Rama: Nuk jam i rënë nga qielli e pa të meta! S'jam nga soji i politikanëve që gënjen për vota, jam i racës së... (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama në një reflektim fundviti, ka folur gjatë edhe për veten e tij, duke spikatur pjesët e punës por edhe të karakterit të tij, të etiketuar si arrogant. Kreu i qeverisë thotë në video-mesazhin e urimit të fundvitit, se ndjen privilegj që i ësëhtë besuar nga populli detyra e rëndësihme për të udhëhequr vendin drejt së ardhmes, dhe shprehet se fuqinë e gjen pikërisht tek besimi që i është dhënë nga qytetarët. Duke përmendur edhe një shprehje deri diku ironizuese për presidentin Ilir Meta (*Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit por i racës së Avn Rustemit), kryeministri Rama tha se ai është i "racës së politikanëve që në politikë e ka futur ëndrra për ndryshim"

"Dy fjalë për veten time: Unë nuk jam i rënë nga qielli. Nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta. Përkundrazi, kam më shumë se ju, ndoshta edhe sepse jam më i gjatë! Nuk më ka thënë kurrë mendja se jam i pagabueshëm. Përkundrazi, jam më i gabueshëm se sa ju, për shkak të detyrës më duhet të marr shumë më tepër vendime se secili prej jush, pra probabilitetin e gabimit e kam shumë më të madh se çdonjëri nga ju.

Po ama asnjëherë, kurrë, nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm, për të përfituar çfarëdo qoftë, në dëmin e popullit apo të këtij vendi që kam nderin e madh të drejtoj. Kush më njeh më nga afër, kush punon me mua, e di se unë nuk këmbëngul asnjëherë në një opinion a drejtim të gabuar.

I dëgjoj kundër argumentat shumë më tepër se sa duket. Kur janë bindëse tërhiqem. Nuk e kam të vështirë të kërkojë ndjesë, kur kam lënduar dikë apo kam gabuar në vlerësimin e një vendimi - mbase e kujtoni që kam kërkuar edhe ndjesë publike në ndonjë rast të caktuar. Nuk më kujtohet ta ketë bërë ndonjë paraardhësi im, por nuk është ky sidoqoftë metri me të cilin e mas veten dhe as ju kërkoj të më masni me këtë metër. Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam mbajtur në kohë. Ka edhe ndonjë premtim që ende nuk kam arritur t'a mbaj dot. Po ama në asnjë rast të vetëm, nuk kam premtuar diçka duke e ditur që nuk bëhet - për të kaluar radhën apo thjesht për vota, siç mendohet rëndom kur flitet për premtimet e politikanëve. Kurrë!

E para, sepse nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota, po jam i racës së atyre që në politikë i ka futur forca e besimit dhe e ëndrrave për ndryshim. Dhe e dyta, mendojeni edhe vetë pak, kthehuni një sekondë në kohë, pse do të duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë, kur me fuqinë që më ka dhënë Zoti e me forcën politike që udhëheq, kundërshtarët me thënë të drejtën, mund t'i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë! E di që jam i kritikueshëm, duhet ta dini se jam më i pakënaqur se çdokush tjetër me punën time, edhe me qeverinë që drejtoj. Po ama, balta e pafundme për hajdutërira e pisllëqe thjesht nuk më përket.

Përtej shakasë, që është gjysma e të vërtetës, gjysma tjetër e të vërtetës është se unë s'jam i varfër. Por s'kam ëndërruar kurrë të bëhem as i pasur. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa më mjafton për të jetuar. Nuk jetoj për salltanete, po për pasionet e mia. Jeta për mua është mundësia që më është më dhënë, për të lënë gjurmën time përmes dhuntive që më janë falur. Ndërsa këtë detyrë që kam, e jetoj si privilegjin më të madh që mund të ketë njeriu, të udhëheqë popullin e vet në një pjesë të rrugës drejt të ardhmes.

Shumë e shumë prej jush, miq në faqen time sociale, pyesnit gjatë ditëve të emergjencës pas tërmetit, ku e gjen këtë fuqi? Po ja pra, tek ndjesia në çdo qelizë e privilegjit që kam për të qenë i zgjedhuri juaj në detyrën më të lartë dhe pasioni për të bërë të pamundurën, për këdo që mundem, që ky vend të bëhet më i mirë për ju, për fëmijët e mi dhe fëmijët tuaj. Shumëkujt ndër ju i dukem arrogant. Mbase sepse besoj tek bindjet jo tek konsensusi dhe jam shumë këmbëngulës në bindjet e mia. Por mbase edhe sepse kokëfortësia për t'i mbrojtur bindjet a për t'u shkuar gjërave deri në fund, më bën të dukem arrogant. Mbase edhe jam xhanëm, nuk e di, po kjo nuk më bën më pak të ndershëm në kryerjen e detyrës", tha Rama.

Fundvitin nuk e mbylli pa përmendur edhe paketën ligjore "anti-shpifje" prej së cilës mori kritika të shumta nga shoqëria civile, gazetarë e drejtues mediash.

"Unë armik i lirisë së fjalës? Po pse kur ka ndodhur që fjalëtarët e lirë ta kenë mundur fjalën time të lirë? Jo, unë nuk jam armik i fjalës së lirë. Jam po, armik i betuar i injorancës dhe i vulgaritetit, që kanë infektuar edhe burimet e lirisë së shprehjes në këtë vend, duke ju helmuar përditë të gjithëve ju, e familjen time po njësoj, me gjithfarësoj ligësish e monstruozitetesh. E meqë jemi këtu, as nuk kam menduar, as nuk kam kërkuar, as nuk kam mbështetur ndonjë ligj që kufizon lirinë e shprehjes. Kam votuar në parlament, bashkë më forcën time politike, një ligj që u jep mundësi viktimave të shpifjes të mbrohen nga agresioni i portaleve mbi njeriun dhe lexuesve të portaleve të mësojnë të vërtetën e njerëzve të akuzuar padrejtësisht. Asnjë gjëmb në këmbë nuk i fut botuesve, gazetarëve e analistëve ligji kundër shpifjeve e fabrikimeve nëpër portale, thjesht u kujton se liria e tyre nuk është armë për të cënuar publikisht dinjitetin njerëzor të kujt t’iu teket", u shpreh Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Tërmeti i shtetit do bjerë mbi KÇK 26 Nëntori momentum i fillimit të ri! Nuk jam i varfër, s'ëndërroj të bëhem i pasur


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gjermani/ Presidenti gjerman Steinmeier shpërndan Parlamentin, zgjedhjet e reja më 23 shkurt

Gjermani/ Presidenti gjerman Steinmeier shpërndan Parlamentin, zgjedhjet e reja më 23 shkurt