TIRANË- Nga Asambleja e PS në njësinë numër 12, kryesocialisti Edi Rama e shprehu hapur ambicien për fitore më të thellë në zgjedhjet vendore të 2027-ës. “Këto 2–3 muaj do të bëjmë të gjithë gjërat e duhura që të vendosim bazën për fitoren në zgjedhjet e ardhshme”, tha Rama, duke theksuar se PS sot ka kapacitet të fitojë më shumë dhe koha ka treguar që nuk ka asnjë Qendër Votimi që socialistët nuk e fitojnë dot. Edhe në rast se nuk kanë arritur rezultat fitues përballë kundërshtarëve, për Ramën problemi është tek fakti që PS nuk është organizuar sa duhet, duke lënë porosi për më shumë angazhim në terren.

“Partia Socialiste ka kapacitet të bëjë më mirë edhe të fitojë më shumë. Koha ka treguar që nuk ka asnjë vend, asnjë qendër votimi që Partia Socialiste nuk e fiton dot, por ka qendra votimi ku Partia Socialiste nuk fiton, sepse nuk organizohet si duhet, nuk organizohet sa duhet. Nuk ka asnjë rezultat që ne nuk e arrijmë dot, por rezultatet që nuk arrijmë vijnë sepse nuk bëjmë punën aq sa duhet dhe na duhet vetëdija që këtë punë dhe këtë përpjekje ne e kemi detyrë më të madhe sesa thjesht ndaj vetes apo për veten. Kjo arsye madhore është mundësia historike që neve na ka ardhur në dorë. Janë krijuar kushtet që ne ta shohim derën e Europës afër dhe të hapur plotësisht”, tha Rama.

Për kryeministrin Rama fitorja nuk është vetëm një ‘detyrë’ për të përmbushur ‘egon’ e socialistëve, por një detyrim që kjo forcë politike ka marrë për anëtarësimin e Shqipërisë në Union. Shefi i qeverisë i hodhi poshtë akuzat se ka bllokim të negociatave, sikurse është artikuluar nga opozita, ndërsa theksoi se për herë të parë yjet janë rreshtuar dhe BE kërkon ta marrë vendin tonë brenda familjes Europiane. Rama tha se duhet të bëjnë çmos që dera e BE-së të mbyllet vetëm pasi Shqipëria të jetë futur brenda. 

"E kemi parë se sa shumë është folur mbrapsht edhe për procesin e negociatave me BE, jo u bllokua, jo u ndalua, jo nuk bëhet kjo punë me Ramën dhe PS. Kemi bërë shumë nga ana jonë për të arritur këtu, por një gjë duhet me e pasur mirë parasysh: që nuk mjafton. Ne mund ta kishim bërë të gjithën dhe nuk mjafton, sepse i vogli, vendi i vogël, populli i vogël nuk i mjafton që të bëjë më të mirën e vet; duhet që edhe të tjerët ta shohin me sy të mirë.

Dhe janë bashkuar yjet e fatit, sepse për arsye që nuk lidhen vetëm me sa mirë kemi punuar ne, por lidhen edhe me si po shkon bota, Bashkimi Europian do që të na marrë brenda vetes dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ky moment është konkret. Tani, ne duhet të bëjmë deri në fund atë që kemi në dorë. Ne na duhet të bëjmë maksimumin që dera e hapur të mbyllet vetëm pasi ne të kemi hyrë brenda", theksoi Rama. 

Nuk la pa ironizuar as kundërshtarët, për të cilët tha se janë të verbër dhe po ngatërrojnë intereson kombëtar me të mirën e përbashkët të vendit.

"Ne na duhet që të kuptojmë që jemi vetëm në këtë betejë. Jemi më të mëdhenjtë, jemi shumica, por jemi vetëm, sepse gjithë të tjerët që nuk janë anëtarë, mbështetës, zgjedhës të Partisë Socialiste janë kundër nesh dhe janë kaq të verbër, saqë ngatërrojnë kundërshtinë me ne me interesin kombëtar dhe me të mirën e përbashkët të vendit dhe të gjithë fëmijëve tanë, edhe fëmijëve tanë dhe të atyre, që ne të shfrytëzojmë këtë moment dhe të hyjmë në Bashkimin Europian", vijoi kryeministri. 

Kryeministri Rama tha se me PS në qeveri, imazhi i Shqipërisë ndryshoi, duke u ndalur tek bumi turistik, rritja e pagave e pensioneve, e deri tek lufta ndaj korrupsionit.

"Nuk mund të çohet askush edhe të thotë me plot gojën: “është rritur korrupsioni dhe s’ka qenë kurrë korrupsioni siç është sot”, sepse kjo është një gënjeshtër shumë e madhe, sepse po të ishte rritur korrupsioni, nuk rritej ekonomia. Po të ishte rritur korrupsioni, nuk rriteshin pagat dhe pensionet, sepse nuk do të ishin rritur të ardhurat në arkën e shtetit ashtu siç janë rritur. Po të ishte rritur korrupsioni, nuk do të rritej numri i përfituesve nga garat publike të fondeve publike e të tjera, e të tjera", tha Rama, duke pranuar se PS ka ende punë për të bërë, prandaj duhet të fitojë edhe më thellë.