Rama: Nuk kërcënoj se qeveria nuk do të bashkëpunojë me kandidatët e ‘non grata-s'! Nuk e bëjmë dot se e kanë mendjen te sherri, jo projektet

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur të gjithë kandidatëve të opozitës që thonë se janë kërcënuar demokratët që të mos e çojnë votën te rivalët e PS. Nga Tepelena, Rama tha se ata janë vetëm për konflikt e luftë, jo për projekte që i shërbejnë me kandidatët.

“E keni dëgjuar që Edi Rama po kërcënon demokratët që po i dhatë bashkinë, s’ka më bashkëpunim me qeverinë. S’është kërcënim, por e vërteta. Jo se s’duam por është e pamundur. Nuk e kanë mendjen te projektet me ju, por te marrja peng e të bëjmë sherr, konflikt e luftë derisa të fitojë medalja jonë”, tha Rama.

Nga takimi në Tepelenë, Rama premtoi se do të kthehet ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj.

“Tepelena ishte xhep falso në anë të rrugës dhe as nuk mund të imagjinohej që këtu të flitej për turizëm e agroturizëm të ndërtuar me investimet e emigrantëve tepelenas që gjithmonë e më shumë po e kthejnë kokën aty ku kanë të ardhmen e sigurt. Në këtë zonë, nga Memaliaj në Tepelenë do të jetë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj.

Kur shkoja me Tërmetin atje lart e s’kishte këmbë robi, por kur i thamë që do e lidhim Tepelenën me bregun e ta kthejmë në qendër që do lidhë gjitha rrugët për në breg, s’më besuan. Tha njëri mos e premto se kur se bëri ai i madhi...

Ajo Kala që ka hyrë në fazën e dytë të projektit do të jetë një tjetër pikë që do të tërheqë turistë e vende të tjera puna. Kemi hyrë në një kthesë shumë të rëndësishme.

E kanë marrë besimin e Shkodrës verbërisht, symbyllur, është qyteti ku plehrat vazhdojnë, mbushin kazanët 2 e 3 ditë. Bashkinë e Tepelenës as që bëhet fjalë por Memaliajn pse e kërkojnë? Për ta marrë peng? Për të sjellë sherrin e ‘non grata’ dhe ‘Like Floririt’, për të sjellë turpin e për ta kthyer bashkinë në një kështjellë ku futen disa njerëz jo për Memaliajn por për veten e tyre”, tha Rama.

Gjatë pasdites së sotme, Edi Rama ishte në takim me qytetarët në Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë, Dropull e Libohovë, ku dha mesazhet e tij për kandidatët për kryetarë bashkie dhe në fokus kishte turizmin duke thënë se do ta fuqizojnë akoma më shumë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:49
Rama fton në kërcim qytetarët në Tepelenë: Jo labçe se na fillon shiu! Kërcejmë me ‘ta hëngsha zemrën’.

Në përfundim të takimit me qytetarët në Tepelenë, Edi Rama i ftoi për të kërcyer por zgjodhi që të kishin në sfond këngën e fushatës elektorale që ka PS, jo labçe me argumentin se i fillon shiu.

“Me labçe na fillon shiu, do kërcejmë këtë të hëngsha zëmrën”, tha Rama.

Ora 17:04
Rama nga Këlcyra: Ata të zorrës qorre duan vetëm të zaptojnë bashkitë! Po votuat dyshen Berisha-Meta, do rrotulloni në varr gjyshërit që e pësuan politikisht

Kryeministri Edi Rama u ndal për takim me qytetarët në Këlcyrë, ku ka dhënë mesazhe për opozitën dhe dyshes Berisha-Meta që i referohet ndryshe si zorra qorre. Sipas Ramës, qëllimi i tyre është vetëm zaptimi i bashkive. Në përfundim u shpreh se i respekton të djathtët, por nëse votojnë dyshen opozitare më 14 maj, do i rrotullojnë në varr gjyshërit që e pësuan politikisht.

“Çerdhja e fëmijës tënd s’mund të lihet në dorë të askujt që nuk di ta mbajë atë si duhet dhe të shërbejë si duhet. Edhe vëllai të jetë, jo më partia. Nuk e shikon dot me sy PS, punë e madhe fort, nuk e shikon dot me sy Edi Ramën, s’ka problem fare, ndërro stacion e shko te zorra qorre por mos ço votën e mos shko te zorra qorra. Ata sjellin frymën e Sudes dhe s’kanë asnjë respekt për njerëzit, kap çfarë të kapësh, mblidh votat edhe hajt se po e kapin e zaptojnë bashkinë. Këta i shohin bashkitë si Kështjella për t’i marrë peng. Janë njerëz që duan sherr, duan konflikt e t’i kthejnë bashkitë në barrikada.

Tani unë e hoqa apendicitin tim. Apendiciti i Shqipërisë duhet operuar në 14 maj dhe nuk i duhet dhënë asnjë shans dhe kjo s’ka lidhje fare me të majtë e me të djathtë. Unë i respektoj shumë ata që janë të djathtë, kjo zonë ka pasur shumë familje qe kanë qenë të lidhura më parë, por po ju them që të gjithë ata gjyshër që e pësuan politikisht pse ishin të djathtë dhe që sot janë në botën tjetër, do t’i rrotulloni në varr po i dhatë votë atyre që vijnë këtu  për llogari të zorrës qorre se ata nuk përfaqësojnë asnjë lloj të djathte, ata nuk përfaqësojnë asnjë lloj alternative tjetër përveç hallit të madh të dy njerëzve me drejtësinë, të një çifti që është zorra qorre e Shqipërisë.”, tha Rama.

Ora 16:40
VIDEOLAJM/ Rama kërcen me vogëlushen në Dropull: Kur të merr kalamoni përpara

GJIROKASTËR- Këtë fundjavë kryeministri Edi Rama është ndalur në Gjirokastër ku zhvilloi disa takime elektorale, e ku nuk mungoi as kënga e Partisë Socialiste ‘Vetëm Përpara’.

Në një video të postuar në Instagram, Rama shihet teksa kërcen me një vajzë të vogël në Dropull me këngën e fushatës.

Krahas videos, Rama shkruan: “Kur të merr kalamoni përpara”.

Kjo nuk është hera e parë që e shohim kryeministrin duke kërcyer gjatë fushatës. Tashmë ai e ka kthyer në traditë që pas përfundimit të takimit kërcen me të pranishmit nën tingujt e këngës së fushatës.

Ora 15:33
Rama: Bashkitë tona janë më të pastra përveç Shkodrës, verbëria politika është paguar nga komuniteti! Turizmin do e fuqizojmë më shumë

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Dropull ku ka zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat duke thënë se prioritet i qeverisë mbetet turizmi që do të fuqizojë cdo familje.

Ndër të tjera përmendi edhe bashkinë e Shkodrës duke thënë se është i vetmi qytet ku nuk ka shërbimet e duhura për shkak të asaj që i referohet si verbëria politike.

“Sot bashkitë tona janë të pastra përveç Shkodrës ku verbëria politike është paguar nga komuniteti me koston e mospasjes së shërbimeve të duhura. S’dua të vazhdoj me punët e grave në qeverinë tonë por dua të them që në këshillat bashkiak kemi fuqi të barabartë dhe dua t’i falenderoj të gjithë zonjat që janë bërë pjesë e këshillit bashkiak të Dropullit. Një është është e sigurt, që kemi hapur një fazë të re për Shqipërinë, ekonominë, punësimin, turizmin.

Turizimi është industria bazë që do ta fuqizojmë vit pas viti me të gjithë komponentët e vet për të fuqizuar çdo familje që jeton kudoqoftë në Shqipëri. Sot kushdo që hap agroturizëm fiton më shumë se ai që punon në Greqi”, tha Rama.

Ora 12:02
Rama fton demokratët nga Gjirokastra: Kaloni gardhin dhe votoni PS! Libohova ishte e djathtë, bastion i papastërtisë, sot pikë turistike

LIBOHOVË- Kryeministri Edi Rama ka marrë si shembur Bashkinë e Libovës për të treguar se si nga një bastion i djathtë, nën drejtimin e socialistëve, ka marrë një tjetër hov dhe është bërë një pikë turistike me të gjitha shërbimet e domosdoshme. Rama tha bëri krahasimin me Shkodrën duke thënë se ajo ka mbetur një bastion i djathtë, por kur përmendi fjalën bastion e përkufizoi si një vend ku “mbeturinat nuk pastrohen”, ku “mungojnë investimet”. Prandaj, ai bën thirrje qytetarëve që të votojnë për PS në 14 maj, që këto Bashki të tjera të mos i ngjasojnë Shkodrës.

“Libohova bastion i së djathtë ku paratë s’dihet, ku shkojnë ku plehrat rrinë mbi kazanë si në Shkodër sot e gjithë ditën për turpin e dheut.  Libohova na dha mundësinë që ne ta drejtojmë dhe ndryshimi është si nata me ditën

Ishte pikë e fshehur, sot ka akses të ri. Çfarë braktisje përbuzje pati për këtë qytet në vitet e qeverisjes së atyre që nuk duhet të kenë me asnjë shans, jo këtu po askund në Shqipëri. Meritojmë mbështetjen dhe besimin se kemi treguar që dimë tua gjejmë plagëve ilaçin dhe kemi durimin e madh për të këmbëngulur deri në shërbimin e tyre. Më vjen mirë që pas fushatë do mbeten 25 mijë e më shumë pemë të mbjella falë kontributit të PS. Shkodrën e kanë pasur 31 vjet në dorë falë një fanatizmi politik dhe sot Shkodra është më e papastra në botë, turp i botës, ku qeverisim ne s’ka më kazanë mbuluar nga plehrat me ditë të tëra”, tha Rama.

Rama tha se qytetarët do duhet të kapërcejnë bindjen politike dhe t’i japin votën atij që punon, e për kryeministrin Edi Rama, ky njëri është socialist, pasi askush tjetër nuk e bën këtë.

“Është koha e një kapërcimi të gardhit edhe për ata që janë mësuar të qëndrojnë në anë tjetër në emër të ndarjeve PD-PS, ne ata, nuk ka ne ata kur punojmë për të garantuar një qytet apo një fshat më të mirë për shqiptarët, për të pasur gjelbërim, çerdhe shkolla kopshte, që kemi treguar se dimë ti bëjmë si në Europë, shpesh herë si më të mirat në Europë me fondet publike”, tha Rama.

Në fund, shtoi se në qarkun Gjirokastrës nuk e diskutojnë fitoren.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen