TIRANE- Mijëra besimtarë myslimanë, kanë marrë pjesë në faljen për Kurban Bajramin. Besimtarët janë mbledhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të falur në orën 07:32 atë që njihet si falja e Namazit. Por me sa duket kalvari i faljes së Namazit në bulevard do të marrë fund, me vijimin e punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe brenda nëntorit të këtij viti. Këtë e ka njoftuar vetë kryeministri Rama gjatë vizitës në Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku tha se qeveria që ai drejton me buxhetin e ri të miratuar disa ditë më parë në parlament ka mbyllur edhe kapitullin e të gjithë kalvarit të gjatë që ka penguar ndërtimin e Xhamisë së re, duke vënë në dispozicion fondin e shpronësimit.
 
“Qeveria përmes buxhetit të rivotuar së fundmi në parlament financon drejtpërdrejtë pjesën e mbetur, për të përmbyllur punimet e zgjatura shumë në kohë të Teqesë së Madhe të Bektashinjve. Teqeja e Madhe e bektashinjve është një projekt, që nuk mund të përfundonte vetëm me financimin që është bërë nga komunitetit, kishte nevojë edhe për një mbështetje të fundit. Qeveria vendosi të mbështesë këtë projekt”, tha Rama.
 
Vetë myftiu i Tiranës Ylli Gurra, gjatë fjalës së tij para besimtarëve myslimanë u ndal të çështja e ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë, si një hap do të bashkojë edhe më shumë ata.
 
“Myslimanët e këtij brezi do të jenë dëshmitarë me falënderimin që do të përcjell tani për qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe vetë kryeministrin Rama që është përshpejtues dhe inkurajues më së vërteti besimploti që kemi ne në përmbylljen e xhamisë së Namazgjasë”, tha Gurra.
 
Ndërsa, kryetari Skënder Bruçaj në emër të komunitetit mysliman, tha se, Kurban Bajrami është dita kur shërohen plagët me paqe dhe vëllazëri.
 
“Kurban Bajrami është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri tjetrit me buzëqeshje, dashamirësi dhe vëllazëri. Le ti gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë në të cilën shpresa, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona, në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë, respektin dhe vëmendjen tonë” tha Bruçaj.


 
Përveç figurave kryesore të komunitetit mysliman, të pranishëm në këtë falje ishin edhe figura të njohura politike, por edhe nga bota e artit, sportit e kulturës.
 
Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, ku myslimanët falënderojnë dhe madhërojnë Zotin dhe në shenjë mirënjohjeje falin Namazin dhe presin kurban. Festimet nisin me faljen e namazit, prerjen e Kurbanit, dhe më pas me shkëmbimet e vizitave urimeve zhvillohen në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Nën urimet për sa më shumë paqe e mirësi, përfaqësuesit e këtyre besimeve fetare janë lutur për të varfrit dhe ata që jetojnë në vendet ku zhvillohet luftë.

lutja
 
Urimet e kreut të Komunitetit Mysliman dhe kryegjyshit Botëror kanë nisur që ditën e djeshme. Nxënësit e Medresesë kanë organizuar një koncert me këngë e poezi me karakter religjion, ku kreu i myslimaneve ka bërë edhe urimin e tij. Urim i cili është pasuar nga ai i Kryegjyshit botëror të Bektashinjve Baba Mondit.

Urimet e politikës



Basha nga Kavaja: Kurban Bajrami na këshillon të jemi më të drejtë
Kryetari i Demokratëve Lulzim Basha zgjodhi qytetin e Kavajës për të uruar besimtarët myslimanë. Basha u ndal te situata në vend duke bërë thirrje për reflektim në këtë ditë që sipas tij e gjen vendin në një gjendje të vështirë ekonomike e politike.
 
“Dua të përkujtoj në Kavajë thelbin e kësaj feste,e cila na këshillon të jemi më të drejtë me ata që janë në nevojë.”- u shpreh Basha.
 
