Beleri e Himara? Rama në konferencë: Cingërrisëse zërat në gjuhë të huaj! Reforma zgjedhore në kuvend! Nëse s'ka vota, në zgjedhje me ligjin aktual

SHKODËR- Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë me gazetarët pas takimit të përbashkët me ministrat e kabinetit qeveritar dhe kryetarët e 61 bashkive, të mbledhur prej mëngjesit të 9 marsit në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës për të kaluar në sitë financat e pushtetit lokal. Në tryezë me kreun e qeverisë u ulën edhe krerët e bashkive të djathta. Vetë kryeministri e quajti takimin një mbledhje për detyrat e përbashkëta të shtëpisë që 'ka pasur shumë ndërveprim e rezultat

Në konferencë për median Rama i quajti  'cingërrisëse' zërat e Athinës zyrtare pasi GJKKO dënoi me dy vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri e sa i takon mundësisë së organizimit të zgjedhje të tjera tha duhet pritur vendimi i Apelit të GJKKO-së.

""Ju e dini shumë mirë këtë çështje, ju e dini shumë mirë edhe arsyen pse ne faktikisht s’kemi patur zgjedhje. Ka qenë thjesht dhe vetëm një qasje e  vullnetit të mirë të Shqipërisë. Do të presim vendimin e  Gjykatës së Apelit dhe pastaj do të veprohet sipas ligjit, po duhet t’ju kujtoj se zgjedhjet e reja nuk i shpall Kryeministria, i shpall Presidenti i Republikës kështu që është një proces që do të ndjekë të gjithë procedurën sipas ligjit dhe sipas standarteve demokratike që ka Republika e Shqpërisë.

Për ne që nuk komentojmë veprimet e drejtësisë tingëllon cingërrisëse që dëgjojmë zëra që komentojnë në gjuhë të huaj vendime të gjykatave të Shqipërisë. Ju kujtoj se zgjedhjet e reja i shpall presidenti dhe jo kryeministri. Është një proces që do ndjekë gjithë procedurën sipas ligjit” tha Rama.

Ai i ka dhënë përgjigje dhe për ato që quhen bisedime mes maxhorancës dhe opozitës për normalizimin e jetës parlamentare. Rama tha se qeveria nuk ka shkelur asnjë prej të drejtave që opozita pretendon lidhur me komisionet hetimore.

“Çdo iniciativë që është e tillë ka miratimin tonë.  S’ka këtu nevojë as për marrëvëshje, as për negociata, as për bisedime. Kjo është shumë, shumë e thjeshtë dhe natyrisht diskutimet për këtë bëhen në komision kur paraqiten iniciativa. Opozita apo opozitat apo një numër deputetësh kanë të drejtë të ngrenë një komision hetimor, por komisioni hetimor duhet të jetë brenda kornizës së mirëpërcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. ”- u përgjigj kryeministri.

Ndërsa lidhur me Reformën Zgjedhore, kreu i ekzekutivit e bëri të qartë se nëse nuk ka dakordësi me opozitën për ndryshime, atëherë do të shkohet në zgjedhjet parlamentare me Kodin Zgjedhor aktual.

“Kanë kaluar disa muaj qëkurse unë e kam thënë dhe e kam përsëritur që, përsa i përket komisionit për reformën zgjedhore, është një praktikë, e cila ka dalë nga konteksti i kohës në të cilën jetojmë dhe me mbarimin e afatit, të paktën ne, PS, ato ato gjëra, të cilat do të donim t’i adresonim përmes një komisioni të reformës zgjedhore për ligjin zgjedhor, do t’ia lëmë në tryezë Kuvendit dhe nëse do ketë të tjerë që do të duan të lënë propozimet e tyre, do t’i lënë sepse është e drejtë e tyre. Pastaj nëse do të ketë vota, do të ketë vota, nëse s’do të ketë vota, do të ketë zgjedhje me ligjin ekzistues sepse janë plotësisht të mundura të bëhen. Kaq e thjeshtë është kjo"- theksoi Rama.  

Ai nënvizoi edhe domosdoshmërinë e një Reforme të re Territoriale që ka në thelb një numër më të ulët bashkish, por shtoi se mbetet në plan të dytë përsa kohë nuk ka dakordësi të opozitës. 

Në kuadër të diskutimeve që pati me kryebashkiakët dhe ministrat e kabinetit qeveritar, Rama bëri me dije se ka projekte të shumta infrastrukturore që do të zbatohen në vijim dhe se i gjithë vendi nga veri në jug, do të kthehet në një ‘kantier të madh’ përsa i përket rikonstruktimit dhe ndërtimit të rrugëve kryesore.

