Rama: Pas energjisë mbyllim
edhe "gropën" financiare të ujit

Rama: Pas energjisë mbyllim<br />edhe
TIRANË -  Qeveria është gati që me të njëjtin intensitet që ndërhyri në rrjetin energjitik për të ndërprerë lidhjet e paligjshme të njëjtin aksion do ta aplikojë edhe për abuzuesit në ujësjellësa. Nga Forumi Kombëtar Kundër Korrupsionit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi një tjetër aksion pas atij të energjisë, që do të ndërmerret në të gjithë vendin ndaj njerëzve të adminsitratës të sistemit të ujësjellësit që kreu i qeverisë i krahasoi me banditë që s'duan t'ia dijnë për politikat lokale.

Rama tha se keqmenaxhimi i sistemit të ujit në vend ka krijuar një gropë financiare më të madhe se dëmi i shkaktuar nga vjedhja e energjisë elektrike dhe mospagimi i faturave.

“Ka një gropë më të madhe se vjedhja e energjisë, eshte uji. Si të mos jetë gropë, kur i gjithë sistemi i kësaj pasurie, si vendi i dytë më i pasur për pasurinë hidrokarbure nuk eshte menaxhuar si duhet. Norvegjezët para 100 vitesh ikin nga vendi se vuanin për bukë, ndërsa sot i quajnë sheikë të Evropës për shkak të energjisë. Problemi ynë më i madh është se kemi shumë ujë. Kemi trashëguar borxhe nga sistemi i ujësjellësave. Bordet e ujësjellësit drejtohen nga të papërgjegjshëm, që nuk duan t’ia dijnë për politikat lokale dhe kjo nuk ka të bëjë me njerëzit, por me sistemin”, tha Rama.

Me të njëjtën gjuhë të ashpër Rama foli edhe për administratën dhe drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kreu i qeverisë foli për një bandë të strukturuar kriminale që funksion brenda këtij sistemi, e cila do të çmontohet duke i larguar të gjithë nga kontrollet që po kryhen jo vetëm në OSHEE, por në të gjitha institucionet shtetërore.

“Ne kemi marrë në dorëzim një bandë të strukturuar kriminale të shtrirë në gjithë Shqipërinë që në bashkëpunim me hajdutët e qytetarët që i paguajnë baniditi është një sistem i tërë që duhet çmontuar dhe ne po e çmontojmë ditë pas dite. Kush brenda kompanisë nuk ka paguar rregullisht energjinë është larguar, dhe kush i ka shpëtuar kontrollit të parë nuk do i shpëtojë të dytit”, deklaroi Rama.

Por sipas kreut të qeverisë, korrupsioni nuk lufohet vetëm duke larguar njerëzit që i tundohen parasë të marrë në mënyrë të jashtëligjshme, por luftohet duke modernizuar sistemin. Në këtë kontekst ai tha se shumë shpejt do të konkretizohet projekti i vendosjes së “matësave të zgjuar” në famijet dhe bizneset e cdo shqiptari. "Pas energjisë, nis aksion për ujin"Rama: Gropë e madhe financiare!

Në këtë konferencë të organizuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi, Ministrat e kabinetit qeveritar shpalosën një bilanc të arritjeve dhe punës së bërë për të luftuar fenomenet korruptive.

Ministrat raportuan mbi aksionet e ndërmarra në 12 muajt e fundit si dhe reformat afatgjata të cilat po projektohen dhe që kanë si qëllim final shërbime më cilësore për qytetarët, një shtet të modernizuar dhe tërësisht transparent.

Përveç kryeministrit Rama dhe ministrave të qeverisë të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Ambasadori Florian Raunig, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare e shoqërisë civile.

ministrat
(Në foto: Kryeministri Rama e ministrat ne Forumin kunder Korrupsionit)

Gjiknuri: Energjia ishte ndër sektorët më korruptiv, por në 1 vit, shtuam me 60 mln dollarë arkëtimet
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se dikasteri që ai drejton ishte ndër më problematikët në të cilët ishin evidentuar një sërë praktikash korruptive dhe ku sektori i energjisë po shkonte drejt kolapsit.

Duke folur konkretisht ai tha se janë hequr 40 leje konçesionare të personave që i kishin marrë për t’i tregtuar dhe po ashtu janë hequr edhe 200 leje minerare pasi nuk përmbushnin kushtet.

