MALËSI E MADHE- Kryeministri Rama vizitoi dje ujësjellësin e ri të ndërtuar në zonën e Malësisë së Madhe. Ky ujësjellës arrin të furnizojë 24 orë me ujë mijëra banorë nga Malësia e Madhe deri në komunën Rrethina.
 
Kryeministri e vlerësoi investimin si një vepër shumë të rëndësishme dhe strategjike për këtë zone dhe vuri ne dukje se nuk do të jetë i vetmi.
 
“Më në fund pas 40 vjetësh, pa asnjë investim në këtë rrënojë që praktikisht i ka penguar 1/3 e banorëve të Malësisë së Madhe që të kenë ujë të pijshëm, ne mund të ndërhynim. Dhe, ne kemi ndërhyrë, duke bërë që sot situata të jetë komplet e përmbysur dhe ne t’ia dalim që sot jo vetëm të çojmë ujë në shtëpitë e gjithë banorëve të kësaj zone që deri dje vuante për ujë, por t’ia dalim edhe që të themi pa merak se në sezonin turistik që nis Velipoja, që kurrë s’e ka menduar se do të vinte kjo ditë, të ketë furnizim të plotë me ujë të pijshëm.”-ka theksuar Rama.
 
Drejtori i Ujësjellësit të Gruemirës Flaurs Shoshi, informoi se me ndërhyrjet e bëra, situata e furnizimit me ujë të pijshëm është përmirësuar ndjeshëm, edhe për komunat që për vite të tëra vuanin mungesën e ujit, përfshirë këtu edhe zonën turistike të Velipojës. Sasia e ujit me të cilën furnizohen banorët është tetëfishuar.
 
“Më parë, nga 4 mijë metra kub që ka pasur kapacitetin e plotë furnizimi shkonte deri në 500 metër kub dhe me ujë furnizohej vetëm zona poshtë, 2 mijë banorë. Ndërsa aktualisht me kapacitete e sotme furnizohen 20 mijë banorë. Kemi furnizuar gjithashtu edhe një pjesë të komunës Rrethinaj, e cila ka 32 mijë banorë, pra tetëfishohet sasia e ujit”, u shpreh Shoshi.
 
Gjatë inspektimit Rama bëri të ditur se reforma për sistemin e ujit e hartuar me ekspertizën me të mirë vendase dhe të huaj është drejt përfundimit dhe së shpejti do të bëhet realitet.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)