“Edhe pse intensiteti i reshjeve është më i dendur këtë vit në krahasim me 2015, situata është shumë e ndryshme; ka më pak familje të evakuuara (560 në 2015 - 80 këto ditë); më pak shtëpi të dëmtuara dhe asnjë kokë bagëti e humbur.
Investimet në argjinaturën e lumit, furnizimi me dy linja i hidrovorëve, si dhe puna e mirëorganizuar me forca të pesëfishuara në terren, na dhanë një aftësi mbrojtëse shumë më të madhe krahasuar me 2015!
Respekt për të gjithë punonjësit e shtetit që janë të angazhuar ditë-natë pranë familjeve të prekura nga moti i tërbuar” u shpreh Rama.
Nga Pallati i Sportit të Vlorës, ku ka ndaluar pas inspektimeve të radhës, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se situata ka nisur të kthehet në normalitet, kjo falë strukturave të emergjencave që sipas tij kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.
“Efektivët e Forcave të Armatosura që kanë ardhur këtu kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe presim që gjithçka të mbyllet sipas parashikimeve. Megjithëse parashikimet kaluan gjithçka”, ka thënë Rama.
Gjithashtu, kreu i qeverisë ka theksuar se, investimet masive dhe pastrimet tërësore të kanalizimeve bënë që qyteti të përballonte prurjet e jashtëzakonshme.
“Gjithë investimet e bëra në argjinatura dhe kanalizime kanë dhënë dorë, por mbi të gjitha dorë na dha angazhimi i të gjithë njerëzve. Unë u jam mirënjohës të gjithëve dhe i falënderoj”, ka deklaruar Rama.
Ai ka vlerësuar edhe punën e Bashkisë së Vlorës, e cila sipas tij ka qenë në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë për shkak të dëmtimit të banesave.
Më tej, Rama ka theksuar se me kalimin e krizës ekzekutivi do të forcojë legjislacionin për mbrojtjen e natyrës. “Dhe nuk do të falim më askënd që i shkakton dëme, pasi përfituan nga qeveria teknike”, ka shtuar me humor Rama.
dy.b/shqiptarja.com










