Rama: Pa Thaçin, UÇK, Rugovën e Qosen, e sotmja nuk do të ishte e njëjtë për Kosovën (FJALIMI I PLOTE)

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila u bashkëdrejtua nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali. Në seancën e përbashkët plenare morën pjesë dhe mbajtën një fjalë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti,  si dhe kryetarët e grupeve parlamentare të dy Kuvendeve.

 

Fjalimi i plotë i kryeministrit EdI Rama, 20 dhjetor 2024 


Teksa një vit po ikën dhe një tjetër vit i ri po vjen, kanë kaluar pak më shumë se dhjetë vite qysh se pata nderin t’i adresohem kësaj salle nga kjo foltore, si kryeministër i sapozgjedhur i Shqipërisë.

Dhjetë vite janë shumë pak në jetën e një kombi, por janë shumë në jetën e një individi.

E gjithsesi, kjo dekadë, ka qenë vendimtare, për ne, në anën tjetër të bjeshkëve, në Shqipëri. Dhjetë vite të një kthese të madhe, me sakrifica e mundime të mëdha, ku nuk kanë munguar as dhimbjet e fatkeqësive natyrore, që nga përmbytjet e deri edhe një tërmet shkatërrimtar e një pandemi globale. Por kur përjetoj sot, habinë e miqve dhe vizitorëve gjithnjë e më të shumtë të mrekulluar nga transformimi i Shqipërisë në këto vite, them me vete ia kanë vlejtur pa asnjë dyshim të gjitha mundimet, sakrificat dhe gurët e balta, në të përpjetën e reformave, punëve, ndryshimeve të gjithanshme, që po e bëjnë Shqipërinë vendin europian që s’u bë dot për aq shumë e shumë vite, sa kur e mendon se çfarë malesh me kohë janë tretur në mjegullën e historisë sonë, nuk mund të mos rizgjohesh herët çdo mëngjes, për t’u përpjekur të shtosh ende më shumë ritmin dhe shpejtësinë e ngjitjes drejt majës së lartë, aty ku gjendet shtëpia e madhe e Europës së Bashkuar, aty ku fëmijët e Shqipërisë e më pas edhe të Kosovës, nuk do të merren më dot kurrë peng nga e kaluara jonë e përbashkët tragjike.

Përpara pak kohësh erdhi në Tiranë misioni i hulumtimit të NATO-s, për të parë nëse kandidatura jonë për Samitin e vitit 2027 plotësonte kushtet me infrastrukturë dhe logjistikë; një eveniment botëror që mbledh në një vend me mijëra njerëz, ku vetëm për Presidentin e Shteteve të Bashkuara mbërrijnë afro 1000 vetë. Përshtypjet e misionit ishin të jashtëzakonshme dhe thjesht të paimagjinueshme, deri pa u ndërtuar gjithë sa është ndërtuar këto dhjetë vite. Dhe sot ne presim me besim që në Samitin e Hagës vitin e ardhshëm, Shqipëria të shpallet zyrtarisht vendi mikpritës i NATO-s në vitin 2027. 

2027 është edhe viti i objektivit historik, të përcaktuar në planin tonë të përbashkët strategjik me Komisionin Europian, për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE dhe për t’i hapur rrugë procesit dyvjeçar të ratifikimeve në parlamentet e vendeve anëtare, të cilat do të votojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si anëtare me të drejta të plota në vitin 2030. Edhe kjo, një ngjitje e paimagjinueshme drejt majës që deri 10 vjet më parë nuk shihej dot as me dylbi, ndërsa Shqipëria ishte një dele gjysëm e zezë e gjysëm gri, të cilën nuk e merrte seriozisht askush, jashtë kufijve të saj.

Vitin e ardhshëm, në 16 maj, Samiti i Komunitetit Politik Europian do të mbahet në Tiranë, ku do të mikpresim udhëheqësit e 700 milionë banorëve të hapësirës demokratike të kontinentit tonë, nga Londra në Ankara, nga Kievi në Lisbonë e nga Helsinki në Prishtinë e deri në Baku dhe Yerevan. Kështu Shqipëria, do të jetë përsëri, epiqendra e një momenti të rëndësishëm të jetës politike europiane dhe çka më mbush me energji, besim e frymëzim, është fakti se tanimë nuk jemi figurantët e dikurshëm të fotografive e familjare të bashkësisë ndërkombëtare, po jemi anëtarë aktivë e të respektuar të saj, me një rol sa të vetëdijshëm për përmasën e për peshën modeste të vendit tonë në arenën e madhe të politikës europiane, aq edhe të rëndësishëm e përcaktues për rajonin tonë, i cili sot më shumë se asnjëherë tjetër, ka një domethënie të posaçme për Europën e nesërme.

Të nderuar bashkatdhetarë e qytetarë shqiptarë këtej bjeshkëve tona,

Plot njëzet vjet më parë, ne vitin 2004 presidenti gjithnjë e më i pranishëm me mungesën e tij në jetën politike të shqiptarëve, Ibrahim Rugova, tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se, citoj,

"Objektivat e përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë janë integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës e të botës dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane."

Këto fjalë kaq të thjeshta në dukje janë gjithçka që në fakt na duhet dhe na mjafton, për të mos e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit përfundimtar me familjen e madhe europiane të të dy shteteve tona, si edhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses, vetëm si trimi i mirë me shokë shumë.

Por ndërkohë që Shqipëria ecën tanimë me hapa të shpejtë e të pandalshëm në udhëtimin e saj për t’u bashkuar me Europën, mendoni se sa më krenar do t’i bënim të gjithë shqiptarët anembanë, se çfarë vlere ende më të madhe do t’i jepnim emrit të shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë, kudo ku shqiptarët jetojnë, sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën;  sikur edhe Kosova të shkëlqente njësoj ndërkombëtarisht duke e hedhur vallen e kësaj kohe të re të shqiptarëve, në një ritëm me pagëzuesit e lirisë dhe bekuesit e pavarësisë së saj; sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku, në krye të vendit, si një shëmbëlltyre dinamike e mishërim i vlerave europiane në këtë rajon ku mos e harroni kurrë jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e perëndimit

Dëshira ime e zjarrtë e patregueshme dot me fjalë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian kurse tjetri në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian të cilat, meqë ra fjala, sot janë një absurditet absolut dhe së bashku me presidenten në Samitin me Bashkimin Europian dy ditë më parë, kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e Bashkimit Europian që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave të mos digjen, por ne duhet të jemi dorë për dore, paqedashës dhe paqeruajtës për të bindur dora-dorës edhe skeptikët më të mëdhenj në Bashkimin Europian për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës, si shtet sovran, dhe në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut europian të normalizimit duhet ti bjerë e gjitha vetëm Serbisë, po kurrësesi, nuk duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram ti bjerë Kosovës.  Ne duam që Republika e Kosovës të njihet një orë e më parë nga të gjitha ato vende europiane, që sot e gjithë ditën ngurrojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga vetë Serbia, të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 25 vjet më parë dhe s’ka më asnjë arsye për ta lidhur me të, në asnjë formë e mënyrë, fatin europian të saj.

Ne duam ta ndihmojmë me të gjitha sa kemi në dorë Kosovën në arritjen e objektivit historik aq thjesht e bukur të përcaktuar nga Ibrahim Rugova. Por mundësitë tona as mund të krahasohen me mundësitë e miqve dhe aleatëve tanë strategjikë dhe pezmatimi i tyre me Kosovën, na pengon të bëjmë sa do të donim e do të mundnim të bënim, në këtë kohë kur të gjitha yjet janë rreshtuar në favor të shqiptarëve, të shansit tonë historik si komb shqiptar për t’u bashkuar përmes dy shteteve tona me Europën.

