TIRANË, 21 Nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë konferencës për publikimin e hartës së prodhimeve bujqësore se, "deri në tremujorin e dytë të këtij viti kemi rritje prej 26 % të eksporteve".
"Rezultatet e këtij viti të parë flasin qartë që jemi në rrugën e duhur, jo që kemi arritur aty ku duam, por që jemi në rrugën e duhur", tha Rama.
Deri në tremujorin e dytë të këtij viti, theksoi Kryeministri Rama, "kemi rritje prej 26 % të eksporteve. Kjo është shifër shumë inkurajuaese, që më shumë sesa për rezultatin në vetevete, flet për potencialin e madh që ka ky sektor për nxjerrjen e fshatit nga varfëria".
Rama u shpreh se qeveria është gjithashtu e vetëdijshme për problematikat e ketij sektori si, mungesa e tokës bujqësore apo kapitali njerëzor.
"Jemi gjithashtu të vetëdijshëm për mungesën e tokës bujqësore, për specifikimin në territor të kapitalit njerezor apo prodhimin. Prandaj e konsideroj këtë moment të shpalljes më në fund të kësaj harte të relaizmit të prodhimit bujqësor si një moment realizimi të funksionit të qeverisë në raport me fermën dhe individin. Dhe si një dukuri të qartë të fermës për kapacitetet mbështetëse që ferma dhe individi mund të përfitojnë duke iu drejtuar qeverisë", tha Rama.
Kjo hartë, theksoi kryeministri Rama, "vendos një marrëdhënie shumë transparente mes qytetarit dhe qeverisë, ku synohet transformimi rajon për rajon".
"Nëse i referohemi bujqëisë, në tërësinë e vet dhe e krahasojmë me sektorin në BE, hendeku është shume i madh", tha Rama, duke shtuar se, "bujqësia në BE është fusha e inovacionit të vazhdueshëm. Në vendin tonë fatkeqësisht për vite të tëra ka ndodhur e kundërta".
Kryeministri Rama gjithashtu theksoi se, nuk do të ketë më subvencione masive pa faturë. "Nafta për bujqësinë, plotësisht e subvencionueshme, por me faturë", tha Kryeministri Rama.
Rama u shpreh se, "duhet të kalojmë nga bujqësia e mbijetesës tek e dijes dhe konkurencës".
Rama vlerësoi se është me rëndësi harta e prodhimit të produktit bujqësor, pasi kjo hartë vë piketat ku synohet zhvillimi i prodhimit bujqësor.
Kryeministri Rama gjithashtu u shpreh se qeveria ka rritur buxhetin për bujqësinë
"Sfida jonë është jo vetëm të rrisim buxhetin e bujqësisë", tha Rama , po vijoi ai, "Sfida jonë ta bëjmë sistemin të aftë të thithë çdo qindarkë të buxhetit".
Duke folur për paketën mbështetëse për bujqësinë Rama u shpreh se, "paketë mbështetje për bujqësinë, 13 janë duke u zbatuar, 13 në vitin 2015".