Ministri Gjiknuri theksoi se praktikat korruptive më të mëdha janë bërë në sektorin e energjisë. Prandaj siç u shpreh ministri aksioni i ndërmarrë kundër abuzuesve ishte i domosdoshëm dhe vetëm në vitin e parë qeverisës janë rritur me 60 milionë dollarë arkëtimet si dhe janë ulur me 40% humbjet në rrjet.

Ndërsa lidhur me sektorin e hidrokarbureve, Ministri u shpreh se në themel të çdo nisme do të jetë transparenca, dhe se për këtë falë inovacionit është bërë i mundur që tashmë të jetë lehtësisht e verifikueshme se në çfarë faze janë konçesionet.

“Trajtimi i burimeve është testi i punës së një qeverie. Ky ishte testi ynë. Rishikimin koncesioneve, të atyre që duhet të rishikoheshin. Kemi mbajtur premtimin, ata që kanë marrë letra për t’i tregtuar do të anulohen. Kështu bëmë edhe me lejet minerare ku hoqëm 200 leje minerare të cilat nuk përmbushnin kushtet. Nga ana tjetër, sa i përket konçensioneve do të vazhdojmë të liberalizojmë këtë proces. Bashkë me ligjin e ri të energjisë elektrike, nuk duam të premtojmë pagesa false dhe kontrata që nuk janë të bazuara në qëndrueshmërinë ekonomike. Ajo që premtojmë është një treg më i hapur. Nga ana tjetër sa i përket sektorit energjetik, borxhi është i madh ku në këtë mjedis kanë gjalluar shumë praktika korruptive. Ka korrupsion brenda sektorit energjetik edhe me lidhje me pushtetarë të caktuar. Operacioni i inisur i energjisë do të vazhdojë. Vetëm vitin e parë kemi reduktuar humbjet në nivelin 40%. Kemi rritur arkëtimet me 60 milionë dollarë. Jemi të vendosur për të vazhduar sepse duam që qytetarët të marrin shërbimin e merituar. Sa i përket hidrokarbureve, pasi Shqipëria ka potenciale. Do të heqim edhe dy licenca që nuk kanë zbatuar atë që morën përsipër. Për çdo burim natyror ne e kemi standard praktik, garë transparente. Vënien në funksionim të regjistrit elektronik të koncesioneve ku çdo aplikues do të mund të monitorojë se në çfarë hapash janë koncesionet. Në Shqipëri fenomeni korruptiv është i përhapur dhe shpesh herë reformat e thella prekin shumë njerëz që janë mësuar në këtë ambient por do ta kuptojnë se këto reforma janë për një shtet të ndershëm.” tha Ministri Gjiknuri

panariti
Tahiri: Është rritur numri i kallëzimeve për zyrtarë të korruptuar
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi se lufta ndaj korrupsionit është një nga objektivat primarë të dikasterit që ai drejton dhe të qeverisë aktualë. Duke bërë një përmbledhje të arritjeve gjatë këtij viti të parë qeverisës, Tahiri theksoi se gjendja në të cilën ishte Ministria e Brendshme kishte të bënte me një borxh prej 31 milionë dollarë dhe me 655 shkelje financiare.

Lidhur me këtë gjendje, Tahiri nënvizoi se janë bërë 9 kallëzime penale për 33 persona si përgjegjës për këtë situatë dhe se tashmë priten hetimet e Prokurorisë. Ministri i Brendshëm tha se janë rritur me 65% referimet në Prokurori për krime të zyrtarëve në detyrë, si dhe me 45% ndjekja penale për korrupsion. Fjala e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në Forumin anti-korrupsion‏