Më ndjeni ta përsëris sot këtu, porosinë e mikut më të madh të Kosovës, të cilit i është ngritur për së gjalli edhe një monument në mes të Prishtinë, Presidentit Bill Clinton, që më kërkoi t’ju them të gjithë miqve në Kosovë, se koha nuk e sjell shansin historik përgjithmonë, po e sjell që të mos e humbasim dhe ta kthejmë në një arritje historike përsa kohë e kemi atë në dorë.

Unë nuk kam asnjë dyshim se qytetarët dhe forcat politike të këtij shteti ende të ri, por mjaftueshëm të kalitur në rrugën e lirisë dhe pavarësisë së vet, me talente që mahnisin botën e me një fuqi të brendshme të jashtëzakonshme, mund ta shndërrojnë atë hartën e verdhë në flamurin blu të Republikës së Kosovës në një yll të ri në flamurin e Europës së Bashkuar, duke bërë të njëjtën gjë që ne po bëjmë me sukses të pamohueshëm për Shqipërinë, pasi i kthyem edhe më skeptikët më kokëfortë të deridjeshëm në mbështetës të besueshëm të ngjitjes sonë drejt majës së objektivit historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian,

Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim tanimë të konsoliduar në këtë rrugëtim ku ç’nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe me aleatët e me jodashamirësit tanë, se në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik, Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Europian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në.

E thënë ndryshe, Kosova mund t’i japë Familjes Europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, në një kohë shumë të shkurtër, provën e padiskutueshme të vullnetit e të përkatësisë së vet në gjirin e Europës së Bashkuar e të NATO-s, duke i përmbushur, unilateralisht, të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë; jo për hir të Serbisë, po për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin.

Nuk ka asnjë arsye që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të përpiqen të bindin Kosovën, për qenien e saj organikisht të lidhur me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, ashtu sikundër nuk ka asnjë arsye që Kosova të presë se çdo bëjë Serbia, për të bërë ajo hapat e saj drejt BE-së dhe NATO-s. Kosova e uli në gjunjë Serbinë 25 vjet më parë dhe 25 vjet më vonë duhet ta lerë në bisht Serbinë.

E them këtë për t’i dhënë Kosovës kurrsesi jo një leksion, po një opinion vëllazëror dhe konstruktiv për mënyrën sesi mësimet e integrimit të njërit vend mund t’i vlejnë edhe vendit tjetër, që të mos kemi pësime historike kur sot fatin tonë të përbashkët kombëtar e kemi të gjithin në duart tona dhe krahët I kemi të shtrira nga Mitrovica në Konispol.

 “Do të udhëtojmë bashkë, të gjithë, ose nuk udhëtojmë. Pa përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk nisemi – sot, as nesër, asnjëherë. Kështu mendojmë të gjithë. Vetëm Bashkë,” tha profesor Rexhep Qosja, një prej anëtarëve të delegacionit, pak para se i gjithë delegacioni bashkë me luftëtarët e lirisë, përfaqësi e miliona zemrave shqiptare me plotë besim në të drejtën e madhe, qoftë dhe të vonuar, të ndërmerrte në orët e fundit të shekullit të vjetër udhëtimin, që ndryshoi përgjithmonë rrugën drejt të sotmes dhe bëri që shekulli i ri i shqiptarëve të lindë me këmishë.

E risolla këtë paragraf nga fjala ime e këtushme dhjetë vjet më parë, sepse më mahnit aktualiteti i atyre rreshtave prej prijësi shpirtëror, pa asnjë pushtet tjetër përveç pushtetit të fjalës, të cilat Rexhep Qosja i pat shqiptuar në ato çaste vendimmarrjesh të mëdha për Kosovën e për kombin shqiptar. Po ku janë sot përfaqësuesit e UÇK- së që Rexhep Qosja kërkonte me patjetër në atë udhëtim historik?

Pa Hashim Thaçin e shokët e tij, që udhëtuan bashkë me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosen e të tjerët, për të takuar historinë e re të shqiptarëve këtej bjeshkëve, nuk e dimë dot çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës në hyrje të këtij shekulli. Por çfarë dimë me siguri është që ato çaste vendimmarrjesh të mëdha nuk do të kishin ardhur dot ashtu siç erdhën dhe mbase e sotmja do t’i ngjante më shumë të shkuarës sesa të ardhmes, pa ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me në krye Hashim Thaçin.

