TIRANE, 28 Dhjetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielen se qeveria shqiptare është e angazhuar në operacionin e shpëtimit të pasagjerëve të tragetit "Norman Atlantik", që udhëtonte nga Igumenica drejt Ankonës. Trageti u përfshi mengjesin e sotëm nga flakë të mëdha në ishullin e Korfuzit. Sipas burimeve, në bord udhëtonin 466 persona, ndër të cilët mendohet se janë 22 shqiptare, ndërsa pjesa më e madhe janë grekë dhe turq . Megjithatë numri i pasagjerëve shqiptarë mund të jetë edhe më i madh për shkak të dyshtetësisë. "Jemi vazhdimisht në kontakt me palët italiane e greke e po bëhet maksimumi në kushtet e një moti të tërbuar që përbën një pengesë ekstreme!", shkruan Kryeministri rama në rrjetin social "facebook. Operacioni i shpëtimit ka nisur që në orët e para të ditës, por për shkak të motit të keq ndërhyrja për shpëtimin e pasagjerëve është e vështirë. Deri tani mësohet se jane evakuuar 140 persona ndersa 300 persona ndodhen ende në bord pasi nuk po evakuohen dot për shkak të motit të keq. Në vendngjarje janë afruar shumë mjete shpëtimi nga vendet e rajonit, ndërsa nga porti i Vlorës është nisur një rimorkiator si edhe një anije luftarake. Alarmi SOS u dha rreth orës 6:50 të mëngjesit të ditës së dielë, teksa forca e dallgëve të detit ishte 8 ballë./a.gjonaj/ /a.g/