Rama paralajmëron kompanitë:
Do t'ju godasë forca e ligjit

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjitha kompanitë që abuzojnë me pagesat e punonjësve dhe detyrimet, që nga janari i vitit 2018 do të ndëshkohen rëndë. Në ‘Komunikimin Javor’, shefi i qeverisë tha se janë rreth 40% e punonjësve të bizneseve të mëdha, të cilët janë deklaruar me pagë minimale.

Gjithashtu, Rama deklaroi se ka dhe kompani në vend që punojnë me bilance të dyfishta, duke paralajmëruar ashpër se kjo nuk do të lejohet më nga janari, ku sipas tij, forca e ligjit do të godasë më fort se kurrë më parë.

“Me gjithë arritjet e konsiderueshme, si dhe në luftën kundër punës në të zezë, së fundi janë identifikuar rreth 40% e të punësuarve në bizneset e mëdha të deklaruar me pagë minimale 30 mijë lekë. Kjo është e pajustifikueshme, por edhe e dënueshme, pasi shkelen hapur të drejtat e punonjësve, duke iu ngrënë padrejtësisht pensionin, duke i bërë bisht pagesës për tatimin e fitimit. Qeveria nuk do ta tolerojë këtë situatë, gropa e detyrimeve mbetet ende e një madhësie të papranueshme për një vend që synojmë ta bëjmë shtet. Në Shqipëri puna duhet paguar denjësisht, nga të gjithë pa përjashtim. Në katër vitet e fundit, u ngjitëm në disa shkallë në rangun e rajonit, ku deri katër vite më parë ishte e fundit për rrogat e ulëta. Edhe rrogat janë rritur në krahasim me katër vite më parë. Kompanitë që punojnë me dy bilance do marrin goditje të fortë në janar, sepse qeveria do të njohë vetëm bilancet e paraqitura prej kompanive në banka. Forca e ligjit do të ushtrohet më fort se asnjëherë më parë për çdo biznes që do gjendet në kushtet e mashtrimit me pagat dhe me detyrimet”, tha Rama.

VIDEO/ Komunikimi i plotë i Kryeministrit Rama në rrjetin facebook

Fjala e plotë e 'Komunikimit Javor'
E kemi bërë të ditur publikisht ambicien tonë për të luftuar informalitetin e punëve në të zezë dhe rritur konkurrencën e ndershme si edhe kontributet e sipërmarrjes në arkën e shtetit. Kemi arritur rezultate të rëndësishme deri këtu por presim ende shumë akoma dhe mundësitë për shumë më tepër janë vërtetë të mëdha. Me zgjerimin e bazës së TVSH-së, që tanimë është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe prej janarit të ardhshëm do të përfshijë edhe çdo biznes të vogël mbi 2 milion lekë xhiro vjetore, padyshim që vlera e shtuar e operacionit anti-informalitet do të rritet.

Fokusi ynë është vënë në radhë të parë tek biznesi i madh. Rritja aktuale me mesatarisht 4.5% e qarkullimit mujor të bizneseve të mëdha është një tregues që flet pozitivisht, siç flet pozitivisht edhe rritja me 15.5% e të ardhurave tatimore nga biznesi i madh për 10 mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me 10 mujorin e parë të vitit të shkuar. Këta e të tjerë, janë tregues të një terreni ku bashkë me ekonominë dhe me punësimin, po rritet hap pas hapi edhe forca e institucioneve të shtetit. Aftësia e tyre ligj zbatuese, qoftë në funksion të garantimit të konkurrencës së ndershme e qoftë në funksion të sigurimit të të ardhurave që i takojnë shtetit nga aktiviteti sipërmarrës në vend.

Por, me gjithë arritjet të konsiderueshme në këtë përpjekje shtetbërëse si edhe në luftën kundër punës në të zezë, së fundmi janë identifikuar afërsisht 40% e të punësuarve në biznese të mëdha, ose 42 000 të punësuar të regjistruar, të deklaruar me pagë minimale deri në 30 mijë lekë. Ndërkohë që vetëm 7% e tyre ose rreth 8 000 të punësuar, deklarohen me pagën mbi 130 mijë lekë. Të punësuar si ekonomistë, inxhinierë, juristë, llogaritarë e të tjerë, që paguhen në fakt jo aq, deklarohen nga bizneset si të punësuar me një pagë nën 30 mijë lekë në muaj. Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme në çdo pikëpamje por dhe e dënueshme ligjërisht për kompanitë që në këtë mënyrë shkelin haptas të drejtat e punonjësve, cënojnë rëndë të ardhmen e tyre, duke u ngrënë padrejtësisht pensionet. Shmangin detyrimet ligjore ndaj shoqërisë dhe arkës së shtetit duke i bërë bisht pagesës për tatimin e fitimit për pensionin e për shëndetin e punonjësve.

Qeveria nuk do ta tolerojë këtë situatë ku me gjithë formalizimin e konsiderueshëm që është arritur në 4 vitet e fundit, gropa e detyrimeve mbetet ende e një madhësie të papranueshme për një vend që synojmë ta bëjmë shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Në Shqipëri, puna duhet të paguhet denjësisht dhe sipas të gjitha përcaktimeve ligjore, nga të gjithë, pa përjashtim!

Në 4 vitet e fundit, Shqipëria mundi të ngjitet disa shkallë në rangun e rajonit, ku deri 4 vite më parë ishte e fundit në radhë për rrogat e ulëta, të mesme e të larta në sektorin publik. Edhe rrogat në sektorin privat, de fakto, janë rritur krahasuar me katër vite më parë por është e qartë se jo vetëm nuk mjafton por dhe ajo që realisht paguhet, nuk reflektohet në një masë të madhe, të papranueshme në librat e llogarive të kompanive, për pasojë edhe në arkën e shtetit. Në janar, tradita çerekshekullore e biznesit të madh që punon me dy bilance do të marrë një goditje të fort, sepse qeveria do të njohë vetëm bilancet e paraqitura prej kompanive në banka dhe bilancet e tatimeve do duhet të jenë të përputhura me ato të bankave për çdo kompani.

Por qysh në ditët në vijim, ne do të përsërisim apelin që të gjithë bizneset e mëdha që për çerek shekulli janë mësuar t’ia hedhin shteti në deklarimin e të ardhurave e të pagave të punonjësve, të futen menjëherë në një proces të shpejtë e të thellë vetërregullimi e ndërkohë, forca e ligjit do të ushtrohet më fort se asnjëherë më parë mbi çdo biznes që do të gjendet në kushtet e mashtrimit me pagesat dhe me detyrimet për punonjësit e vetë. Kështu nuk mund të vazhdohet më dhe ne jemi të vendosur që kështu të mos vazhdohet më!

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave