Rama, profecia e '92: Politika
si shkallare, bëhesh kurban

Rama, profecia e '92: Politika <br />si shkallare, bëhesh kurban
TIRANE - "Politika më është dukur gjithnjë si një shkallare pa fund, në çdo shkallë të së cilës, duke u ngjitur, duhet të bësh kurban një pjesë të vetvetes...”.
E përfytyroj Edi Ramën piktor, ndërsa, i ulur në shkallët para Akademisë së Arteve, në këtë foto të gazetarit italian të “Avvenire” Giovanni Ruggiero, do të ngrihet e do ta ndërmarrë këtë rrugëtim, drejt politikës, e mbase shumëçka nga vetja do ta bëjë KURBAN.
Kjo frazë ishte në të vërtetë një ftesë ngacmuese, ndërsa e lexova në krye të një interviste mbreslënëse, botuar në gazetën DRITA më 26 prill të vitit 1992, realizuar nga gazetari Arben Kallamata.
Por vijimi i leximit ishte më sfidues. Herë-herë duket se Edi Rama piktor dhe intelektual aktivist i 1992, reflekton idetë e sotme për shumë koncepte mbi politikën, trashëgiminë dhe marrëdhëniet e intelektualëve me forcat politike.
Ndonjëherë frazat pa optimizëm të thëna në 1992, duket sikur janë thënë sot...e duket sikur demokracia s’ka mbërritur kurrë në Shqipëri.
Konceptin e ringjalljes e cila s’duhet të mbështetet tek politika por tek individi, apo konceptin e gënjeshtrave të vjetra dhe të reja, deri tek përgjgijet e gatshme që shqiptarët edhe sot 20 vite më vonë vijojnë ti marrin nga tribunat....të gjitha këto e veshin këtë rrëfim më një tis gati profetik, të cilin nëse duam ta shpërfillim, do të na duhet të përqafojmë idenë se kjo intervistë na kujton që koha ka nceur në vend për shqiptarët.
Edhe pse intervistuesi dhe i intervistuari përpiqen të flasin për artin e ta lënë mënjanë politikën, ajo vijon të ndërhyjë mes rreshtash. E megjithëkëtë, shumë probleme të artit dhe intelektualëve shqiptarë të fillimviteve ’90-të shpalosen në analizën e thellë e mbresëlënëse të artistit Edi Rama. Kështjella e realizmit socialist, kontribuesit që e ngritën deri në qiell, e përballë kësaj, një koncept interesant për kështjellën e realizmit demokratik, mandej lumi i disidentëve që vërshoi në ’90-ën e debatet për disidencë të vërtetë e të rreme...
Edhe në hullinë e diskutimeve mbi artin biseda e Kallamatës dhe Ramës është tejet aktuale edhe sot.
E parë në këtë këndvështrim, botimi i kësaj interviste në faqet e Rilindasit na u duk me mjaft interes. Sikundër edhe një intervistë aktuale për “RILINDASIN”, me gazetarin Arben Kallamata, i cili 20 vite më vonë, ka një pyetje thelbësore për ti bërë sot, Edi Ramës politikan: “Sa i kanë hyrë në hak dhe sa e kanë mjegulluar lëshimet dhe kompromiset vizionin e tij fillestar? E thënë ndryshe, unë thjesht jam kurreshtar të di se si do ta komentonte Edi Rama i vitit 1992 Edi Ramën e vitit 2012. Duke pasur parasysh atë Edi Ramë që njoh unë, kam frikë se komenti do të ishte tepër ashpër...”.