“Konstatimi që bëmë kur morëm detyrën, me përmasat që ishin të paimagjinueshme. Kjo nga njëra anë nga mungesa e ndëshkueshmërisë dhe mungesa e reformave. U angazhuam për të bërë të ditur inventarizimin e gjendjes që morëm duke bërë transparencë. Janë konstatuar 655 shkelje financiare, dhe ku borxhi i institucionit që unë drejtoj ishte 31 milionë dollarë. Nëse efiçensa do ishte e plotë nuk do të kishim as këtë borxh, lidhur me shërbimet e marra dhe të papaguara. Sot janë 9 kallëzime penale për 33 persona për këtë dëm financiar dhe jemi ende në pritje nga Prokuroria për të parë dënimet e para. Gjatë kësaj periudhë janë rritur me 65% referimet për krime të zyrtarëve në detyrë. Është rritur me 45% ndjekja penale për korrupsion. “ tha Tahiri

saimir tahiri

Tahiri: Lazarati, Dukagjini e vjedhja e energjisë ndodhin nga korrupsioni i policëve, prandaj luftë ryshfetit brenda policisë
Duke iu referuar aksioneve të Lazaratit dhe të Dukagjinit, si dhe së fundmi aksionit kundër vjedhësve të energjisë, Tahiri u shpreh se të gjitha këto vepra kriminale ndodhnin që krahas mungesës së ndëshkueshmërisë ndodhnin edhe për shkak të korrupsionit të vetë punonjësve të policisë të cilët mbyllnin sytë me para në dorë.

Sipas Ministrit kjo vepër penale është ulur ndjeshëm në këtë vit të parë qeverisës dhe se do të vijojë të jetë synimi kryesor brenda Ministrisë së Brendshme, në kuadër të luftës së korrupsionit.

Në këtë kontekst, Tahiri u shpreh se janë kallëzuar dhe larguar nga puna 316 punonjës policie të konstatuar si të përfshirë në afera korruptive. Po ashtu Tahiri nënvizoi se përdorimi i teknologjisë është praktika e duhur për të luftuar korrupsionin dhe se në këtë drejtim janë hapur Zyrat Unike të Shërbimeve si dhe  synohet vendosjeve e kamerave për çdo punonjës të rendit, me qëllim bërjen transparentë të çdo veprimi.

“Ndërkohë që i kemi vënë theksin bashkëpunimit institucional dhe nëse nuk ka rakordim të përditshëm është e pamundur vetëm për policinë të bëjmë një detyrë që mund ta bëjmë më mirë bashkë. Institucione si Ministria e Financave, Inspektoriati i Deklaraimit të Pasurive u bënë bashkë për të hartuar një protokoll pune për ndjekjen bashkarisht të operacioneve në luftën kundër korrupsionit. Nuk duhet harruar dimensioni korruptiv. Aksioni kundër lojërave të fatit, hoqi para që shkonin në duart e gabuara, por edhe korrupsionin e policisë që paguheshin me para në dorë për të lejuar këtë veprimtari të paligjshme. E njëjta gjë ndodhi edhe me Lazaratin apo Dukagjinin. E gjitha kjo ndodhte për mbylljen e syve me para në dorë të policisë. Kemi hequr kapacitetin për tu korruptuar. E njëjta gjë ndodh me aksionin e energjisë. Punonjës të OSHEE-së dhe të policisë lejojnë vjedhjen e energjisë. Kjo ndodh edhe sot dhe duhet që të rikthehemi dy apo tri herë në atë zonë që e kemi kontrolluar një herë. Nëse ka një sukses real është zhdukja e punonjësit publik që mbyll sytë dhe lejon hajdutin e energjisë të bëjë atë që bën, pikërisht se ka ekzistuar kjo lloj race. Që në vitin e parë, qeveria ka miratuar paketën më të plotë reformuese në sektorin e sigurisë, duke filluar nga ligji për policinë dhe një sërë ligjesh të tjera që nga njëra anë reformojnë policinë, dhe nga ana tjetër kufizojnë mundësinë për korrupsion. Gjithashtu kemi reformuar mekanizmat e brendshme të kontrollit. Deri dje ky mekanizëm ishte thuajse një kamzhik politik. Sot ligji i ri për shërbimin e kontrollit të brendshëm e ka kthyer një mekanizëm në shërbim të qytetarit. Ne besojmë se nuk mund të luftohet korrupsioni në shoqëri nëse nuk luftojmë korrupsionin brenda vetes. Janë 300 kallëzime penale për 316 punonjës policie të cilët sot nuk janë më në detyrë për shkak të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Janë mbi 2500 telefonata nga qytetarët të cilave iu përgjigjemi në çdo kohë në mënyrë që shërbimi që kërkon qytetari të jetë aty në shërbim të publikut. Ndërkohë që ka edhe mekanizma të tjera denoncimi, sikundër nga janari do të bëhen edhe mekanizma të tjera për korrupsion. Kemi ngritur Zyrat Unike të Shërbimeve, ku qytetari të marrë shërbime administrative në mënyrë të shpejtë, me një pikë kontakti që nuk është punonjës policie, dhe nuk ka vonesa në kohë. I kemi dhënë një platformë për të marrë shërbim, pa iu dashur të trokasë derë më derë. Teknologjia për ne është shpëtimi nga korrupsioni. Do vazhdojmë deri në pikën që punonjësi i policisë të ketë një kamer si për të ashtu edhe për qytetarin.” u shpreh Ministri i Brenshëm

tahiri

Cani: Në 11 muaj shtesa e buxhetit u rrit më tepër se 5 vite sëbashku.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, duke folur për luftën kundër korrupsionit  u shpreh se do të mbahen premtimet e bëra së pari konsolidimin e besimit të doganave forcim i zbatimit të ligjit., edukim i administratës dhe tatimpaguesve dhe ngritja e një stafi të kualifikuar.
 
Cani:Çfarë është bëtë për parandalimin e korrupsionit
“Në doganë janë organizuar 20 takime me shoqata e biznese që ndërveprojnë. Tatimet takime periodike të sqarimit të procedurave tatimore. Është rritur ndërveprimi administratë-tatimpagues. Marrja e vendosjes së sistemit të taksimit. Janë marrë masa për lehtësimin e procedurës tatimore. Është realizuar karta e tatimpaguesit.

cani

Cani:Çfarë është bërë për ndëshkimin
Te doganat janë 212 të larguar nga puna, janë vendosur 52 masa disiplinore dhe 10 doganierë janë nën hetim. Te tatimet, 462 çështje për masë disiplinore, 154 me shkelje shumë të rënda. 4 punonjës janë proceduar penalisht për falsifikim, ndërsa 2 për shpërdorim detyre.

Cani: Edukimi në mënyrë të gjerë, në luftën kundër korrupsionit
Janë trajnuar 384 punonjës doganave, ndërsa të tjerët ende duhet të kalojnë testimin. Te tatim-taksat 188 punonjës të rinj janë trajnuar, janë testuar 140 specialistë në tërësi 820 punonjës janë në trajnim.  Pra në total gjysma e personelit e ka kaluar fazën e edukimit dhe trajnimit.

Cani: Shifrat, cili është rezultati
Gjatë vitit 2014 janë marrë 22 masa lehtësuese për biznesin me efekt në bilancet e tyre me mbi 110 mln dollarë, gjithashtu edhe  23 masa të tjera lehtësuese. Është miratuar Kodi Doganor, Kodi i Etikës dhe ligji i tatimeve. Më 1 janar nis projekti “i-taksation”. Deri në fund të marsit ato biznese që janë me rrisk 0 do të përfitojnë të drejtën që t’i kryejnë vetë veprimet doganore, natyrisht nën mbikëqyrje. Për 11 mujorin e 2014-tës vetëm nga të ardhurat nga tatim-taksat janë mbi 290 mln dollarë më shumë se e njëjta periudhë se viti kaluar. Ose thënë ndryshe vetëm shtesa e të ardhurave në buxhetin e vitit 2014 është më e lartë se të gjitha shtesat për periudhën 2008-2013.

Nasip Naço: Përfunduam atë çfarë nuk ishte bërë në 24 vite 
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço deklaroi në forumin në luftën kundër korrupsionit se mungesa e seriozitetit për t’u përballur me këtë fenomen i  ka penalizuar, po gjithsesi qeveria ka hedhur phapa të kujdesshëm dhe me vendosmëri. Fjala e Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço gjatë Konferencës Kombëtare Kundër Korrupsionit

“Mungesa e seriozitetit për të përballur këtë fenomen na kanë penalizuar shpesh, për këtë ne i hodhëm hapat me kujdes dhe me vendosmëri. Ministria e Drejtësisë  ndërmori masat e nevojshme nga masat ndërgjegjësuese, krijuam portalin ”Stop korrupsionit, drejtësi. Nxitëm qytetarët të ishin aktivë në këtë betejë jo të lehtë.”- u shpreh ministri i Drejtësisë Nasip Naço.

naco

Më tej ai është ndalur edhe te masat për parandalimin e korrupsionit, por edhe te masat ndëshkuese.

