Rama: Në shtator nis lufta ndaj 
korrupsionit me zemër mjekësinë

Rama: Në shtator nis lufta ndaj <br />korrupsionit me zemër mjekësinë
TIRANE - “Lufta ndaj korrupsionit që do të nisë në shtator do të jetë e panjohur më parë dhe në zemër do të ketë shëndetësinë.” Është kjo deklarata që ka bërë Kryeministri Edi Rama gjatë analizës së punës së bërë nga Ministria e Shëndetësisë në 300 ditët e para të qeverisë.
 
Rama e cilësoi të patolerueshme që në një vend të zemër të Europës dhe me status kandidati në BE, të pluskojë llumi i korrupsionit. Kryeministri nënvizoi se goditja ndaj këtij fenomeni do të jetë e fortë dhe me tolerancë zero.
 
“Viti i dytë i mandatit tonë do të karakterizohet nga një luftë e panjohur më parë kundër korrupsionit, kundër të gjitha niveleve e klaneve, duke besuar se kjo luftë është transformim i sistemit. Fushata që do të nisë në shtator do të ketë në zemër edhe luftën ndaj korrupsionit në mjekësi. Toleranca do të jetë zero dhe goditja do të jetë e vazhdueshme që nga drejtorët e spitaleve. Është e patolerueshme që Shqipëria në mes të Europës kandidat për në BE ku të gjitha arteriet e shëndetësisë pluskon llumi i korrupsionit. Kjo është një çështje përgjegjësie që duhet ta ketë gjithsecili.” theksoi Rama 

Kryeministri i Shqipërisë tha se lufta ndaj korrupsionit në sistemin shëndetësor është sfida e rradhës e qeverisë, që siç theksoi ai klientelizmin dhe korrupsionin e ka patologji. Rama shprehu bindjen se qeveria që ai drejton do të arrijë të fitojë këtë sfidë, pa parë në sy askënd.  
 
“Jemi përballë një sfide që do ta fitojmë pa parë askënd në sy, në kuptimin pa u tërhequr para askujt. Sfidën e kemi me një sistem që e ka korrupsionin dhe klientelizmin patologji. Ende sot një numër i madh njerëzish në nevojë mbeten viktimë e recetave qëllimisht më të shtrenjta, dhe adresa të farmacive të imponuara nga mjekë që janë përpara nga një zgjedhje shumë e qartë. Ose të heqin dorë nga kjo praktikë ose minimalisht do të largohen. Dhe hetimi i ministrisë do të përfundojë me emra konkretë kushdo qofshin dhe do të largohen nga puna si të padenjë dhe si pjesë e atij problemi që ne duam të zgjidhim. Ne besojmë se mjekët dhe gjithë trupa janë partnerë në realizimin e objektivit të përbashkët, por nuk jemi këtu për të përkëdhelur askënd.” U shpreh kryeministri Edi Rama 

Kryeministri tha më tej se "rilindja e shëndetësisë është një nga pjesët më të vështira, kërkon një bashkim forcash e idesh dhe një solidaritet më të madh kundër atyre që nuk kanë frena përballë babëzisë dhe epshit të korrupsionit që për fat të keq e sheh shëndetësinë si pjesën më vulnerabël". 

Lufta ndaj korrupsionit e paralajmëruar nga Kryeministri Rama që do të nisë në shtator, krahas sistemit të drejtësisë, tashmë ka vënë në fokus edhe sistemin shëndetësor, ku të dy këto hallka të shërbimit publik janë akuzuar për implikim të veprave të korrupsionit nga opinioni publik. 

edi rama

"Shërbimi falas do të vijë por kërkohet një revolucion i sistemit"
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama u ndal edhe tek premtimi elektoral i mazhorancës për një shërbim shëndetësor falas, ku ripërsëriti qëndrimin se ky zotim do të mbahet por se sipas tij kërkon akoma shumë punë.
 
Ai tha se hapat për realizimin e këtij premtimi janë hedhur nga qeveria në këto 300 ditët e para, ndërsa shtoi se për ta arritur kërkohet një revolucion që nga edukimi e deri tek financat e teknologjia.
 
Sipas kryeministrit ky nuk është një premtim elektoral por një nismë botërore për të sjellë barazi në trajtimin shëndetësor të qytetarëve.
 
“Kam dëgjuar një nga akuzat që na bëhet është shërbimi falas, a thua është një realitet sa hap e mbyll sytë dhe jo një përmbysje të një sistemi nga themeli i provuar prej vitesh se nuk funksionon. Ky është një zotim që do ta mbajmë në kohën e nevojshme për ta kryer këtë revolucion dhe sot në paraqitjen e drejtuesve të sektorit, ishte e qartë se hapat drejt këtij qëllimi madhor kanë filluar të hidhen dhe se 300 ditë pune intensive nuk e kanë transformuar rrënjësisht shëndetësinë se do të kërkonte një fuqi madhore që ne nuk e kemi por kanë shënuar disa piketa të një kthese që po merret. Dua ta theksoj se shërbimi falas nuk është asnjë aluçinacion ideologjik apo elektoral, dhe as një prirje e izoluar, por një tendencë botërore, sepse siç thekson presidenti i Bankës Botërore, nuk është një kërkesë për shëndetësi më të mirë por kusht për barazi, jo përpara një malli por një nevoje që një shtet i përgjegjshëm e plotëson në mënyrë të barabartë ka apo jo lekë. Dhe për të arritur në këtë prioritet ambicioz duhet të kalojmë një zinxhir që lidhen me të që janë nga edukimi deri tek financat dhe teknologjia e informacionit.” tha Rama

edi rama

"Për të mbërritur tek shërbimi falas, duhet edukim fizik"
Duke folur për revolucionin që pritet t’i nënshtrohet shërbimi shëndetësor, Rama u ndal tek edukimi, dhe më konkretisht tek ai fizik, ku tha se në shtator do të rinisin aktivitetet sportive nëpër shkolla. Ai nënvizoi se për të mbërritur tek sistemi shëndetësor falas, vetë qytetarët duhet të kursejnë për shëndetin e tyre duke ushtruar aktivitet sportiv.
 
