TIRANË, 11 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ - Kryeministri Edi Rama ka organizuar mbrëmjen e sotme një pritje për trupin diplomatik në vendin tonë me rastin e festave të fundvitit.
Në pritjen e zhvilluar në Sallën e Hartave në Kryeministri, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati është ndalur tek zhvillimet politike gjatë vitit 2014, dhe marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE.
Bushati theksoi se viti 2014 ka qenë një vit i suksesshëm, ndërsa sipas tij, "Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në rajon".
Sa i përket marrëdhënieve mes vendeve fqinje, Bushati tha se janë ulur tensionet me Greqinë duke filluar një bashkëpunim të ri. Sfidë, shefi i diplomacisë shqiptare cilësoi hapjen e kapitullit të ri të bashkëpunimit me Serbinë.
"Ne këtë vit e mbyllim me disa veprime konkrete sa i përket integrimit. Shqipëria në qershor mori statusin, duke bërë një hap përpara dhe duke marrë përgjegjësi të reja. U përfshimë në procesin e Berlinit, ku u dha një mesazh i qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Proceset e integrimit janë reflektuar me pozitivitet edhe për sa i përket politikës sonë në rajon. Përthyerja e krizave të ndryshme ndërkombëtare, e kanë kthyer edhe njëherë vëmendjen tek përgjigjja që i është dhënë në Ballkan. Shqipëria ka qenë në një linjë me SHBA dhe BE", tha Bushati.
"Kemi një rivitalizim të marrëdhënieve me vendet tona fqinje, marrëdhënie të reja me Italinë, zgjidhëm disa probleme me Greqinë, nisëm një marrëdhënie të re me Turqinë. Është kapitulli i ri me Serbinë, i rëndësishëm për stabilitetin politik në rajon dhe procesin për anëtarësim në BE. Filluam ndërtimin një partneriteti të ri me Kosovën. Një dimension tjetër gjatë këtij viti ishin dhe çështjet e sigurisë, që konkludoi me samitin e NATO-s", deklaroi Bushati.
Ndërsa Kryeministri Rama, duke falënderuar ministrin e Punëve të Jashtme dhe ministren e Integrimit u shpreh se marrja e statusit të vendit kandidat dhe mirëqeverisja gjatë këtij viti është padyshim rruga e duhur për të ecur përpara në procesin e integrimit evropian. Por, tha Rama, "pa rezultatet e kësaj skuadre, Shqipëria nuk do të kishte sot statusin e vendit kandidat".
"Ndihem i mbushur me entuziazëm pas këtij viti ku marrëdhëniet e Shqipërisë me rajonin dhe Evropën kanë qenë të veçanta. Falënderoj ministrin Bushati roli i të cilit ka qenë kyç në dinamikën e re që i ka dhënë integrimit të Shqipërisë. Po kështu falënderoj edhe ministren e Integrimit. Por puna e tyre është ndihmuar edhe nga puna e ministrave të tjerë për përmbushjen e prioriteteve kyçe për integrimin. Statusi i vendit kandidat për Shqipërinë, është arritje e bukur në këtë vit të parë të qeverisjes, është padyshim një hap i rëndësishëm i një pune të madhe", tha Rama.
Rama gjithashtu falënderoi deputetët e Komisionit të jashtëm, të cilët u shpreh ai, "na kanë shtyrë të punojmë më mirë dhe më shumë".
"Një falënderim joformal për deputetët e komisionit të jashtëm dhe atij të integrimit që na kanë dhënë mbështetjen e tyre, bashkë me vërejtjet dhe kritikat", deklaroi Rama.
Kryeministri Rama gjithashtu njoftoi se do të ketë një tjetër mbledhje të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, pas mbledhjes që u mbajt në janar në Prizren.
"Më vjen mirë që kjo fjalë vjen pas formimit të qeverisë së Kosovës, pasi ne shqiptarët shpesh jemi rrëzuar përpara pengesave sepse nuk kemi mundur të biem dakord me njëri-tjetrin. Mirëpres Kryeministrin e Kosovës që u nis në Prizren janarin e këtij viti për të çuar përpara projektet për arsimin e gjeneratës tjetër, turizmit, bashkimit doganor e evropian të dy vendeve tona. Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e një rajoni që ka gjetur më në fund paqen pas një kohe të gjatë", tha Rama.
Ndërsa duke folur për marrëdhëniet me BE-në, Kryeministri u shpreh se, Serbia nuk është më armiku i Shqipërisë, por fqinji ynë dhe duhet kthyer në një partner real në rajon.
"Në 2015 Serbia bëhet vendi i parë i rajonit që merr kryesinë e OSBE-së. Shqipëria do ta mbështesë Serbinë në këtë detyrë të re. Shpresojmë që këtë progres të mund ta konstatojmë edhe në zbatimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Preshevë. Serbia nuk është më armiku ynë, por fqinji që duhet kthyer në partner real për të ecur në të ardhmen e përbashkët evropiane.
Ndërsa theksoi se Shqipëria është me fat që është pjesë e projektit të BE-së, dhe pjesë e NATO-s, kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe tek raportet e vendit tonë me SHBA. Duke u ndalur tek raporti i CIA-s i publikuar së fundmi, kryeministri Rama tha se SHBA ka treguar edhe njëherë se çdo të thotë demokraci, duke treguar edhe dobësinë, e jo vetëm fuqinë. Nisur nga kjo, kryeministri Rama ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë ndaj SHBA, si një aleate besnike.
"Jemi me fat që jemi pjesë e projektit të BE-së, ashtu siç jemi me fat që një pjesë e botës së organizuar është nën ombrellën e NATO-s, si dhe jemi me fat që kemi një aleat si SHBA. SHBA na tregoi edhe njëherë se çdo të thotë të jesh një demokraci dhe të duash të jesh kështu, pavarësisht kostos që kjo ka. Sa vende të tjera do të ishin të gatshme të tregonin dobësinë e tyre? Ne, shqiptarët, morëm provën se jemi në anën e duhur të sigurisë, duke qenë besnikë të SHBA. Jam krenar që gjatë këtij viti Shqipëria ka rritur figurën e saj në rajon dhe rolin e saj në NATO. Zëri ynë aty ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë për politikën e dyerve të hapura në raportet tona me aleancën. Mbështesim anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, ashtu si do të mbështesim edhe Maqedoninë. Shprehim falënderime edhe për mbështetjen që Italia i ka dhënë integrimit të Shqipërisë në BE", u shpreh kryeministri Rama.
Duke përmendur arritjet gjatë këtij viti, Kryeministri Rama u shpreh se, "pa ndihmën e Kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe pa kompaktësinë e skuadrës tonë asgjë e mirë që është bërë për vendin nuk do të kishte qenë e mundur".
Ndërsa lidhur me bojkotin e opozitës, Rama theksoi se, "fakti që opozita nuk është në parlament nuk dëmton opozitën, por dëmton vendin dhe e cënon në sytë e të tjerëve. Nuk e di çfarë mund të bëjmë që të kthehen në vendin e punës, por mund të them se jemi gati për të bërë gjithçka që na kërkojnë"./m.m/