“Përmirësuam sistemin elektronik, realizuam dixhitalizimin e AKKP. Arritëm të përfundonim atë fare nuk ishte bere në 24 vite.  Ne nuk mund ta kuptojmë që luftën kundër korrupsionit të mos kishim edhe masa ndëshkuese. Ankesat e qytetarëve evidentoi raste flagrante. Rritëm forcën ndëshkuese duke ndryshuar kodin e procedurës penale. E klasifikuam korrupsionin si krim të rëndë. Amenduam ligjim kundër krimit të organizuar. Përmes masave të marra realizuam premtimet. Kemi një progres në renditjen e “Transparency International”. Rritem besimin e qyfterëve. Nga ankesat e bëra nga qytetarë kemi dërguar në prokurori 18 raste. Kemi 27 gjyqtarë të proceduar, 1 të shkarkuar për korrupsion. ” – tha Naço.

Harito: Korrupsioni rrënon ekonominë e demokracinë, por në thelb rrënon besimin
“Korrupsioni rrënon demokracinë shoqërinë dhe ekonominë, por në thelb rrënon besimin e të gjithëve ne te njeri tjetrin.”- tha ministrja e Inovacionit, Milena Harito.

Më tej ajo u ndal te procesi i rekrutimit të punonjësve të Shërbimit të Civil, të cilët sipas saj për herë të parë janë marrë në punë vetëm në bazë të meritokracisë. Gjithashtu Harito deklaroi se janë mbyllur 600 website bastesh online që veprojnë jashtë Shqipërie.  

“Trajnime masive për të gjithë punonjësit që kanë kontakte me biznesin. Gjatë këtij viti u mbyllën 600 web që funksionojnë jashtë territorit të Shqiperisë. Harta janë publike për të gjithë. Jemi duke përjetuar sot rritjen e besimit të qytetarëve për këtë reformë”- tha harto duke përmendur sisa nga arritjet.  


Haxhinasto: Miratojmë standardin për rrugët, hapja e tregut të aviacionit do uli çmimet
Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, deklaroi se vendi është në rrugën e duhur për të ofruar shërbime më mira. Ai bëri të ditur se ka filluar procesi për ndryshimin e prokurome ve në vend dhe gjithashtu është në fazën përfundimtare miratimi i standardeve për ndërtimin e rrugëve e ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri, në mënyrë që në të ardhmen të jenë më të mira.
 
haxhinastro

Më tej ai përmendi edhe reformë në transportin ndërqytetës dhe hapjen e tregut për aviacionin civil, shërbim, i cili do të sjellë një shërbim më të lirë.

“Jemi në rrugën e duhur për të realizuar shërbime me te mira, po bëjmë menaxhim më të mirë. Kemi filluar procesin e miratimit të prokurimit në vend, në mënyrë që të eliminohen defektet e mëdha të këtij ligji. Ka ndryshuar koncepti se si ne e shikojmë infrastrukturën. Është një shërbim për qytetarin. Kjo qasje ka bërë që të vendosim këtë shërbim për qytetarin.  Është vendosur në fokus qytetari dhe përfitimi i tij .Mirëmbajtja është rritur 3 here në alokuimet tona. Shërbim më i mirë do të thotë edhe vendosja e standardeve. Jemi në fazën përfundimtare të miratimit të një standardi për rrugët dhe ujësjellës kanalizimet për Shqipërinë. Çdo investim në të ardhmen sipas standardet evropiane. Fakt që tregu i shërbimit të transportit të aviacionit civil është hapur, Hyrja e të bizneseve të reja në treg do të bëjnë që dhe disa nga linjat Premium të kenë një tendencë uljeje. Kemi filluar një reformë të thellë në transportin ndërqytetës. Do vijojmë të jemi të hapur ndaj publikut dhe biznesit, thirrje biznesit të angazhohet për shërbim cilësor. “- tha Haxhinasto.