Kështjella e “pamposhtur” e realizmit socialist nuk ra nga qielli

Intervistë me piktorin Edi Rama

Arben Kallamata: Ç’lidhje ka arti me politikën?
Edi Rama: Mund të merrnit një përgjigje sikur këtë pyetje t’ia bënit një politikani që merret me art, ose një artisti që merret me politikë dhe jo mua, pasi unë merrem vetëm me art. Politika më është dukur gjithnjë si një shkallare pa fund, në çdo shkallë të së cilës, duke u ngjitur, duhet të besh kurban një pjesë të vetvetes.
Angazhimi im në proceset e vitit të fundit nuk është aspak vendosje lidhjesh me politikën, por vetëm protestë instiktive e artistit ndaj gënjeshtrave të vjetra dhe të reja, që sjellin papërgjegjshmërinë, tjetërsimin dhe asimilimin e individit, duke krijuar një shumicë, të mësuar me sytë përpjetë, për ti marrë si të mirëqena, si të vetmet të vërteta të mundshme, përgjigjet e gatshme që vijnë nga lart-poshtë, (duke kuptuar me “lart” jo lartësinë qiellore prej nga marrim frymën e zotit, por lartësinë e tribunës). A nuk ishin përgjigjet e gatshme që e mbajtën të gozhduar në të pesë cepat e yllit të kuq, njeriun shqiptar?
Personalisht, përgjigjet e pyetjeve të mia nuk më pëlqen aspak t’i marr nga lart, e kësisoj e kam të pamundur t’i shmangem tentacionit të prononcimit tim në publik, prononcim që më shumë se sa politikë, siç ju pëlqen politikanëve ta cilësojnë çdo qëndrim të pavarur, unë vetë do ta quaja “politikë antipolitike”, sipas konceptit të Havelit. Fjala vjen, kur pyes veten se sa do të vazhdojë errësira në Shqipëri, nuk më pëlqen të dëgjoj nga tribuna se nata e gjatë mbaroi dhe se tani filloi dita, sepse gjithkush që dëshiron të mendojë, mund ta kuptojë fare lehtë, që nata e gjatë e komunizmit nuk mund të mbarojë me mitingje, dhe as demokracia nuk mund të agojë me mitingje. Më vjen zor nga vetja kur njerëz që njihen për të ditur shkruajnë dhe thonë se më 22 mars erdhi demokracia, sikur demokracia të ishte Plaku i Vitit të Ri, që do t’ju sjellë shqiptarëve të materializuara në pako me fjongo të kaltra, ëndrrat e tyre shumëvjeçare. Në ditën historike të 22 marsit ne mundëm komunizmin dhe, në këtë mënyrë krijuam premisën themelore për të ngritur një shtet demokratik, por ama nga krijimi i premisës tek krijimi i shtetit na ndan një kohë shumë më e gjatë se sa kohëzgjatja e entuziazmit të ligjshëm të fitores. Nejse nuk dua të zgjatem, dua vetëm të them se as kam pasur dhe as kam iluzione të bazuara tek formulat magjike të tribunave, qofshin këto edhe më të kaltrat në botë. I besoj individit të lirë dhe, përderisa ky individ në mjedisin tonë do të jetë i tjetërsuar në funksion të përgjigjeve që vijnë të gatshme nga lart, demokraci në Shqipëri nuk do të ketë. Ju takon të gjithë atyre intelektualëve që e kuptojnë këtë, sado të paktë të jenë në numër, që përpara se të vihen me zell në shërbim të partive, të mbrojnë pa kompromise individin, si të vetmen alternativë konkrete për ngritjen e një rendi demokratik që nuk mund të jetë kurrsesi produkt i populizmit e i fundamentalizmit, por rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme sipas principit “të vetmuar dhe solidarë”.

A.K. Nuk iu përgjigjët pyetjes...
E.R. E di.

A.K A mund të bisedojmë dot vetëm për artin pa përmendur asnjëherë nocionin politikë, apo ndihesh sikur të censurojnë mendimin?
E.R. Jetojmë inercinë e diktaturës, domethënë imponimin e paaftësisë me anë të censurës, ose më saktë një lloj më të veçantë censure, kështu që edhe sikur të ndihem i censuruar, ngushëllohem me rastin që më jepet për ta pohuar këtë ndjenjë zyrtarisht, gjë që deri dje qe e pamundur. Para së gjithash këtu në Shqipëri, s’më duket se bëhet fjalë ende për nocione politike. Tanimë dihet se ç’ka u quajt këtu politikë për gjysmë shekulli me radhë qe thjeshtë një terror i organizuar policor mbi individin, ndërsa ajo që quhet sot politikë është një lëvizje mbarëpopullore e etur për demokraci.
Në këtë kontekst vështirë t’i ndash proceset e përshpejtuara që ndodhin në ndërgjegjen e çdo njeriu të artit në rrethanat e reja. Për këtë flet vetë amullia e madhe që ka pushtuar opinionin rreth meritave dhe përgjegjësive të artistëve në diktaturë, zhurma shurdhuese e mijëra intelektualëve impotentë nga të gjitha fushat e jetës shqiptare, të cilat shpresojnë se magjistarja demokraci do t’ju japë më në fund kënaqësinë e orgazmës, ankim i pareshtur i virgjëreshave sterile, në trajtë burrash ose grash, që betohen se kurrë nuk kanë flirtuar me realizmin socialist.
Arti apo më mirë ajo që kuptohet këtu me art, është përzierë keqas me moralin apo më mirë me atë që kuptohet këtu e moralshme, sepse qindra dështakë të realizmit socialist, ashtu si qindra të tjerë të paaftë, në shkenca, në ekonomi, ose ca më keq në vetë karrierën politike në PPSH, janë kapur pas anijes së ish-opozitës zyrtare për të fituar atë që paaftësia e tyre nuk ua dha në kohën e diktaturës. Në rastin më të mirë për të identifikuar me anë të së ashtuquajturës politikë, unin e tyre amorf e në rastin më të keq për të vënë gjethen e fikut mbi të kaluarën e tyre të dështuar.

A.K. Po ja të flasim jashtë politikës për artin e realizmit socialist....
E.R. Realizëm socialist, “sociologjizëm” vulgar apo barbari estetike, këto janë terma të mbyllura në vetvete që tani kanë mbetur në kujtimet e Enver Hoxhës, në përsiatjet e profesorëve me PROF përpara apo në fjalorin e atyre që kanë kohë për të humbur në mënyrë persekutivo-mediative.
Kështjella e pamposhtur e realizmit socialist nuk ra nga qielli, ajo u ndërtua dhe u mbrojt me fanatizëm nga po ajo armatë, e cila sot e ka braktisur, e ka rrethuar dhe po e sulmon me teorizime që çdo idiot do t’i kishte zili. Nuk arrij të kuptoj pse askush nuk e pranon hapur kontributin që ka dhënë në ndërtimin dhe mbrojtjen e asaj kështjelle, arsyet e jashtme dhe motivet e brendshme që e kanë shtyrë në një ndërmarrje kaq të nderuar për vështirësinë që paraqiste?! Artistit nuk mund ti bëhet gjyq, sepse është ai vetë që e gjykon vetveten e që pastaj zgjedh: të rrëfehet për hir të brezave që vijnë, apo të bëjë vepra të denja për një sistem të ri vlerash. Kur të tillë nuk gjenden a mund të mendosh se kemi të bëjmë me artistë? Sidoqoftë kujtdo i duhet kohë. Hë për hë magjia e rinovimit i ka pushtuar të gjithë të ikurit nga kështjella e Realizmit Socialist dhe është për të ardhur keq, kur sheh se ata jo vetëm nuk kanë kohë të na rrëfejnë gjësendi me vlerë, jo vetëm nuk gjejnë kohë të krijojnë gjësendi me vlerë, por edhe të ardhmen e shohin me sytë e të kaluarës. Ende ndihen të lidhur me ushkurin e shtetit, e me sa duket ëndërrojnë të ndërtojnë një kështjellë të re, që fare mirë mund ta quajnë kështjella e realizmit demokratik.

