PasqyrAlbania do të jetë një sistem ku qytetari mund të mbikëqyrë shtetin, tha kryeministri Rama në mbledhjen me ministrat dhe grupin e PS. Në këtë platformë, ai do të gjejë çdo dokument të nevojshëm për të mësuar gjithçka dëshiron të dijë mbi punët publike.

Sipas Ramës, kjo shmang dezinformimin e qytetarit dhe çdokush i përfshirë ekspozohet në (pa)përgjegjëshmërinë e tij.

“PasqyrAlbania është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin, ku ai nuk gjen vetëm çfarë tha qeveria sot, madje s’e gjen fare, por gjen çfarë po bën qeveria në emrin tim, pse qeveria po bën këtë apo atë, kush e ka në dorë këtë apo atë çështje që mua më intereson, mbi cilin dokument unë mund të provoj apo konsultoj këtë që më thuhet se do të bëhet, ku gjendet sot ecuria e procesit (për çdo proces). Një qytetar sot nuk mund të fajësohet pse bie pre e dezinformimit lidhur me punët publike sepse nuk e ka mundësinë qëti referohet drejtpërdrejt kantierit, shërbimit përkatës. PasqyrAlbania do të jetë vendi ku qytetari mund t’i referohet vetë çdo gjëje që po bëhet me taksat e tij. Nëse një portal mediatik i thotë që rruga u shemb sepse u gërrye baza përtej asaj që duhej dhe u bë një krim, qytetari nuk mund të fajësohet për këtë dhe as nuk mund të pritet që të ndërrojë mendim duke bërë nga ana e vet institucioni apo qeveria një komunikatë apo konferencë për shtyp. Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, me procesverbale çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh. Kjo e ndryshon plotësisht pozitën e qytetarit nga një viktimë potenciale e informacionit te një mbikëqyrës i shtetit, por te Pasqyra mund të gjejë të gjithë bazën faktike, dokumentare, shifrën, provën, procesverbalin, mendimin e ekspertit, arsyet e vonesës dhe të gjithë personat përgjegjës lidhur me çfarë nuk shkon, janë nën dritën e diellit. Ose janë të larë sepse nuk lidhet me përgjegjësinë e tyre të drejtpërdrejtë rrëshqitja e një kodre ose janë aty të pajustifikueshëm me deklarata apo postime të rastit”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Rama: Shteti, 3 plagë që duhen kuruar! Ndërhyrja e deputetëve për punësime të bëhet vepër penale! Me ‘Flamingo Mirror’ publikojmë dokumentet për Sazanin e Zvërnecin