Veliaj: Hoqëm 21 mijë abuzues nga ndihma ekonomike, shtuam me 81 352 personat që paguajnë sigurimet shoqërore
Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj duke folur për nismat e ndërmarra nga dikasteri që ai drejton në kuadër të luftës kundër korrupsionit, tha se janë hequr nga lista e personave në nevojë 21 mijë abuzues. Po ashtu Veliaj theksoi se në ndryshim nga qeveria e mëparshme ku ndihma ekonomike kishte 6 muaj që nuk jepej, tashmë nuk ka një ditë vonesë.

Po ashtu Veliaj nënvizoi edhe rritjen me 81 352 të personave që paguajnë sigurimet shoqërore. Ministri përsëriti reformën e pensioneve si dhe ripërtëritjen e Zyrave të Punës, ku theksoi se falë kësaj është bërë i mundur që 300 biznese të aplikojnë në këto zyra dhe të mos raportohet asnjë ankesë nga ana e tyre.

Ministri tha gjithashtu se sot gjithashtu ka nisur edhe shpërndarja e këstit të radhës për ish-të përndjekurit politikë.

"Gjëja e parë që ishte emergjente ishte se kishte 6 muaj pa paguar fondet e familjeve në nëvojë. Sot nuk ka asnjë ditë vonesë. Më vjen mirë që sot e kemi ulur me 21 mijë numrin e personave që merrnin ndihmë ekonomike, jo se kemi larguar nevojtarë, por abuzues. Veç luftës ndaj korrupsionit kemi futur edhe pak inovacion. Sot ndihmën ekonomike e marrin gratë, duke u përkthyer në më shumë ushqime dhe jo skedina futbolli. U rrit me 81 352 numri i atyre që paguajnë sigurimet shoqërore. Me BB u angazhuam në reformimin e skemës së pensioneve, duke sjellë një formulë të thjeshtë. Kjo rriti skemën. Ne kemi pasur një problem me fondet e nxitjes së punësimit. Falë një bashkëpunimi me Gjermaninë kemi rimodeluar tërësisht Zyrat e Punës. Falë këtyre ne kemi pasur më shumë biznese se kurrë më parë që kanë aplikuar. Ne deri sot nga 300 biznese që kanë aplikuar nuk kemi pasur një ankesë të vetme. Ne kemi pasur shumë probleme në të shkuarën. Shumë u mërzitën kur kryeministri tha se do të ketë ndjekje penale për ata persona që punësojnë njerëz në të zezë, me idenë se është shkelje e të drejtave të njeriut.  E dini për çfarë bëhet fjalë, kur një punëdhënës i thotë një punëmarrësi, që i ka paguar sigurimet dhe në fakt i ka futur në xhep ato para. Kjo për mua është vjedhje. Kemi pasur 4600 raste të punonjësve që punonin në të zezë. Më vjen mirë që sot kemi nisur pagesën e këstit të radhës së ish-të përndjekurve." u shpreh Ministri Veliaj

veliaj

Gjermeni: Janë legalizuar 2000 objekte, hapësirat publike iu kthyen qytetarëve
Ndërsa Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, tha se janë marra hapa konkretë për luftën ndaj korrupsionit duke iu përmbajtur zotimeve të bëra përpara ardhjes në pushtet.

Gjermeni theksoi se në kuadër të luftës ndaj korrupsionit janë ndërmarrë edhe nisma edukuese nga ana e dikasterit që ajo drejton. Kështu është bërë trajnim i vazhdueshëm i stafit si dhe fushata ndërgjegjësuese me qytetarët. Po ashtu janë dhënë 2000 leje legalizimi, ndërsa hapësirat publike i janë rikthyer qytetarëve, ndërsa është rritur transparencë e vendimmarrjeve.

“Të angazhuar maksimalisht për të qeverisur ndryshe. Në më shumë se një vit, kemi marrë disa masa parandaluese. Forcimin e strukturave audituese. Lehtësimin e procedurave për pajisjen me licensë në fushën e turizmit. Forcimin e bashkëveprimin e qytetarëve. Janë dhënë 7 rekomandime për përmirësimin e akteve nënligjore. Duke besuar se lufta kundër korrupsionit përtej shkollimit kërkon edhe edukimin kemi marrë edhe disa masa si trajnimin e vazhdueshëm të stafit, fushatë ndërgjegjësuese për qytetarët, krijimin e faqeve online, publikimin e të gjitha ligjeve dhe vendimeve që merr qeveria. Falë masave të ndërmarra, arritëm legalizimin e mbi 2000 objekteve, kthimin e hapësirave publike për qytetarët, transparencë në vendimmarrje. Për institucionin që unë drejtoj kemi arritur përmirësim në fushën e ligjit.” tha Gjermeni