“Shërbimi shëndetësor është fundi, fillimi është edukimi fizik i popullatës. Kemi arritur në pesha të papranueshme si komb që janë pararoja që na çojnë drejt spitalit. Nuk shpikim asgjë por janë raportet e ndërkombëtarëve që nuk shpenzojnë kot në sport sepse 1 euro është baraz me 3.7 euro në shëndetësi. Që nga shtatori sporti do të rikthehet në shkolla për të pasur një gjeneratë më të shëndetshme dhe për të pasur mundësi për ta financuar shërbimin falas. Ky shërbim falas do të jetë për ata që ka, sepse falas nuk  është se e paguan shteti dhe shteti dihet se ku i marrin  fondet. Dhe për këtë arsye jo vetëm do të investojmë për sportin në shkollër, për të rritur vetëdijen se sporti është një pararojë e një shëndeti më të mirë dhe për të bërë realitet nismën që kemi marrë.” tha Kryeministri

Rama risolli në vëmendje edhe procesin e dezinsektimit të ndërmarrë nga qeveria duke shtuar se "vitin e ardhshëm do të jemi më të gatshëm për tju përgatitiur këtij aspekti". 

edi rama

"Në 300 ditë hoqëm taksën e barnave, buxheti për shëndetësinë më i larti në 10 vite"
Edi Rama në fjalën e tij u ndal edhe tek arritjet e Ministrisë së Shëndetësisë në këto 300 ditë, ku vuri në dukje se edhe pse qeveria që ai drejton e gjeti vendin në një krizë financiare, sërish buxheti i shtetit për shëndetësinë këtë vit ishte më i larti në 10 vitet e fundit.
 
Rama tha se pjesë e ndryshimeve që solli qeveria në këtë vit të parë qeverisës është edhe heqja e taskës së barnave, ashtu siç ishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore.
 
“Ajo që më inkurajon është se kemi vendosur disa piketa në drejtimin e duhur, dhe kemi nisur një rrugë të re, por që kërkon nga njëra anë një vizion që e kemi, një sens të përgjegjësisë që e kemi, dhe një vullnet të palëkundur përballë pengesave që e kemi. Kemi buxhetin e parë të qeverisë, të ndërtuar në kushtet e një krize dhe kaosi financiar që trashëguam, megjithatë kemi buxhetin më të lartë se 10 vitet më të fundit. Të bësh këtë kalim nuk është një fjalë goje por një kontroll të bazës së dhënave që kemi dhe kjo do të prodhojë një të mirë që nuk e kemi prej vitesh, dhe vendosja e një gur themeli për gjendje shëndetësore të shoqërisë sonë. Kemi 10 paketa a pagesë të financuara 100% nga qeveria që ka nisur të zbatohet si në spitalet shtetërore ashtu edhe private. Premtuam se do ta hiqnim atë që për ne ishte taksa e sëmundjes, tvsh e barnave dhe e hoqëm dhe ndryshe nga paraardhësit solli ulje të çmimit, dhe në rrugën e uljes së çmimeve kemi arritur të rrisim listën e barnave të rimbursueshme.” shtoi Kryeministri Edi Rama

edi rama

"Trajtimi në spitale, solidaritet dhe patriotizëm"
Ndër të tjera Rama tha se qeveria që ai drejton e gjeti vendin me mungesë ilaçesh duke shtuar se gjatë mazhorancës së majtë është rritur me 15% fondi i barnave. Kryeministri nënvizoi se trajtimi në shëndetësi nuk është vetëm solidaritet por edhe shprehje e patriotizmit.
 
“Ne kemi rritur 15% fondin e barnave dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë ndodhi dhe se ku e gjetëm ne situatën pas inercisë së papërgjegjshmërisë deri kur morëm detyrën, ku mungonin ilaçet dhe nuk ishte marrë asnjë masë si për të na lënë në dorë një bombë që pritej të shpërthente dhe për të nxjerrë jashtë loje gjithë sistemin. Dhe ne arritëm për të plotësuar nevojat e njerëzve për ilaçe. Sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë por do ta mbajmë premtimin që këtë spital ta kthejmë në modelin e sistemit shëndetësor.  Për ne trajtimi që njerëzit gjejnë në spital është shumë më tepër se sa thjesht një trajtim mjekësor, por shprehja e nivelit dhe dijes së një shoqërie, dhe solidaritetit të njerëzve që i përkasin njëri tjetrit, madje është shprehja më e qartë e patriotizmit. Nuk ka gjë më të mirë se kur flasim për patriotizëm për flamurin por nuk ka gjë më të shëmtuar kur flasim për patriotizmin e gjakut kur nuk dhurojmë as gjak.”

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024