Sipas tij fatkeqësisht Shqipëria sot ka më shumë se kurrë njerëz në nevojë dhe kjo festë e gjen vendin tonë me themele të tronditura te ekonomisë.

Rama tek Kryegjyshata Botërore Bektashiane, uron Kurban Bajramin



Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda, është takuar me përfaqësuesit e komunitetit Bektashian dhe mysliman. Rama në takimin me Baba Mondin, kryeministri premtoi ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë. Ndërsa më herët ka përcjellë mesazhin e urimit në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” për të gjithë besimtarët myslimanë.
rama, bajrami

rama me kryetarin e myslimaneve
rama me kryetarin e myslimaneve

Ndërsa pas takimit me kryetarin e komunitetit mysliman, Rama nuk preferoi që të bënte komente.

Meta: Politika duhet të mësojë nga harmonia fetare
Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Duke vënë theksin tek harmonia dhe bashkëjetesa fetare, Meta tha se politika duhet të mësojë nga kjo harmoni.
 
“Shpreh urimet më të mira në këtë ditë. Për të bërë mirësi dhe për të zhvilluar një solidaritet më të madh me njëri tjetrin dhe me të gjitha qytetarët, të jemi krenarë në këtë dite të gjithë, pa dallim bindjesh, për bashkëjetesën dhe harmoninë tonë të shkëlqyer. E cila është edhe një meritë e komuniteteve, dhe frymës së tolerancës që ato përçojnë. Kjo është një ditë kur edhe politika duhet të mësojë nga kjo bashkëjetesë dhe harmoni fetare”, u shpreh Meta.



Edi Paloka: Festat në Shqipëri janë të përbashkëta
Edhe deputeti demokrat Edi Paloka ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit gjatë vizitës që ka zhvilluar sot në Komunitetin Mysliman.
 
“Unë nuk kam gjë tjetër përveçse një urim shumë të madh jo vetëm për gjithë myslimanët e Shqipërisë por për të gjithë shqiptarët, sepse siç është bërë zakon festat në Shqipëri janë të përbashkëta, kështu që përveç urimit nuk kam gjë tjetër. Kjo është dita e sakrificës që çdo njeri duhet të bëjë për të arritur më të mirën, për të mundur të keqen”, tha Paloka.



Idrizi: Është dita e harmonisë, të marrim shembull
Zyrtarë të lartë të shtetit dhe përfaqësues të partive politike shqiptare vizitojnë selinë e Komunitetit Mysliman për të përcjellë urimin me rastin e kësaj feste.
 
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka qenë i pari që vizitoi sot selinë e komunitetit mysliman ku u prit nga kryetari i këtij komiteti. Idrizi uroi të gjithë besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin, duke u ndalur edhe tek rëndësia e harmonisë fetare në vendin tonë.
 
“Është kënaqësi dhe privilegj për mua që të uroja kryetarin e Komunitetit Mysliman dhe nëpërmjet tij gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, gëzuar Kurban Bajramin. Një festë dhe një ngjarje shumë e madhe jo vetëm për besimtarët myslimanë po për gjithë njerëzimin, dhe unë uroj për gjithë shqiptarët që paqja dhe bekimi i Zotit të shtrihet edhe mbi ta. Është dita e harmonisë, një harmoni të cilën ne e kemi treguar si shqiptarë dhe që besoj se duhet të na karakterizojë duke marrë shembull dhe nga kjo ditë e madhe. Është një ditë ku Zoti shtrihu mëshirën e vet mbi sakrificën e Azretit Ibrahim për sakrificën që ai po bën mbi të birin e vet por që Zoti me madhështinë e vet e shtrihu mëshirën mbi Azret Ibrahimin dhe gjithë njerëzimin”, tha Idrizi.



Nishani: Vlera jonë toleranca fetare, respekti reciprok për besimin e tjetrit
Presidenti Bujar Nishani ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Duke u shprehur se kjo festë na afron me njëri-tjetrin, Presidenti Nishani u ndal tek toleranca fetare në vendin tonë. Kreu i Shtetit tha se të gjithë shqiptarët duhet të festojnë së bashku, duke lënë mënjanë mëritë dhe sherret.
 
“Të dashur, të nderuar dhe të respektuar, besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni,
 
Gëzuar Kurban Bajramin!
Gëzuar këtë ditë të lumtur!
 
Gëzuar këtë festë të madhërishme që na afron me njëri-tjetrin kur fëmijëve u jepen dhurata, ushqimi ndahet me fqinjin dhe fukarain, i ngopuri kujton të uriturin, pasunari fukarain, i shëndetshmi të sëmurin, i suksesshmi hallexhiun, dhe të gjithë së bashku kujtojmë Zotin.
 
Këtë Kurban Bajram e festojmë fill pas vizitës historike të kreut të botës së besimit tjetër, besimit katolik, gjatë së cilës Ati i Shenjtë dhe bota mbarë vunë theksin mbi një nga vlerat tona kombëtare më të çmuara, tolerancën fetare, respektin reciprok për besimin e tjetrit, paqen mes njerëzve me besim të ndryshëm.
 
Që secili të mbrothësohet, që vendi të begatohet, që paqja të mos rrezikohet, ta festojmë edhe këtë Kurban Bajram si e kemi festuar gjithmonë, duke lënë mënjanë mëritë, duke iu larguar sherreve, duke u afruar, duke u respektuar, duke u vëllazëruar, duke u ndihmuar.
 
Gëzuar personalisht dhe institucionalisht prej meje në këtë ditë të Jashtëzakonshme!
 
Gëzuar t'i themi gjithashtu njëri-tjetrit në këtë ditë feste për të gjithë!”, thuhet në urimin e Presidentit Nishani.

Kurban Bajrami, Kryepeshkopi Janullatos uron besimtarët
Kryepeshkopi Anastas Janulltos ka zhvilluar takime në selinë e Komunitetit Mysliman në ditën e Kurban Bajramit. Kryepeshkopi uroi besimtarët, duke vënë thekson tek paqja dhe bashkëpunimi.

janullatos

PRERJA E KURBANIT
Besimtarët flijojnë qindra qengja për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane. Festa e Kurbanit ka të bëjë me sakrificën që bëhet në emër të profetit të myslimanëve, Ibrahim. Kjo sakrificë është prerje e një kafshe (dele, qengj ose cjap) si kurban. Pas sakrificës së kafshës, sipas Kuran-it, mishi duhet të ndahet në tri pjesë: Një pjesë për të varfrit, një pjesë për të afërmit dhe fqinjët dhe pjesa e fundit për familjen.
 
Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla, të cilat duhet t'u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët, si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Brucaj: Ditë e bekuar, urojmë harmoni e bashkëpunim
Në prag të festës së Kurban Bajramit, e cila është festa më e madhe në kalendarit islamik ka ardhur urimi i Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Brucaj.

“Kjo ditë e bekuar, dita e sakrificës në konceptin njerëzor, është shumë më e madhe dhe më e begatë në aspektin hyjnor. Është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes ndaj begative të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia dhuron njerëzimit, me dëshirën dhe vullnetin e Tij që ne të jemi mëkëmbësit e Tij në sipërfaqen e tokës, duke i shfaqur dhe shpërndarë këto begati mes njëri-tjetrit dhe duke i gëzuar ato me të gjithë pjesëtarët e familjes së madhe njerëzore.  

Kurban Bajrami është dita kur ne i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje dhe gëzim, me paqe dhe vëllazëri”, është shprehur Brucaj.

Gjatë festës së Kurban Bajramit kryhet rituali i flijimit të një qengji, i cili simbolizon sakrificën, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Allahut, Krijuesit të Gjithësisë. Gjatë ditës së nesërme në orët e para të mëngjesit pritet të realizohet falja e madhe në xhaminë e Tiranës për të gjithë besimtarët.