TIRANË- Nesër do të nisë në Shqipëri vaksinimi i personave të parë anti-COVID! 11 janari i 2021 do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për vendin në rrugën për t'i dhënë fund betejës disa mujore me COVID-19. Informacionin e ka bërë të ditur kreu i qeverisë Edi Rama, teksa e ka e ka cilësuar si një lajm shumë të mirë.

"Lajm i mirë. Nesër nisim vaksinimin anti COVID-19", shkruan Rama.

Nën moton 'Shqipëria buzëqesh", vaksinimi do të realizohet në stadiumin kombëtar 'Air Albania' me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe radhëve të gjata! Në të gjithë ambientin e stadiumit janë vendosur 60 postacione ku do të kryhet vaksina dhe puna do të vijojë për 8-10 orë në ditë. Në total është parashikuar vaksinimi i 60 qytetarëve në orë.

Bluzat e bardha, që janë në vijën e parë të përballjes me COVID do të jenë të parët që do të vaksinohen, për të vijuar më pas me mësuesit, policët dhe moshat madhore mbi 75-vjeç. Zyrtarisht Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza vaksine anti-COVID të Pfizer nga kompania BioNTech, teksa siç ka bërë të ditur më herët Rama, vijojnë bisedimet me Astrazeneca dhe Moderna.

Theksojmë se vaksinimi është falas dhe jo me detyrim.