A.K. Ju pyes për artet figurative. A mendoni se gjithçka e krijuar gjatë diktaturës i përket realizmit socialist? A ka vepra realiste dhe a ka vlera mes tyre?
E.R. Pavarësisht se ju më pyesni kryesisht për artet figurative futemi përsëri në rrethin vicioz, ku ka mbetur armata e lartpërmendur në një kohë që gjërat janë relativisht të thjeshta, them relativisht të thjeshta, sepse mjaftojnë disa nocione fillestare të interpretimit filozofik të vlerës artistike, për të mos u futur në këtë rreth vicioz, ku në fakt kanë mbetur të gjithë ata që duan të ngrenë një sistem të ri vlerash sipas gjykimit marksist të së bardhës dhe të zezës.
Kësisoj dialogu humbet çdo mundësi për të ekzistuar dhe sistemin nuk e përcakton ekzistenca e tij reale, por qenia në këtë apo atë krah të barrikadës, paçka se në këtë mënyrë shumëkush nuk e kupton si bëhet në të njëjtën kohë gjykatës dhe i pandehur, nëse do ti referoheshim konceptit bergsonian të së kaluarës si pjesë e së tashmes.
E shihni që përsëri hyjmë në relacionet midis të ashtuquajturës politikë ekzistuese dhe të ashtuquajturit art i trashëguar nga e kaluara? Mendoj se arti i së kaluarës në vend që të bëhet kalë beteje për kalorësit, që pelerinën e kuqe e ngjyrosën në të kaltër, apo edhe për ata që pa dashje pelerinën e kaltër po e njollosin me të kuqe, duhet ti nënshtrohet gjykimit kritik në funksion të vlerës.
Në këtë mënyrë ky art duhet parë në disa shtresa duke marrë përsipër rriskun e madh të keqkuptimit me faktorin kohë. Pikërisht ekziston në artin e të kaluarës një lidhje eksplicite midis veprës dhe politikës, e kjo i përket pothuajse të gjithë asaj që arriti të krijohej në sistemin ekzistues të vlerave me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin.
Mirëpo menjëherë pas kësaj lidhje eksplicite, që e nxjerr në pah veprën e artit si shprehje të politikës, duke rrezikuar të na vendosë në pozicionin e mohuesit marksist, gjejmë fenomenin e ambiguitetit të vlerave artistike.
Duke qenë një shprehje simbolike e realitetit, arti është fenomen ambicioz që sipas kohërash e tendencash të ndryshme, mund të marrë edhe interpretime të ndryshme.
Mbi prillin e thyer mund të ngresh kultin e diktaturës, po aq sa edhe kultin e pavarësisë së individit. Tendenca që e njejëson artistin me njërën anë të shfaqjes së simbolit, është melankolikisht marksiste, e kësisoj edhe kritika sipas kësaj tendence mbështetet mbi një subjektivitet ideologjik, i cili në të dy kahjet e tij mbetet në funksion të një politike të caktuar dhe i cunguar në funksion të gjykimit kritik.
Gjithashtu s’duhet të harrojmë në analizën tonë fenomenet artistike pannjerëzore, të cilat mund të gjejnë shtrat në të gjithë llojet e perceptimit të veprës, pavarësisht nga funksioni ideologjik, për të përfunduar pastaj me nocionin e thjeshtë filozofik sipas të cilit arti dhe politika janë dy gjuhë të ndryshme e për këtë, të paasimilueshme me njëra-tjetrën.
Në kontekstin e këtyre shtresave mund të shihet më qartë arti i së kaluarës, i cili edhe pse përfshihet i tëri, të paktën arti që njohim deri tash, në çatinë e realizmit socialist, nuk mund të gjykohet nga baza e një politike, që tenton jo gjithmonë me sukses të mos jetë më ajo e dikurshmja, por nga baza e një sistemi të ri vlerash.
Ajo që duhet të preokupojë ata pak artistë e njerëz të kulturës, të cilëve nuk iu fanepset para syve kështjella joshëse e realizmit demokratik, është pikërisht krijimi i një sistemi të ri të vlerave. Ky sistem kërkon artin e ri sepse përndryshe e bjerrim kohën kot me diskutime e artikuj që çdo sy gjakftohtë nga jashtë do ti merrte për bëma grindavecësh injorantë sikundër dhe janë në fund të fundit. Kemi përpara ëndrrën e një Shqipërie të re dhe trashëgojmë nga e kaluara dy Shqipëri: e Enver Hoxhës me gjuhë e duar të këputura dhe Shqipërinë e realizmit socialist me pushkë e kazëm në dorë e libër nën sqetull. Këto dy Shqipëri duhen organizuar thellë, nëse duam të bëjmë realitet ëndrrën e Shqipërisë së re. Artikujt e shumtë, krejt të cekët jo vetëm që nuk ndihmojnë në analizën që nevojitet, por ç’është më e keqja, venisin ëndrrën.

A.K.Sidoqoftë, nga të gjitha format e shprehjes artistike në këtë periudhë kaosi 1-vjeçar veç piktura ka qenë aktive. Të tjerat përegjithësisht kanë vegjetuar, ose në atë pak raste lëvizjeje nuk kanë mundur t’i shkëputen rutinës së mëparshme. Ç’mendoni?
E.R. Përgjithësisht piktorët shqiptarë nuk shkruajnë artikuj dhe kohët e fundit nuk kanë pasur rast të ndeshen për heroizmat e të kaluarës, duke përjashtuar ndonjë moment të veçuar. Nuk është hera e parë që pohoj se Shqipëria është një vend piktorësh dhe se ka disa piktorë të shkëlqyer me potencë. Tendenca për të kthyer potencën në art, në kushtet e reja të cilat janë shumë më të favorshme për piktorët, i ka shtyrë ata të punojnë dhe të hapin ekspozita. Në disa nga këto ekspozita ndihet që piktura ka hyrë në rrugë të re, e cila edhe pse është ende larg reflektimit të vlerave reale, që kanë këta autorë, mbetet e vetmja iniciativë konkrete në mjedisin shqiptar që tenton për nga Evropa. Nuk do të isha dakord që të tjerët kanë vegjetuar, por duhet të kuptojmë pozicionin e tyre tani që protektorati i shtetit nuk ekziston më. Piktorit i mjafton qoftë dhe një letër e një laps, ndërsa shkrimtarit i duhet shtëpi botuese, për të mos folur pastaj për regjisorë e aktorë.

