TIRANË- Bankat e nivelit të dytë kanë rënë dakord me qeverinë për t'u dhënë kredi pronarëve të bizneseve që kanë hasur vështirësi ekonomike si pasojë e COVID-19, për të paguar pagat e punonjësve, pa asnjë rrezik pasi shteti del garant. Një marrëveshje e tillë është arritur ditën e sotme në mbledhjen e zhvilluar online me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Që do të thotë se bizneset e vogla, të mesme apo të mëdha tashmë mund të trokasin në derën e bankave për kredi, por Rama nuk ka dhënë shumë detaje se si do të funksionojë, kriteret apo normën e interesit. 

"Me bankat për paketën financiare të luftës; Vënien menjëherë në lëvizje të instrumentit të garancisë sovrane për pagat e punonjësve që nuk shkojnë dot në punë; Zgjerimin e paketës gjatë muajit prill", shkruan Rama. 

Fondi i garancisë sovrane vendosur nga qeveria është 100 milionë dollarë me qëllim që çdo punonjës të marrë pagën e munguar, në një kohë kur puna ka qenë e mbyllur për shkak të masave parandaluese për përhapje e koronavirusit. Në deklaratën që ka bërë më herët shefi i kabinetit qeveritar, ky fond është i mjaftueshëm për të përballuar nevojat për 3 muaj.  Megjithatë, nuk dihet ende konkretisht nëse çdo punonjës do të paguhet aq sa ka rrogën apo mbështetja do të jetë deri në 1 pagë minimale.

Ndërkohë, kreu i shtetit ka njoftuar gjithashtu se paketa financiare e prezantuar më herët për të përballuar pasojat ekonomike të COVID-19 do të zgjerohet në muajin prill. Plani aktual prej 7 pikash për të përballuar pasojat dhe luftën me koronavirusin në të gjitha frontet kap shifrën prej 300 milionë eurosh. Zgjerimi i kësaj pakete, ka qenë edhe një nga kërkesat kryesore të Partisë Demokratike, artikuluar nga kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ka kërkuar 3-fishimin e saj, duke theksuar se është krejtësisht e mundur. 

Foto nga mbledhja online