mundemi që të përmirësohemi në këtë drejtim. Është arritja e një jete t’i japim gjyqësorit pavarësinë e tij. Pasja e një drejtësie të pavarur që është shumë e angazhuar kundër krimit të organizuar, ka bërë ndryshimin”, u shpreh kryeministri.

Ora 19:06
Beleri ‘mollë sherri’ me Mitsotakis? Rama e pranon: Krijoi vështirësi, por e respektojmë njëri-tjetrin! Ambicie që brenda vitit të përfundojnë të gjitha çështjet

I pyetur për ngërçin me kryeministrin grek Mitsotakis për çështjen e Fredi Belerit, kryeministri Rama pranoi se krijoi vështirësi, por marrëdhënia e tyre ruan gjithnjë respekt. Ambicia e përbashkët është që deri në fund të vitit të zgjidhen të gjitha çështjet mes dy vendeve.

“Çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë, nuk ka dyshim, por kemi qenë gjithmonë respektues dhe të hapur me njëri-tjetrin, pa bërë teatër. Unë e respektoj shumë për këtë. Vendosëm kohë më parë që nuk duhet t’i lëmë vendeet tona të përpihen nga këto lloj zënkash. Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh. Ambicia jonë është të përfundojë brenda këtij viti dhe vjeshtën e ardhshme të përfundojnë të gjitha çështjet. Kemi një aset të madh për ne, pakica greke dhe diçka që është aset për ju, shqiptarët që jetojnë këtu dhe janë të integruar”, tha Rama.

Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për rifillim sepse gjithçka ka nisur tashmë.

“Nuk pres rifillim, kemi rifilluar. Presim një fund në fund të vitit, të dy shpresojmë. Po përpiqem të tregoj kujdes për të mos bërë shaka me ju sepse s’dua të trazoj këtë mjedis”, tha kryeministri.

Ora 19:04
Gjykimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Rama për kërkesën ndaj Trump: S’më është përgjigjur ende, ma ha mendja se ka qenë shumë i zënë (VIDEO)

Kryeministri Rama u pyet në intervistën me Alexis Papahelas për kërkesën e tij ndaj Trump lidhur me Gjykatën e Hagës për procesin kundër 4 ish-krerëve të UÇK-së, për të cilën tha se ende s’ka marrë përgjigje.

-I kërkuat presidentit Trump që ai të përfshihet në disa prej konflikteve që po ndodhin.

Edi Rama: Po, pata privilegjin të isha me presidentin Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes dhe i kërkova diçka që ka të bëjë me gjykatën e drejtësisë mbështetur mbi një raport fantazish nga rusët, nga vladimir Putini që mbështeste një mocion për të hetuar të ashtuquajturat krime lufte dhe trafik organesh. Gjykata u ngrit për ta kthyer këtë proces fantazish kundër udhëheqësve dhe e burgosën pa një akuzë zyrtare. Më pas, i gjithë procesi u kthye në diçka krejt tjetër. Nuk kishte ndodhur asnjë trafik i organeve njerëzore dhe akuzohen që kanë udhëhequr luftën kundër pushtuesve dhe kanë bashkëpunuar me NATO-n.  I thashë Trump që duhet të ndërhyjë.

-A keni marrë përgjigje?

Edi Rama: Ende, por ka qenë shumë i zënë ma ha mendja.

Ora 18:57
‘S’jeni nipërit e Platonit’, Rama sqaron deklaratën: S’kam armiqësi, e dashuroj këtë vend! Po bëja humor me njerëz seriozë (VIDEO)

Lidhur me deklaratën “nuk jeni nipërit e Platonit”, kryeministri Rama tha se nuk ishte një çështje serioze, por thjesht një shaka. Ai u shpreh se historia e tjetrit duhet respektuar, por ndoshta ishte ai që po bënte shaka me njerëz seriozë.

Edi Rama: I vetmi problem që kam me grekët dhe shqiptarët, me shqiptarët sidomos, është marrja e vetes shumë seriozisht. Duhet të jemi shumë të ndjeshëm ndaj historisë së njëri-tjetrit dhe ta respektojmë.

-E di, por ishte si një lloj armiqësie.

Edi Rama: Jo, larg qoftë, ç’armiqësi? Kushdo që më njeh, unë kam një admirim të madh për këtë vend dhe më duket ishte Tomas Miller që thoshte duhet një jetë për të zbuluar Greqinë dhe një ditë për t’u dashuruar me të. Sa herë që vij, unë s’kam kaluar një ditë, ndiej se kam rënë në dashuri me këtë vend, si mund të jem armiqësor?

-Ndoshta ka qenë moment i keq.

Edi Rama: Nuk ka qenë moment i keq, ndoshta isha thjesht unë që po bëja humor me njerëz shumë seriozë. Ndoshta nuk isha në vendin e duhur.

P.J/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • toma: 23/04/2026 01:57

    Nuk kuptoj se si Rama ia jep rrogen Spakistave me mijera euro ne muaj... EV qendron ne paraburgim prej nje viti... dhe as Dum-Dumi dibran qe ka idhull Aranit çelen, dhe qe ne rinine e tij ishte sigurims gratis... dhe as Ols noteri, s'po ia dalin dot ta gjykojne. Turp dhe nje njolle e zeze per drejtesine shqiptare te brishte e perbere nga nenpunes te papergatitur qe i tremben politikaneve, por qe kerkojne rroga te majme nga arka e shtetit.

    Përgjigju
  • Boti: 23/04/2026 00:17

    Po si u heqka ligji i luftes pa iu dhene pronat cameve? Apo placke lufte thuaj e ci ben temen.

    Përgjigju
    • Lala: 23/04/2026 12:47

      Hiqet ligji kthehem pronat.camet Jan quajtur kaloboracionist

  • emiri: 22/04/2026 23:59

    DO TI FALESH DETIN GREQISE..MOR NDYRESIRE..SI TA ZGJIDHI HAGA....

    Përgjigju
  • E tha rama?: 22/04/2026 23:03

    Ku e permendi ai specifikisht ligjin e luftes??? E keni shkrujt vec sa per te marr vemendje.

    Përgjigju
  • Shqipja: 22/04/2026 19:27

    Dmth e ka vendosur Rama ta “vdese “ Shqiperine qe pastaj te futet ne parajse!!! Bobobo ca idioti

    Përgjigju
  • Artan Sorra: 22/04/2026 19:20

    O Rame, mos na hidh kot hi syve se Mali i Zi po perfundon Traktatin e Ametaresimit, kurse ti na tregon perralla me sy hapur.

    Përgjigju
  • Mono: 22/04/2026 19:04

    Nderkohe qe Mali i Zi filloi procesin e ratifikimit te anetaresimit ne BE ne nuk kemi qene kurre me afer. Ne vitin 2030 do jemi ende me afer por perseri jo ne BE. Politikanet qe meritojme. Kur fillon BBV?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 23 Prill, 09:22

    A besoni se do të zgjidhen çështjet e mbartura Shqipëri-Greqi?