Por sot që ne jemi të gjithë këtu, në Kuvendin ku u shpall e firmos këtu përpara meje pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbahen peng, prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare, e cila, në çdo hap, ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj, virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës.

Unë as nuk e kam diskutuar ndonjëherë dhe nuk e diskutoj as sot, të drejtën e asaj Gjykatës Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi e ka ngritur dorën për formimin e asaj gjykate. Por ajo që unë nuk vij dot deri këtu në Prishtine, të marr fjalën e pastaj ta gëlltis në heshtje në këtë foltore përpara jush, në mungesë të Hashimit, në mungesë të Kadriut, në mungesë të Jakupit, në mungesë të Rexhepit, - është nyja e mbledhur në fyt prej dyshimit të madh, e krejt i arsyeshëm, për fat të keq, se ai proces është një proces i parregullt ligjor dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate.

Unë nuk rri dot po ashtu, pa ua thënë këtu vëllazërisht çudinë time për faktin që në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nisëm për t’ju kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim.

Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim gjerësisht i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atëherë kjo është një gjëmë e madhe. Jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, as vetëm për Republikën e Kosovës por për vetë integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, së cilës kjo Republikë përmes përfaqësuesve të saj në këtë sallë ja dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi Republikën dhe prandaj nuk mund të lihet, sipas meje, në heshtjen shurdhuese që ushqehet prej gjithfarë motivesh nga më fisniket, deri tek më politiket që ajo gjëmë, nëse është gjëmë, ta bëjë demin e vet deri në fund.

Gjithsesi unë dua ta dini të gjithë ju këtu dhe ata që na dëgjojnë, që nëse Kuvendi i Kosovës kurdo qoftë do e merrte nismën për t’iu drejtuar të gjitha shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale dhe për të ndarë me to dyshimin e arsyeshëm për cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit dhe nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë t’i bashkohej dhe Kuvendi i Shqipërisë, unë nuk flas dot për të tjerët, por veç për forcën time politike. Partia Socialiste do ta angazhojë pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë të votuar nga Kuvendi i Kosovës, ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë.

Të nderuar kryetarë të dy kuvendeve,  qytetarët e Kosovës tanimë janë në momentin e gjykimit të forcave politike, të cilat kanë hyrë në garën demokratike të kërkimit të votës së tyre për të qeverisur Kosovën në katër vitet e ardhshme, prandaj unë kam shumë besim që kjo sallë dhe kush më dëgjon prej jashtë saj do të më mirëkuptojë pse nuk fola këtu sot konkretisht për punët e mira që kemi bërë së bashku me qeverinë e Kosovës mbi themelet e ndërtuara nga bashkëpunimi me qeveritë e mëparshme dhe si vazhdim i punëve të mira të nisura qysh në vitet e para të qeverisjes sonë në Shqipëri ku edhe ngritëm bashkëpunimin ndërqeveritar me Kosovën në një nivel krejt tjetër nga terreni folklorik ku ishte më parë.

Në mbyllje të kësaj fjale dua të shpreh konsideratën time për bashkëpunimin mes dy trupave përfaqësuese të dy shteteve tona dhe të falënderoj të gjithë deputetet e të dyja palëve që janë angazhuar në fuqizimin e bashkëpunimit parlamentar.

Falë tyre është hedhur dhe në këtë drejtim gjatë këtyre viteve të fundit, një bazë e shëndoshë për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim i cili ka ende një potencial shumë të madh për tu çliruar.

Ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen. Uroj më të mirat për të gjithë ju dhe uroj me gjithë zemër që viti që po troket, të jetë një vit i jashtëzakonshëm për nga mirësia dhe për nga sukseset për të gjithë popullin tonë, këtej dhe andej bjeshkëve.

Shumë faleminderit!

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it