A.K. Çfarë roli ka në këtë mes komercializmi?
E.R. Ka edhe komercializmi rolin e tij, por unë nuk fola këtu për ata që rendin pas turistëve, me plot të drejtë për vetë talentin dhe aspiratën e tyre...

A.K. Në një intervistë të dhënë para disa muajsh gazetës tonë, keni përmendur pikat e një programi ambicioz të degës së arteve figurative në Akademinë e Arteve. Sa është realizuar ky program dhe sa mendoni se do të ndikojë?
E.R. Ende jemi në komunizëm si mendësi dhe si potencial ekonomik. Kështu si të gjithë programet ambicioze të bëra në Shqipëri, ndoshta ka mbeture për të ardhmen.

A.K. Si e shpjegoni që ju si dhe shuam të tjerë të brezit tuaj, ose edhe të brezave rrotull ndonëse të mbrujtur me programe socialiste i bëtë rezistencë rutinës, dhe ishit të parët që u hodhët drejt lirisë së shprehjes. Mos vallë programi mësimor nuk ka të bëjë fare, ose të paktën disa njohuri për realizmin janë kurdoherë të domosdoshme?
E.R. Pikë së pari nuk mendoj se jam mbrujtur me asnjë program socialist, as unë dhe as shokët e brezit tim. Së dyti ishim ne të parët që u hodhëm drejt lirisë së shprehjes, sepse koha ishte me ne. Nuk besoj se në përgjithësi jemi më trima ose më me talent se paraardhësit. Më me fat po. Hymë në shkollën e artit, por sidoqoftë ishte vetëm një fasadë, pas së cilës kush kishte talent, mund të vazhdonte të thellohej në punën e tij.
Rrënqethem i tëri kur imagjinoj Plenumin IV. Në atë kohë ku ta dish se ç’do të bëja? Mund të isha armik i regjimit, por mund të isha ndoshta edhe spiun; mund të shihja se si më dilnin shokët në gjyq, por edhe mund të kisha sot me vete turpin e një dëshmitari të rremë. Më vjen për të qeshur me të gjithë disidentët e vitit ’90. Me veten nuk qesh sepse nuk e kam quajtur veten kurrë të tillë. Disidentët janë të tjerë. Ata nuk kontribuan në lindjen dhe rritjen e Enver Hoxhës, ata nuk ndenjën si triumfatorë në bedenat e kështjellës së realizmit socialist, ata edhe sot e gjithë ditën meditojnë dhe punojnë, sepse disidentët kanë moral, sepse protesta e tyre pikësëpari është protestë ndaj vetes.

A.K. U munduam t’i shmangemi politikës dhe më duket se nuk ia dolëm dot. Aty këtu na u fut nëpër rreshta. Të jetë vallë politika më e fortë, më agresive se sa arti. Nëse po e mendon këtë si një superioritet momental apo të përhershëm?
E.R. Politika do të jetë më agresive sesa arti deri kur njerëzit ta kenë mbështetur shpresën për ringjallje tek ajo, ose ndryshe deri kur individi në Shqipëri, të jetë kaq pa vlerë sa ç’është sot. Por kam besim se sa për paaftësi të politikanëve, aq edhe për shkak të zhvillimit të natyrshëm të tyre, shumë shpejt njerëzit do ta kuptojnë pse demokracia do të ishte sistemi më i keq, sikur sistemet e tjerë të mos ishin treguar edhe më të këqinj.

Bisedoi: Arben Kallamata
Gazeta “Drita” 26 prill 1992

(ap/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zbërthimi i SKY ECC/ SPAK njoftim zyrtar për 21 masat e sigurisë mes tyre dhe për Suel Çelën

Zbërthimi i SKY ECC/ SPAK njoftim zyrtar për 21 masat e sigurisë mes tyre dhe për Suel Çelën