Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga plazhi i Durrësit. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e cilëson qytetin bregdetar si një prej destinacioneve të preferuara të pushuesve vendas dhe të huaj, duke veçuar detin, historinë, kulturën dhe mikpritjen shqiptare.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje verore nga Durrësi, një prej destinacioneve të preferuara të pushuesve vendas dhe të huaj, ku deti, historia, kultura dhe mikpritja shqiptare krijojnë një përvojë të veçantë për çdo vizitor, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Ndërkohë në videon e postuar turistë nga Gjermania, Holanda, Anglia, Republika Çeke, Italia etj., shprehen pozitivisht për bregdetin, klimën, mikpritjen dhe çmimet në Durrës.
“Është plazh i madh. Është shumë nxehtë, por na pëlqen të jemi këtu, është relaksuese”, thotë turisti nga Gjermania.
Të tjerë e cilësojnë Durrësin një destinacion të përshtatshëm për pushime.
“Më ka lënë një shije të mirë Durrësi, moti është shumë i mirë, plazhi më pëlqen shumë dhe njerëzit janë miqësorë”, shprehet një tjetër vizitor.
Turistët veçojnë edhe mikpritjen shqiptare dhe çmimet, të cilat i konsiderojnë të arsyeshme krahasuar me destinacione të tjera.
“Qytetarët këtu janë shumë miqësorë. Ushqimi është i mirë dhe i lirë, kjo është perfekte”, shprehet një turist, ndërsa një tjetër thekson se çmimet janë të favorshme dhe njerëzit janë të sjellshëm dhe të gatshëm për të ofruar ndihmë.
“Është vendi perfekt për të kaluar këtë të nxehtë, krahasuar me Anglinë që për momentin është pak ftohtë”, shprehet një vizitor nga Londra.
Në fund, turistët shprehen se do t’ua rekomandonin Shqipërinë miqve dhe familjarëve të tyre, ndërsa disa prej tyre premtojnë se do të rikthehen sërish.
“Patjetër që do t’ua sugjeroja miqve që të vizitojnë Shqipërinë. Do t’ua këshilloja miqve të mi të vijnë këtu, merrni edhe familjet tuaja. Do të vijmë përsëri. Unë do të thoja: eja në Shqipëri”, thonë ata.










Komente
Komento