gjermeni
Ahmetaj: Rritja e shërbimeve online për sipërmarrjen, nismë e drejtpërdrejtë e korrupsionit
Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj gjatë Formuit Kombëtar Kundër Korrupsionit bëri një analizë të arritjeve të dikasterit që ai drejton në këtë vit të parë qeverisës. Në fjalën e tij Ahmetaj theksoi se është bërë progres i dukshëm në transparencën e qeverisë si dhe reduktimin në një masë sa më të gjerë të mundshme të administratës për të vendosur subjektivisht.

Në këtë kontekst, Ahmetaj nënvizoi situatën në të cilën u gjend vendi nga qeveria e mëparshme, ku shtoi se ishin 700 milionë dollarë borxhe ndaj biznesit si dhe 300 milionë gjoba të vëna. Ndërsa në një vit qeverisës janë arritur të paguhen 260 milionë dollarë borxhe ndaj sipërmarrjes.

Po ashtu Ministri Ahmetaj tha se është bërë progres i dukshëm në fushën e inovacionit duke ulur kështu ndjeshëm mundësinë e korrupsionit. Ai u shpreh se tashmë 50% e sipërmarrjes mund të deklarojë raportet e saj online. Një tjetër nismë e ndërmarrë këtë vit dhe që ul ndjeshëm nivelin e korrupsionit në vend është edhe aplikimi online për asetet jo strategjike.

Ahmetaj në përfundim të fjalës së tij, tha se nismat e marra u reflektuan edhe në përmirësimin me 40 vende në raportin e “Doing Business”, një rekord sipas Ministrit për vendin tonë, që ka rritur edhe interesimin e investitorëve të huaj.

“Fitorja ndaj korrupsionit është reduktimi i administratës për të vendosur subjektivisht. Nëse një vit më parë e premtuam, sot me kënaqësi themi se kemi arritur shumë në luftën ndaj korrupsioni. Në muajin e parë kishte 700 milionë dollarë borxhe ndaj biznesit. E thamë që në katër vite kishte 300 milionë dollarë gjoba të drejtpërdrejta. Ne u angazhuam një vit më parë. Sot kemi paguar 260 milionë dollarë, dhe nuk ka një institucion ndërkombëtar të ketë ngritur alarmin e korrupsionit. Sot kemi një Këshilli Kombëtar, ku debati për transparencë dhe opinionet e sipërmarrjes janë në themel të marrëdhënies së re me sipërmarrjen. Kemi sot në duar një paketë të re, atë të industrisë plastike. Gjashtë muaj më parë kryeministri në një telefonatë më kërkon i indinjuar se si është e mundur që përpara QKR ka mbi 30 persona në radhë. Biznesi shkonte në radhë. Sot ndaj me kënaqësi që 50% e sipërmarrjes do të ketë mundësi të deklarojë raportet e saj online. Përmirësimi i aksesit të publikut në portalin e të dhënave dhe në fushën e licencimit, janë gati. Gjatë gjithë vitit ka pasur një betejë të përditshme në favor të rritjes së cilësisë. Folëm për privatizimin e aseteve jo strategjike dhe thamë se në dhjetor do të jetë gati. Sot ajo është gati, madje po testojmë për të treguar të gjithë asetet e mundshme jo strategjike për privatizimi. Sot janë 40 asete që tregohen online në Ministrinë e Ekonomisë. Kemi premtuar se do të përmirësojmë 12 vende, por në fakt përmirësuam 40 vende në “Doing Bussiness”. Është rekord që Shqipëria renditet në atë biznes. Bashkimi i QKR dhe QKL unë e besoj, që është një hap i drejtpërdrejtë në reduktimin e burokracisë dhe uljes së korrupsionit. Po përgatisim një paketë me 12 pika dhe ka në themel luftën kundër korrupsionit dhe çlirimin e elementëve në favor të sipërmarrjes. Megjithatë sfida vazhdon dhe them me përgjegjësi se kemi akoma shumë për të bërë.” tha në fjalën e tij ministri Ahmetaj

ahmetaj

Beqaj:  Masa për mjeket nëse japin në receta ilaçe më të shtrenjta
Në forumin kundër korrupsionit, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se ndo të ketë kontrolle ndaj mjekëve dhe nëse rezulton se kanë dhënë në receta më tepër se 40% të barnave me çmime më të shtrenjta do të gjobiten. Gjithashtu ai shtoi se falë ligjit të ri të miratuar në parlament janë ulur cmimet e barnave dhe me të njëjtin buxhet spitalet janë furnizuar me më tepër ilaçe.

