Kryeministri Edi Rama merr pjesë në Forumin për marrëdhëniet Shqipëri - Serbi
TIRANË, 10 Nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ -Gjatë vizitës në Serbi, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, ku deklaroi se, "Për Ballkanin ka filluar një epokë e re".
Në fjalën e tij në këtë forum, Kryeministri Rama u shpreh se, "për të ardhmen evropiane të këtij rajoni, besoj vërtet se fatet tona janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Sfida që ne të jemi të suksesshëm në rrugën tonë drejt integrimit evropian është që të bashkëpunojmë".
"Që prej konfliktit të parë botëror ky mund të jetë viti i parë në të cilin nuk ka patur konflikte në asnjë nga kufijtë", tha Rama.
"Pas marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë ka patur disa porbleme për të diskutuar", vijoi kreu i qeverisë.
Rama shtoi se "edhe ne për shume vite kemi ushqyer ide të caktuara në rajon. Për shume vite Ballkani ka qenë metaforë për të përcaktuar vendet me konflikte nga ato pa konflikte. Natyrisht ka vende që pasi janë bërë pjesë e BE, kanë refuzuar të quhen vende të Ballkanit. Ne sot jetojmë në një moment shumë të rëndësishëm, kur mund ta bëjmë paqen në Ballkan si një paqe që ia vlen ta jetosh".
"Kjo paqe ku po jetojmë sot, natyrisht është e dobët, e cënueshme, por duhet ta transformojmë në një paqe që ia vlen të jetohet. Nuk mund ta pranoj që kjo paqe të jetë e cënueshme sa mund të thyhet apo dëmtohet nga njerëz që jetojnë në të shkuarën apo me të shkuarën", tha Rama.
Kryeministri Rama më tej theksoi se, Shqiptarët dhe serbët janë faktorë për stabilitetin e Ballkanit.
"Nuk lejojmë që marrëdhëniet mes dy vendeve të cenohen", tha Rama duke shtuar se, "Duhet të tregojmë që BE ka nevojë për ne, sa ne për atë.
Kryeministri Rama gjithashtu foli edhe për takimin me homologun serb Aleksandër Vuçiç. "Takimi me Vuçiç ishte i vështirë, por i drejtpërdrejtë dhe i dobishëm. Shpresoj që kryeministri Vuçiç të vij në Tiranë vitin tjetër". /a.ke/












