Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari iu përgjigj akuzave të opozitës se kryeministri Rama po i ushtron presion drejtësisë për rastin e Belinda Ballukut. Lamallari tha se PS është ajo që ka ideuar reformën në drejtësi, duke ironizuar kundërshtarët politikë për të cilat tha se e dimë shumë mirë se kush kërkon asgjësimin e SPAK. Lamallari i tha opozitës se rotacioni politik vjen vetëm me verdikt popullor dhe jo me vendime gjykatash.
“Viti i ardhshëm shënon një moment të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Plot dhjetë vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi, një nismë kombëtare e cila i dha jetë institucioneve të reja të drejtësisë. Përveçse një nevojë ulëritëse kombëtare për më shumë drejtësi, reforma, me gjithë kundërshtitë, përpjekjet për ta bllokuar dhe efektet e pritshme ka padyshim një rol të veçantë në të ardhmen e afërt të një vendi dhe populli evropian, i cili sot më shumë se kurrë sheh se “Shqipëria si gjithë Europa” nuk është më një thirrje utopike pas kolapsit të një regjimi shtypës dhe dëshpërimit që pasoi nga një tranzicion sfilitës dhe zhgënjyes!
Padyshim, qenia vend kandidat sot me të gjithë grup-kapitujt e negociatave të hapura me Bashkimin Evropian, është falë dhe përparimit të shënuar nga zbatimi i Reformës në Drejtësi.
E teksa Komisioni Evropian raporton vit pas viti mbi arritjet, sfidat dhe rekomandimet për sistemin gjyqësor, si Ministër i Drejtësisë kam përgjegjësinë e dyfishtë politike, të qenit njëkohësisht i matur po aq sa i zëshëm:
-së pari para qytetarëve të vendit tim, pa dallim bindjeje apo përkatësie partiake;
-së dyti, ndaj institucioneve të drejtësisë në funksion të detyrës time ligjore për mbështetjen dhe koordinim me ta, në respektim të parimit demokratik të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve;
Me qëllimin NJË dhe të VETËM për të kontribuar për më shumë drejtësi dhe një sistem të fortë dhe të qëndrueshëm, në përvjetorin e 10-të të zbatimit të Reformës në Drejtësi, koha dhe pozicioni më diktojnë nevojën e një reflektimi të gjerë, gjithëpërfshirës dhe objektiv mbi arritjet dhe sfidat e drejtësisë, pas reformës!
Të nderuar deputetë, ishte PS ajo që ideoi dhe mbështeti vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Qytetarët e dinë shumë mirë se kush e kundërshtoi me çdo mjet dhe mënyrë. Është PS dhe kjo qeveri që është e vendosur të mbështesë me çdo kusht konsolidimin e saj. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush kërkon asgjësimin e SPAK-ut. Çdo ditë ne punojmë për forcimin e standardeve dhe institucioneve të drejtësisë sipas praktikave më të mira europiane duke përfshirë rishikimin e Kodit Penal dhe rishikimin e Kodit të Procedurës Penale.
Shqiptarët e shohin çdo javë se si të hënave shënjestrohen me emër dhe mbiemër prokurorët e SPAK dhe ngryset java me euforinë e mjerë kur subjektet e hetimit janë kundërshtarët politikë. Ne flasim për standarde, ju flisni për kallëzime dhe të pandehur edhe pse atë e keni në ballin tuaj. Ju mund të silleni sikur parimet kushtetuese të mos ekzistojnë, por ju e dini mjaft mirë prej 4 legjislaturash tashmë, se rotacioni politik vendoset me verdiktin popullor në kutitë e votimit dhe jo me vendime gjykatash”, tha Lamallari.
Lajmi kryesor:
Debate në Kuvend për Ballukun! Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me Ramën: Po i bën presion drejtësisë! PS: Çështja në Kushtetuese











