Në orën 09:00 Drejtori për Ballkanin në DASH i shoqëruar nga ambasadori Aleksandër Arvizu hynë në ambientet e selisë PS për të zhvilluar një takim me Edi Ramën. Më pas në orën 10:00 do të takohet me ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, ndërsa nesër do të takohet me Berishën.
Pas takimit Rama tha se me Moore është folur për cështjen më të nxehtë që është “rrëmbimi i KQZ” “Theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Nga ana tjetër besoj se gjetëm mirëkuptimin për domosdoshmërinë që këto zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë në një monent kaq të rëndësishëm të mos ketë asnjë arsye që nesër të jenë të papranueshme.”
I pyetur nëse dorëheqja e Bibës është pjesë e marrëveshjes me LSI, Rama tha” Eshtë krejtësisht e pavërtetë” .
“Ushqej respekt të plotë për Denar Bibën i cili nuk vjen nga radhët e PS, nuk është propozuar prej nesh për të qenë një ushtar partie në KQZ dhe ne aktin e tij ka afirmuar të gjithë integritetin moral e profesional në kundërshtim të hapur me cënimin flagrant të integritetit moral e profesional të anëtarit të KQZ.”
Pyetjes se kush do të jetë emri zëvendësues i Bibës, Rama u përgjigj: "Nuk flasim për zënvedësim personash por për rikthim të ligjshmërisë së këtij institucioni."
TAKON BUMCIN
Sipas njoftimit që ka dërguar Ministria e Jashtme thuhet se ministri Bumçi ka sigurar diplomatin amerikan se Shqipëria është e angazhuar për një proces zgjedhor të lirë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndërsa nga ana e tij Moor ka theksuar se megjithë sfidat e shumta me të cilat Shtetet e Bashkuara përballen sot në botë, Ballkani do të vazhdojë të mbetet në fokusin e administratës amerikane për të ruajtur të gjitha ato arritje që janë bërë në drejtim të paqes dhe sigurisë në Ballkan. Në këtë kontekst, Moore nënvizoi se shpreson për përfundimin me sukses të dialogut Kosovë-Serbi, gjë që do të mundësonte ecjen e tyre përpara drejt integrimeve europiane.
SHBA RRIT PRESIONIN
Tani që zgjedhjet po afrojnë SHBA po rrisin presionin drejt Shqipërisë për zgjedhje të lira. Procesi duket se “u minua” pak orë para mesnatës së 15 prillit, kur në Kuvend, u shkarkua si rrallë ndonjëherë, anëtari i KQZ, i propozuar nga LSI, Ilirjan Muho.
Vetë ambasadori Arvizu qëndroi në sallën e kuvendit deri afër mesnatës për të ndjekur procesin, i cili përfundoi me shkarkimin e anëtarit të KQZ, edhe pse SHBA, kishte udhëzuar ndryshe. Vizion plus raportoi dje në mesditë se në orën 03.00 të mëngjesit, një email informues u nis drejt Departamentit të shtetit për këtë ngjarje. Këtë e ka pohuar në një auditor studentësh edhe këshilltari për çështjet politike në ambasadë, Porter. Por duket se vizita e Jonathan Moore, ishte planifikuar më parë dhe ishte vendosur edhe agjenda e takimeve, e cila në dritën e fakteve të reja, vjen akoma dhe më shumë alarmante.
Pritet që ai të takohet sot me kreun e PS Rama, me krerët e partive të tjera politike, ndërsa nesër në mëngjes pritet të takohet me kryeministrin Berisha. Kreu i qeverisë u nis dje drejt Londrës, për të marrë pjesë në ceremonitë përcjellëse të ish kryeministres britanike Margaret Theçer, e ndarë nga jeta pak ditë më parë.
Vizita e fundit e Jonathan Moore në Shqipëri është zhvilluar në 4 dhjetor 2012. Në atë kohë, Moore u takua me Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha, kreun e opozitës Edi Rama, me Ilir Metën e Gazmend Oketën e FRD. Në takime kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, duke plotësuar të gjitha standartet, e me këtë garanci, mori “valixhet” dhe u kthye në Washington.
Por vetëm katër muaj pas kësaj vizite, Jonathan Moore, rikthehet në Tiranën zyrtare, për të qëndruar për tre ditë me radhë.
(sg/shqiptarja.com)