ELBASAN- Nga qyteti i Elbasanit ku zhvilloi bashkëbisedime me qytetarët, kryeministri Edi Rama u ndal sërish te protesta e pedagogëve, ku tha se rroga e tyre është rritur më shumë se e të tjerëve. Kreu i qeverisë tha se pagat e ministrave dhe deputetëve nuk janë rritur prej 9 vitesh që kur PS ka ardhur në pushtet dhe as ajo e kryeministrit.

‘Por, nuk mund të ndahemi tek fakti që pedagogëve i është rritur rroga më shumë se të tjerët, më shumë se të gjithë të tjerët dhe të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë në këtë përpjekje, do të thotë njëkohësisht që të refuzojmë të pranojmë çdo lloj monstruoziteti, çdo lloj gënjeshtre, çdo lloj marrëzie dhe të futemi në vallen e të marrëve thjeshtë sepse vetëm janë disa njerëz të dëshpëruar që duan me çdo kusht të marrin pushtetin.  Që në vitin 2013 nuk janë rritur asnjëherë pagat e ministrave. Nuk janë rritur asnjëherë pagat e deputetëve. E nuk kanë për tu rritur, as paga e kryeministrit nuk diskutohet, sa të jem unë këtu. Pse? Për një mesazh shumë të thjeshtë: Për sa kohë ne nuk jemi në gjendje që tja u rrisim të tjerëve pagën deri në pikën ku ne të meritojmë të na rritet paga jonë, ne nuk kemi pse e rrisim pagën tonë.’- u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nuk ndali kritikat as për kreun e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve Sandër Kovaçi. Ai tha se shumica e pedagogëve janë në mësim, por shtoi se një pjesë e tyre të drejtuar nga një ish-SHIKS kërkojnë të krijojnë idenë sikur po bëhet nami për llogari të non gratave.

‘Shumica e tyre janë në mësim. Por janë një pjesë e tyre në drejtim e një SHIKS-i të vitit 97, që kërkojnë për llogari të non gratave dhe çorbës së rublave që të krijojnë idenë përmes ekraneve se si po bëhet nami.Në ekrane po zien një kusi e madhe me presion sepse mbushin gjithë ditën në ekrane për një protestë që nuk ekziston.”, tha Rama.

Prej disa ditësh pedagogët kanë bojkotuar zhvillimin e mësimit dhe po protestojnë për rritje pagash si dhe kushte më të mira në mësimdhënie. Të hënën ato kanë paralajmëruar një protestë kombëtare, duke kërkuar mbështetje edhe nga rektorët dhe nga studentët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:16
Rama publikon foto dhe zbulon ‘prapaskenat’, çfarë ndodh pas një takimi

1666383541_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto në mbyllje të takimeve në Elbasan, ku ka zbuluar se shikon mesazhet që i vijnë në celular e për këtë ka edhe një falënderim.

Ora 20:59
Gazetari që la Tiranën dhe u vendos në Funar, batuata e Ramës: La gomarët e qytetit për t’i parë hajrin gomaricave në fshat

 

Gjatë vizitës së tij në Elbasan, kryeministri Edi Rama mori pjesë në ndarjen e certifikatave të mirënjohjes për qytetarët të cilët kanë investuar dhe kanë kontribuuar për qytetin e tyre. Ndër personat që u vlerësuan me titullin  e Mirënjohjes ishte gazetari Elton Kikia, i cili u largua nga profesioni dhe Tirana për të jetuar në fshat ku ka hapur një fermë gomaricash.

Kur Rama i dha certifikatën e Mirënjohjes i tha me batutë: 

“Respekte! La gomerët e qytetit dhe erdhi për ti parë hajrin gomaricave këtu në fshat”.

Ora 17:23
Rama për inceneratorin e Elbasanit: Është një impiant ultra modern, ndër punët më të mira që janë bërë! Vjedhjen e heton prokuroria

 

Kryeministri Edi Rama nga Elbasani e ka cilësuar inceneratorin e Elbasanit si një nga veprat më të mira që është bërë. Duke u ndalur tek akuzat për korrupsion dhe vjedhje, Rama tha se kjo është një çështje të cilën e heton prokuroria.

‘Po shkon Edi Rama në vendin e krimit. Pse për Inceneratorët? Pse cili është krimi? Që hoqëm malin e plehrave, që në këtë orë pengonim që të shohim mirë atë diell. Dhe i dhamë Elbasanit mundësinë që mbetjet tim mbledhë dhe ti përpunojë në një impiant ultra modern. Nuk ndihem se kam bërë një punë të keqe, pro përkundrazi mendoj se është një nga punët më të mira që kam bërë për Elbasani. Ka filluar punë dhe do të fillojë që të prodhojë energji. Ai impiant është bërë që të krijohet një kompanie publike të përbashkët të qarkut, për t’i mbledhur të gjitha mbetjet dhe është ide shumë e mirë që ta shfrytëzojë.

Për atë janë shpenzuar paratë, që do të thotë që pjesa që ka të bëjë më korrupsion dhe vjedhje është një segment i gjithë kësaj pune të madhe për të cilin heton prokuroria dhe ndëshkon gjykata. Kush ka shfrytëzuar rastin që të bëjë një rrugë dhe dy punë të shkoj aty dhe të shkoj ku e kanë vendin ato që ndjekin rrugën e djallit.’- tha Rama.