beqaj
 
“Para 13 muajsh jemi angazhuar për të luftuar korrupsionin, do të ulim çmimin e barnave, luftë kundër korrupsionit. Ne perceptonim se të paktën 20 mln $ rrinin te distributorët dhe nuk shkonin të përdoruesit. Për këtë çështje kam ftuar edhe ambasadorë. Kemi ulje të barnave me 25 % por edhe më tepër deri në 63%. Ajo çfarë miratuam me ligjin e ri, tregon se kishim të drejtë. Me të njëjtin buxhet do të furnizojmë më tepër spitalet me barna. Masa ndëshkuese për mjeket nëse japin më tepër se 40 % në receta ilace më të shtrenjta” – tha Beqaj.
 
Kodheli: Korrupsioni kishte denigruar imazhin e MM dhe FA 
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh se që në fillim të marrjes së detyrës ka pasur si synim luftën ndaj korrupsioni që kishte denigruar imazhin e institucionit që ajo drejton  dhe Forcave të Armatosura.

“Në Shqipëri korrupsioni ka arritur në nivele alarmante. Një nga drejtimet kryesore pas marrjes së detyrës, ka qenë lufta ndaj korrupsionit që kishte denigruar imazhin e MM dhe FA. Të bindur se përmes planifikimit do të ofronim eficenë.  Krijuam njësinë antikorrupsion. Ndryshuam procedura që synojnë kufizimin e vendimeve individuale, u ndryshua procedura e rekrutimit, gradimit dhe dërgimit të FA në misione.”- tha Kodheli.
 
kodheli

Më tej ministrja e Mbrojtjes përmendi edhe masat e marra ku bie në sy kallëzimi penal për 17 persona, largimi nga puna të 14 ish-titullarëve apo edhe rikthimi i 220 mln lekëve të kthyera, gjithashtu edhe zhvillimin e ankandeve të hapura për herë të parë.  

Çuçi: Problem të dhënat e statistikat, nga janari aplikacione të reja
Ministri për Çështjet Vendore dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi gjatë forumit për kundër Korrupsionit u shpreh se në muajin janar do të vihen në veprim aplikacione të reja të cilat do të ndihmojnë në krijimin e të dhënave apo statistikave për rastet e korrupsionit.

“Në çdo kohë do të kemi një statistikë të vërtetë se sa raste ka pasur dhe sa raste janë gjykuar. Më në fund me të shtypur një buton do të publikojmë një sistem të harmonizuar, nuk kushton asgjë. Personave përgjegjës u lehtësohet puna.”- u shpreh ministri Bledi Çuçi

cuci

Më tej Çuçi theksoi se pa vendosur besimin te qytetarët nuk do t’ia arrijnë objektivit në luftën kundër korrupsionit.

“Kemi 20 vjet që përpiqemi të rivendosnim besimin te qytetarët. Pa rivendosur këtë besim nuk do ia dalim të arrijmë objektivin.”- tha Çuçi.

OSBE, Raunig: Deri me tani ne Shqiperi, asnje zyrtar i larte i denuar per korrupsion
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig tha se pavarësisht se numri i rasteve të regjistruara të korrupsionit njeh rritje në gjysmën e parë të vitit 2014, ende asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar për këtë vepër penale. “Sipas të dhënave nuk ka raste të identifikimit dhe dënimit të zyrtarëvë të nivelit të lartë dhe perceptimi i korrupsionit mbetet i lartë”, tha Raunig.

Gjatë fjalës së tij në Forumin Kombëtar kundër Korrupsionit, kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë shprehu vlerësim dhe mbështetje ndaj reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë aspekt, por shtoi se korrupsioni nuk është luftë që mund ta fitojë një institucion i vetëm.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?