Kryeministri tha se çdo muaj do të ketë nëntryeza të tilla me kryebashkiakët, ndërsa konferencën për mediat e përmbylli me frazën në anglisht “Shkodra will be great again” ku nënvizoi se për kryeqendrën e veriut qeveria do të ketë një vëmendje të veçantë për ta kthyer në një atraksion për turistët duke dhënë edhe lajmin se do të hapet një konkurs ndërkombëtar për rilindjen e hotel 'Rozafës'. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:20
‘Shkodra will be great again’, Rama: Konkurs ndërkombëtar për të rilindur hotel 'Rozafën'

 

Kryeministri Edi Rama teksa renditi disa prej projekteve kryesore që pritet të zbatohen në Shkodër, dha lajmin se po përgatitet një konkurs ndërkombëtar për rilindjen totale të hotel ‘Rozafës’.

“Po përgatisim një konkurs ndërkombëtar për të rilindur komplet hotel Rozafën. Aty do bëjmë një zhvillim që do krijojmë një ikonë të re që do jetë pikë referimi për Shkodrën e të nesërmes.

Vetëm kohë dhe durim, të tjerat do i bëjmë të gjitha siç i kemi thënë. Shkodra ëill be great again”- e mbylli kryeministri fjalën e tij.

Ora 18:01
Ligji për Zonat e Mbrojtura, Rama: Sjell më shumë turistë dhe të ardhura! Askush s’na jep dot leksione për qasjen ndaj mjedisit

 

Për ligjin e Zonave të Mbrojtura që u miratua në Kuvend më 22 shkurt, kryeministri Edi Rama u shpreh se synohet që rritja e numrit të turistëve të konvertohet edhe në rritje të të ardhurave.

Sa i takon akuzave nga opozita se me këtë ligj preken zonat e Mbrojtura dhe përfitojnë njerëz të afërt të Ramës, kreu i qeverisë tha se askush nuk mund t’i japë leksione PS për atë çfarë është bërë në 10 vite për rikthimin në jetë të monumenteve të trashëgimisë kulturore.

“Temë që e kam shumë për zemër dhe që më bën të qesh shumë sepse çfarë është bërë në Shqipëri në këto 10 vite për të rikthyer në jetë monumentet e trashëgimisë kulturore, bën që unë të them se askush nuk ka gojë të na japë ne leksione për çështjen e qasjes ndaj mjedisit apo trashëgimisë kulturore.

Ne kemi vënë në mbrojte zona të tëra. Jemi para një sfide që është sfida e shekullit që është çfarë presim ne nga turizmi. Numri i madh i turistëve dhe kjo rritje marramendëse është shumë e mirë por shumë e rrezikshme, këtë e tregon historia e shumë vendeve që kanë kaluar nëpër këto faza. Nuk duhet synuar vetëm rritja e numrave por edhe rritja e të ardhurave nga ajo që sjell çdo turist”- u shpreh kryeministri.

Ora 17:47
Emigracioni, Rama: Kemi hyrë në një fazë ku shqiptarët që do ikin, do jenë më pak sesa ata që kthehen

 

“Kemi hyrë në një fazë ku do shohim se shqiptarët që do ikin, do jenë më pak sesa ata që kthehen”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama teksa foli për çështjen e emigracionit të shqiptarëve. Ai tha se qeveria po bën përpjekje që të krijohen kushtet që personat që e kanë dëshirën të jetojnë këtu, të mund të jetojnë, por theksoi se problemi i emigracionit nuk është vetëm çështje e qeverisë.

“Me shqiptarët që ikin duhet të mësohemi sepse është botë e hapur, nuk jemi më në bunkier. Shqiptarët janë qenie kurajoze, dinamike që duan të shohin lart e më lart. Këto duhet të na bëjnë të kuptojmë se nuk është cështje qeverie, si do i ndalojmë ne të ikim. Ne nuk jemi këtu të ndalojmë njerëz të ikin por jemi për të krijuar kushte që kush dëshiron të rrijë të mund të rrijë, kurse dikush që do të krijojë jetën diku tjetër si mund ta ndalojmë të ikë”- tha Rama.

Ora 17:39
Reformë e re territoriale? Edi Rama: Shqipërisë i duhen më pak bashki, por kjo kërkon konsensus

 

Në konferencë për median pyetur nëse do të ketë shumë shpejt një reformë të re territoriale, kryeministri Edi Rama tha se ai është i mendimit që duhen më pak bashki, por kjo është në plan të dytë, për sa kohë synohet edhe dakordësia e palës tjetër.

“Reforma territoriale do më pak bashki, por kjo kërkon konsensus me një pjesë të pakicës, por ky është një debat vetëm harxhim kohe. Është e sigurt se nëse bashki të caktuara nëse bashkohen me një tjetër, mund të prodhojnë më shumë ekonomi, rezultat. Për shërbimet janë të qarta sesi do të jetë e ardhmja e tyre. Shqipërisë i duhen më pak bashki dhe më shumë kualitet në administrimin vendor”, tha Rama.

Ora 17:32
Ura që lidh Velipojën me Ulqinin, Rama: Kemi ngritur një grup pune me Malin e Zi, presim të nisë ndërtimi

 

Kryeministri Edi Rama i pyetur për tarifën që paguajnë shqiptarët që udhëtojnë drejt Malit të Zi, tha se një gjë e tillë është thjesht çështje burokracie dhe se ka diskutuar me kryeministrin aktual për ta hequr. Ndërsa për projektin për Urën mbi lumin e Bunës që u miratua 2 ditë më parë në kuvendin malazez, tha se pritet që të nisë procesi i ndërtimit.

“Është e vërtetë që e kemi diskutuar me Dritanin dhe e kam diskutuar edhe me kryeministrin e ri. I kam thënë të lutem duhet të heqësh tarifën që paguajnë qytetarët tanë kur vijnë andej gjë që nuk e paguajnë malazezët kur vijnë këtej.

Ndërsa ura mbi Bunë është një ide e Dritanit, që unë e kam përqafuar menjëherë dhe është projekt i joni. Kemi ngritur një grup pune të përbashkët me qeverinë e Malit të Zi. Tani duhet ta fusim në proces dhe të fillojmë ta ndërtojmë”- u shpreh Rama.

Ora 17:29
Kryebashkiakët e Berishës? Rama: S'mu dukën të djathtë! Zbulon cili kryetar bashkie u ankua për diskriminim nga qeveria

 

Rama zbulon se kush është kryetari i bashkisë që u ankua për diskriminim në takimin në Shkodër. Ai ishte Ilir Xhakolli.

Në takim kryetari i bashkisë së Pogradecit u ankua për diskriminim. Një nga kryetarët më punëtorë,më operativ e efikas. Ai pati një kritikë në adresë të një ministrie për diskriminim.

Rama foli dhe për kryebashkiakët e djathtë.

Unë kam qenë kryetar bashkie vetë dhe një smund të jetë i tillë nëse nuk ankohet pse nuk marrim më shumë. Dikush tjetër mund të thotë që ne meritojmë më shumë por e vërteta është se ne nuk kemi arsye t’i shikojmë kryetarët e bashkive, ju thoni të djathtë por mua s’më duken të tillë fare por bëjnë punën e tyre. Nuk e vënë karrocën para kalit, por vënë kalin para karrocës. Sa kohë e bëjnë këtë, bëjnë gjënë e duhur për komunitetin e tyre. Bindjet e tyre janë të tyret, e ne do të bëjmë çmos që ti afrojmë dhe bindjet nuk diskutohet.

Ora 17:22
Grantet për bashkitë, 20% më shumë kush ka performancë të mirë në mbledhjen e të ardhurave

Si do të bëhet shpërndarja e granteve?

“20% e grantit në 2025 do të fokusohet si grant performance që do të fokusohet tek mënyra si bashkitë ia dalin për të mbledhur të ardhurat e tyre. Nëse performojnë mirë ne do i japim dhe një mbështetje tjetër përmes grantit. Nuk lidhet fare me bashkitë të majtë apo të djathtë por tregues praktik transparencës” deklaroi ministri Arbjan Mazniku

Ora 17:17
Projektet infrastrukturore, Rama: Kantier ndërtimi nga veriu në jug! Rruga Thumanë-Kashar, e kalueshme në 30 qershor

 

Kryeministri Edi Rama ka renditur disa prej projekteve infrastrukturore, puna për të cilët do të nisë nga veriu në jug të vendit. Kreu i qeverisë tha se qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes rrugëve me pagesë dhe atyre pa pagesë.

Ai zbuloi mes të tjerash se aksi Thumanë-Kashar do të jetë i kalushëm në 30 qershor duke bërë që të ketë një lehtësim të fluksit të mjeteve që lëvizin në kulmin e sezonit turistik.

“Kemi gati një numër segmentesh që janë mbi dhe nën Thumanë-Kashar që besojmë se në 30 qërshor do të bëhet i kalueshëm. Për t’ju dhënë një shembull të thjeshtë kini parasysh që projektet e infrastrukturës marrin një kohë shumë të gjatë në vende shumë më të zhvilluara sesa ne. Në rastin konkret kemi pasur nevojë për disa korrigjime të natyrës juridike në kontrata.

Është gjithçka gati, do kemi një kantier total që do hapet nga veriu deri në jug. Segmenti i fundit që është në fazë projekti, është segmenti nga Shkodra që lidhet poshtë me të gjithë segmentet e tjera që janë Milot-Balldren, pastaj Thumana, Kashari, pastaj Fieri dhe pastaj lidhet me Vlorën. E gjithë kjo do jetë një rrugë e re, do ketë 2 alternativa. Atlernativa me pagesë dhe pa pagesë. Hapja e Thumanë-Kashar do të lehtësojë shumë në këtë sezon”- tha Rama.

Më tej Rama tha se pritet projekti për të hapur kantierin e rrugës që shkon deri në Murriqan.

“Jam optimist që kantierët do jenë të gjitha të hapura. Presim vetëm projektin për të hapur kantierin që shkon deri në Murriqan.  Kemi marrë dritën jeshile për financimin e hekurudhës deri në Hanin e Hotit. Po bëjmë studimin e variantit që na lidh me Prishtinën duke kaluar nga Shkodra përmes Gjakovës.

Shëngjin Velipojë është në kantier dhe ka pasur një segment 300 metra që ka qenë shumë i vështirë nga ana gjeologjike por është hapur dhe tani puna vazhdon me ritëm të mirë. Rruga e Dukagjinit, është në kantier dhe vazhdon punohet”- tha kryeministri duke renditur disa prej projekteve më të rëndësishme infrastukturore.

Ora 17:14
A ka negociata me opozitën për uljen e tensioneve? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama pas takimit me kryetarët e bashkive, në konferencë për mediat, ku u pyet nëse ka pasur negociata me opozitën për normalizimin e jetës parlamentare.

A ka marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për normalizimin e jetës parlamentare. Pjesëmarrja e 6 kryebashkiakëve të opozitës a është qasje e ndryshuar nga ju për bashkëpunimin me non-gratën?

Nuk arrij ta kuptoj nëse ata të cilët komentojnë marrëveshje për ngritjen e disa komisioneve hetimore bëjnë sikur nuk kuptojnë apo nuk kuptojnë sepse ne e kemi thënë shumë kohë më parë dhe është e njëjta gjë që përsëris. Ne nuk kemi refuzuar dhe nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore. Ne kemi refuzuar të votojmë iniciativa që në emrin e komisioni hetimor shkelnin kornizën e mire përcaktuar nga vendimet e GJK.

E kemi thënë dhe e përsëris prapë, kjo nuk është çështje negociatash, por të drejtash. Opozita apo opozitat kanë të drejtë të ngrenë një komision, por duhet të jetë brenda kornizës së mire përcaktuar nga vendimet e GJK.

Ora 17:01
Dënimi me 2 vite burg i Belerit, Rama për reagimet e Greqisë: Cingërrisëse zërat në gjuhë të huaj që komentojnë vendimet e gjykatave shqiptare

 

Kryeministri Edi Rama ka folur për vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme për kryebashkiakun e Himarës Fredi Belerin të cilin e dënoi me 2 vite burg për blerjen e votave në 12 maj, 2 ditë para zgjedhjeve lokale.

Duke komentuar për reagimet e Greqisë, Rama tha se drejtësia shqiptare duhej të ishte lënë e qetë në procesin e vendimmarrjes për një ngjarje që ka ndodhur brenda territorit të vendit tonë.

“Do kishte qenë fort e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë siç e kemi lënë ne të qetë për cështjet brenda nga cilido jashtë Shqipërisë. Sepse është drejtësia shqiptare që vendos për çdo çështje brenda territorit. Zotëria është shtetas i Shqipërisë. Për ne që nuk komentojmë veprime tingëllon cingërrisëse që dëgjojmë zëra që komentojnë në gjuhë të huaj vendime të gjykatave të Shqipërisë”- tha Rama

Sa i takon mundësisë që të organizohen zgjedhje të tjera në Himarë për një kryebashkiak të ri, Rama tha se duhej pritur vendimi i Apelit të GJKKO-së për diçka të tillë dhe sqaroi se njoftimin për diçka të tillë e bën presidenti.

“E dini shumë mirë këtë çështje, e dini pse nuk kemi pasur zgjedhje. Ka qenë thjesht dhe vetëm një qasje e vullnetit të mirë nga ana e Shqipërisë, do presim vendimin e apelit dhe pastaj do veprohet. Por iu kujtoj se zgjedhjet e reja i shpall presidenti dhe jo kryeministri. Është një proces që do ndjekë gjithë procedurën sipas ligjit”- shtoi kryeministri.

Ora 16:59
Reforma Zgjedhore, Rama: Komisioni ka dalë nga kontesti i kohës! Nëse s'ka vota zgjedhjet i bëjmë me ligjin ekzistues

A ka marrëveshjes mes maxhorancës e opozitës për ti kthyer normalitetin parlamentit duke plotësuar kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore

"Ne nuk kemi refuzuar e nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore. Refuzuam të votojmë iniciativa që në emrin e komisionit hetimor shkelnin kornizën e mirëpërcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kanë kaluar disa muaj sa i takon reformës së komisionet zgjedhore është një praktikë që ka dalë nga kontesti i kohës që jetojmë dhe me mbarimin e afatit për ata gjëra që do të donim ti adresonim përmes një komisioni do ia lëmë në tryezë kuvendit. Nëse do të ketë të tjerë që do të duan të lënë porositë e tyre ti lënë. Nëse nuk ka vota do të bëjmë zgjedhje me ligjin ekzistues. Kaq e thjeshtë është "   

Ora 16:51
Rama: Sistem i ri pagash për të gjithë punonjësit e bashkive të vendit! Lehtësohet barra e punësimit të specialistëve

 

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes që pati me kryebashkiakët dhe ministrat në Shkodër tha se do të ketë një riorganizim të bashkive sa i takon pagave të punonjësve. Kreu i qeverisë tha se do të ketë vetëm 2 nivele nga 5 që kanë qenë përsa i takon pagave, duke theksuar se kjo do të bëjë që bashkitë të kenë mundësi të punësojnë specialistë me paga të konsiderueshme.

“Kemi domosdoshmërinë e rivlerësimit të nivelit të pagave të bashkive sepse sot bashkitë e Shqipërisë janë të ndara në 5 nivele duke u bazuar tek numri i banorëve. Do të kalojmë në 2 nivele dhe do bëjmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me ato të nivelit të parë. Në mënyrë që ajo që sot po e përjetojnë një pjesë e bashkive që nuk arrijnë dot të punësojnë specialistë në fusha të caktuara për shkak të pagës së ulët dhe pozicionit të tyre gjeografik, kjo barrë të lehtësohet në mënyrë të arsyeshme”- tha Rama.

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 10/03/2024 08:35

    Shqiptarët që do ikin do jenë më pak se ata që kthehen. Kjo do të ndodhë kur të jetë zbrazur Shqipëria njëherë, atëherë do ketë kthime më shumë se ikje.

    Përgjigju
  • Iris: 10/03/2024 02:05

    Kur fillon e thua qe askush nuk mund te te jape leksione per ate cfare ke bere ne 10 vjet per te kthyer ne jete monumentet e trashegimise kulturore e mjedisit,do te thote qe ka filluar te te hyje vetja ne qejf dhe kjo eshte dicka teper e rrezikshme.Dhe se dyti,kur insiston per reformen territoriale,qe behet per vota,per te njejten arsye qe ne U.S. bejne /Gerry Mandering/,pse nuk ke te njejtin insistim dhe per voten e emigranteve??!!

    Përgjigju
  • Or tej: 09/03/2024 23:31

    Ka rregulla kooperativa or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Meri: 09/03/2024 22:18

    Shqipëtarët ikin sepse nuk ka drejtësi,shëndetësi,arsim,qetësi publike,dhe po mbyten nga korrupsioni i pushtetarëve.Shqipēria është kthyer në nji han pa porta,ku ligjin e bējnë rrugeçt,e veshur me kostum e kollare.

    Përgjigju
  • Fair play: 09/03/2024 20:42

    Tokat edhe pronat në Dhërmi e Himarë t'i kthehen Pronarëve e Trashëgimtarëve..,jo Kooperativistëve me ligjin nonSens 7501,apo Ortakëve Oligarkët të Qeverisë?!

    Përgjigju
    • Tafil: 09/03/2024 22:15

      Fair play!ligjin 7501 ta gëzoni se është dhuratë për Shqiptarët nga miku ytë non grata, dhe ta duash fort dhe ja pavsh hairin, që ja pan shqiptarët për 33 vjet.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Presidenti Begaj mirëpret fëmijët shqiptaro- amerikanë: Ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat

Dita e Pavarësisë, Presidenti Begaj mirëpret fëmijët shqiptaro- amerikanë: Ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat