Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse do të kishim negociata për në SHBA Shqipëria do të ishte anëtarësuar më shpejt se sa në BE, duke shtuar se për në SHBA nuk do të duhej të bindnin 27 koka, që janë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Shqipëria mori një mbështetje historike nga KE për çeljen e negociatave për të mbyllur përfundimisht humnerën, duke theksuar se jo të gjithë janë entuziastë për këtë hap të vendit tonë. Duke folur në ‘Ditën Evropiane’, kreu i ekzekutivit deklaroi se një ndër kriteret për t’u bërë pjesë e BE është edhe trashëgimia kulturore.

Pak javë më parë, Shqipëria mori një mbështetje historike nga KE për të çelur negociatat për ta mbyllur përfundimisht humnerën. Nuk e kemi pasur fatin që të jemi në sinkron dhe nuk e kemi as sot, sepse sot kur ne jemi te dera, pas derës jo të gjithë janë optimistë dhe entuziastë për të ardhmen e asaj shtëpie. Do përmbyllim projektin më vizionar dhe të jashtëzakonshëm që njerëzit kanë mundur të imagjinojnë, që është BE.

Nëse do përpiqeshim të gjenim në historinë e fuqisë së njeriut për të imagjinuar dhe në rezultatet e fuqisë së politikës për të vepruar zor se do të gjenim një projekt më madhështor se BE. Edhe SHBA në këtë aspekt janë një tjetër projekt madhështor i fuqisë së njeriut për të imagjinuar, por sot jemi duke u përpjekur që të çelim negociatat për t’u anëtarësuar në BE, mbase po të kishte negociata për në SHBA mund të kishte qenë më e lehtë për t’u anëtarësuar, sepse nuk do të bindnim 27 koka.

Një ndër kriteret për t’u bërë pjesë e BE është ai i trashëgimisë kulturore. Programi ynë kombëtar i shumëdiskutuar sapo është bërë me një vëlla të madh, programi i Macron, me 5 miliardë euro për të ripërtërirë qendrat e qyteteve të Francës. Programi ynë është vëllai më i vogël, e përbashkëta është forcimi i lidhjes së brendshme me hapësirën publike evropiane. Rastësia në këtë rast është më hegeliane se shpata që hap rrugën e domosdoshmërisë. Hapja e negociatave do të ishte edhe përputhja më e fortë simbolike e një historie.

Edi Rama, kryeministër

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:17
Rama-holandezëve: Më vjen për të qeshur me faktet tuaja, Basha është miku im i shtrenjtë

Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur dhe deklaratave të forta të tetë deputetëve të delegacionit të Holandës, të cilët u treguan skeptikë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Rama deklaroi se i vjen për të qeshur kur vijnë delegacione për të mbledhur fakte për një gjysmë dite, ndërsa e quajti mik të shtrenjtë Lulzim Bashën, duke shtuar me të e bashkon dashuria për Holandën.

Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione për të mbledhur fakte, më takojnë mua, ca deputetë dhe mikun tim të shtrenjtë, me të cilin na bashkon në rrugë të ndryshme dashuria për Holandën, Lulzim Bashën, dhe largohen, mbledhin fakte. Po çfarë lloj faktesh mund të mblidhen në gjysmë dite, ndërkohë që KE është një ushtri ekspertësh dhe burokratësh të panumërt të hanë fakte, pinë fakte dhe dëgjojnë vetëm fakte.

Kryeministri Edi Rama