TIRANË- Kryesocialisti Edi Rama nuk humbi kohë dhe një ditë pas zgjedhjes mblodhi pasditen e sotme (9 shtator 2024) në një takim në selinë rozë Kryesinë e re. Rama ka dhënë porositë për fushatën zgjedhore të 2025-ës. Ai u ka kërkuar anëtarëve të rinj të kryesisë që të nisin përgatitjet për zgjedhjet 2025 dhe të angazhohen në terren.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije për Report Tv dhe Shqiptarja.com se Rama ka dhënë edhe porositë se si do të ndahet puna mes tre drejtuesve politikë të Tiranës, Erion Veliaj, Elisa Spiropali dhe Ogerta Manastirliu.

Burimet thonë se Erion Veliaj do jetë drejtues politik për të gjithë qarkun, ndërkohë që Manastirliu do të merret me organizimin në strukturën e partisë në Bashkinë Tiranë. Sa i takon Spiropalit do merret me strukturën e partisë në bashkitë e tjera të qarkut: Kamëz, Vorë, Rrogozhinë dhe Kavajë.

Kryeministri Rama ka kërkuar angazhim më të madh edhe në takime me diasporën. Veç Taulant Ballës që do të jetë drejtuesi politik për Diasporën, në grupin që do të organizojë punën dhe takimet do të jetë edhe Romina Kuko, anëtare e Kryesisë dhe kryetare e këshillit Bashkiak të Tiranës si dhe Igli Hasani, ministër i Jashtëm dhe Zerina Bruci, sekretare për Diasporën.

Mbledhja me dyer të mbyllura zgjati rreth 1 orë, ndërsa në përfundim të saj Rama nuk preferoi të flasë për mediat, por me batuta uroi ditën e parë të shkollës. Mbledhjes së Kryesisë i parapriu një bashkëbisedim me 108 aplikantët e deritanishëm në platformën 'Deputeti që duam'.

Asamblenë e Partisë Socialiste, e cila u mbajt një ditë më parë (8 shtator), kryesocialisti Edi Rama ju bëri të qartë deputetëve se sigurimi i një vendi në Parlament, nuk do të jetë aspak i lehtë.

Rama tha se në listën e sigurt do të jenë deputetët vetëm me një mandat, dhe të rinjtë. Deputetët me më shumë se një mandat, dhe vetë ai, si kryetar i partisë do të jenë në garë të hapur me të tjerët, ndërsa parashikoi një humbje të thellë të PD-së.

 Kryesia aktuale e PS  
Edi Rama - Kryeministri i vendit, kryetari i PS-se
Niko Peleshi - Kryetari i grupit parlamentar të PS-së
Blendi Klosi - Sekretari i Përgithshëm i PS-së
Të zgjedhur nga Asambleja e PS më 8 shtator 2025 
Lindita Nikolla    
Albana Kociu
Klodiana Spahiu
Anila Denaj 
Etilda Gjonaj
Erjon Braçe
Arben Pëllumbi
Toni Gogu
Eduard Shalsi
Igli Hasani
Sekretariati ekzekutiv i PS 
- Sekretar i Përgjithshëm - Blendi Klosi 
- Sekretari i Organizimit dhe për Zgjedhjet: Damian Gjiknuri
- Sekretare për Diasporën - Zerina Bruci 
- Sekretar për Rininë - Roi Basha  
- Sekretare e Gruas, Evis Kushi
- Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë, Romina Kuko
- Sekretare e Programit, Milva Konomi
Drejtuesit politikë në 12 në qarqe 
Tirana: Erion Veliaj
Durrës: Emirjana Sako
Shkodër Benet Beci
Lezhë: Ulsi Manja
Kukës: Pandeli Majko 
Dibër: Blendi Gonxhe
Elbasan: Arbian Mazniku
Fier: Belinda Balluku
Korçë: Niko Peleshi
Gjirokastër: Mirela Kumbaro
Berat: Ervin Demo
Vlorë: Bledi Cuci
Drejtues politik për Diasporën Taulant Balla 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:30
Përgatitjet për mbledhjen e parë të Kryesisë së re/ Në PS bëhet gati banderola 'Deputeti që duam': Fokusi tek, diaspora, rinia, gratë dhe profesionistët

1725888472_seliaeps.jpeg

Banderola 'Deputeti që duam'

Në Partinë Socialiste po bëhet gati një banderolë e madhe për të prezantuar platformën e re nga ku do të përzgjidhen disa prej kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 2025.

“Deputeti që duam” është platforma që kryeministri Rama ka paralajmëruar që në Kongresin e Partisë Socialiste në fund të korrikut.

Kjo platformë e re do të ketë fokusin tek 4 kategori: diasporën, rininë, gratë dhe profesionistët.

Përgatitjet po bëhen vetëm disa orë para nisjes së mbledhjes për konstituimin e Kryesisë së re të PS, tek selia rozë.