TIRANE- Një ditë nga fillimi i sesionit të ri parlamentar kryetari i PS i përsërit kryeministrit qëndrimin se vetëm votimi nga mazhoranca i ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga opozita janë kusht që PS të votojë heqjen e imunitetit. Ndërsa Berisha po bën "lojë pa top" me çështjen e referendumit.  "Nëse mazhoranca do t'i miratojë këto ndryshime atëherë heqja e imunitetit do të votohet brenda shtatorit, nëse nuk do të votohen atëherë është një arsye më shumë që në zgjedhjet e 2013 kjo qeveri të rrëzohet me votë"- tha Rama. Duke akuzuar qeverinë se po çon vendin drejt rrënimit të mëtejshëm, informoi për nisjen e rrugëtimit “Dialogu për të ardhmen”

VOTO NDRYSHIMET KUSHTETUESE

“Në jemi pro kufizimit të imunitetit, aq më tepër që ky që është miratuar është varianti ynë. Jemi gati ta votojmë imunitetin sapo të mbyllet diskutimi për ndryshimet e miratuara prej nesh Nëse pala tjetër do i votojë pa asnjë dyshim do të jetë një hap i madh përpara për vendin shoqërinë e cdo individ dhe mbështetja më e madhe që mund t’i jepet Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Nëse nuk i voton shqiptarët të mbajnë shënim e të gjykojë me votë, edhe pse arsyet për ta larguar me votë janë më shumë se të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për të tjerat. Kjo është një arsyeja për të kuptuar që nuk jemi ne që bllokojmë zhvillimin, integrimin e rrugën e mirëqënies por ky pushtet që duhet t'u hapë rrugë Shqipërisë për të shkuar sa më shpejt në BE"- tha Rama. Nga selia rozë, kreu socialist e cilësoi sot në mesditë “një lojë pa top” propozimin e kryeministrit Berisha për organizimin   referendumit për çështjen e imunitetit dhe nënvizoi se propozimet e PS-së nuk janë kushte, por amendamente që i japin më shumë siguri qytetarëve.

"Loja pa top për të hutuar publikun me referendumin sikur medemek Saliut po i digjet shpirti që të luftojë korrupsionin duke u tallur histerikisht me shqiptarët në fakt, sepse thotë ne ndërtojmë opozita bën korrupsion gjë që nuk ekziston asgjëkundi, mund të vazhdojë. Por është e qartë; se në rast se ajo lojë vazhdon atëherë jo vetëm që jemi ne që duam debat për ndryshime kushtetuese thelbësore dhe që duam votim për të gjitha sëbashku, përfshirë edhe kufizimin e imunitetit në funksion të statusit të kandidatit, por edhe që pala tjetër me në krye këtë kryeministër është pala më e painteresuar në Shqipëri për integrimin Europian të vendit dhe për një afrim të mëtejshëm me Bashkimin Europian që do ta nxirrte atë ende më të ekspozuar në të gjitha mëkatet dhe deformimet e saj shumë të dukshme."


JA PROPOZIMET TONA PER NDRYSHIMET NE KUSHTETUTE

“I kemi paraqitur një paketë amendamentesh kushtetuese që kanë të bëjnë me një reformë themelore të drejtësisë. Propozuam që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5 e votave, pra të marrë fund zgjedhja nga një parti e vetme e gjyqtarëve apo nga një njeri i vetëm sic ndodh sot. Nënvizoj se kjo nuk është shpikja jonë apo diktim i pakicës mbi shumicën por mbështetur mbi Kushtetutën e vendeve demokratike . Ky ndryshim e departizon zgjedhjen e gjyqtarëve në dy gjykatat më të rëndësishme të Shqipërisë. Propozuam që ministrat e deputetët të hetohen e gjykohen si qytetarët e zakonshëm, në gjykata të zakonshme e jo nga gjyqtarë që kanë emëruar vetë. Prandaj duhet votuar ky ndryshim thelbësor. Ndryshuam amendamentet për dekretet e presidentit që të mos rrinë me muaj në sirtaret e zonjës Jozefinë për t’u kthyer në pengje politike apo letra monetare. Prandaj duhen votuar edhe ky ndryshim kushtetues. Propozuam që rregullorja e parlamentit të miratohet me shumicë të cilësuar. Këto janë amendamente që i japin më shumë siguri qytetarëve që po vuajnë nga një drejtësi e korruptuar por dhe një pushtet politik që korruptohet dhe korrupton" ”- u shpreh Rama.


SHQIPËRIA MË KEQ SE IRAKU, BERISHA NXORI SHQIPËRINË NË ANKAND
Rama tha sot se situata aktuale e Shqipërisë ku shifrat e vdekjeve nga krimi, aksidentet dhe vjedhjet në 90 ditë janë më shumë se në Irak e Afganistan janë dëshmi se “shteti nuk funksionon vetëm propaganda dhe krehja e zyrtarëve para kamerave.”

“Shifrat e kriminalitetit janë rritur ethshëm. Në 90 ditët e fundit humbën jetën 158 shqiptarë, nga vrasje, vjedhje e aksidente nëpër rrugët pa standarde që inauguron Saliu. 250 të tjerë janë plagosur. Nuk janë kaq shifrat as në Irak e as Afganistan. Kjo është dëshmi se shteti nuk funksionon. Funksionon vetëm propaganda dhe krehja e zyrtarëve para kamerave. Po jetojmë degradimin e plotë të shtetit, nën ç’qeverisjen e Saliut i cili vodhi zgjedhjet dhe po nxjerr në ankand shtetin në 100 vjetorin e vet."

RAMA: FULLANI PAGUAN NJE GRUP VOLEJBOLLISTESH ME SHUME SE 3 FEDERATA BASHKE
Rama iu referua dhe shpenzimeve të Guvernatorit të Bankës Ardian Fullani. "Po habitet Shqipëria dhe bota me guvernatorin për madhësinë e rrogës që i ka dhënë vetes. Paguan me para publike një ekip volejbollistësh që shpenzojnë më shumë se 3 federata"

PS NIS DIALOGUN PER TE ARDHMEN

Duke akuzuar qeverinë se po çon vendin drejt rrënimit të mëtejshëm, informoi për nisjen e rrugëtimit “Dialogu për të ardhmen”
”Do shumëfishojmë komunikimin me qytetarët për t’i dhënë fund rrënimit të mëtejshëm. Do të jemi nëpër qytete e fshatra për të dialoguar me çdo shqiptar që do ripërtëritjen e Shqipërisë dhe ribashkimin. Do t’u tregojmë një më një dhe arsyet pse nuk duhet të votojmë këtë pushtet. Do t’i jemi 300 ditë rresht deri kur shqiptarët do të zgjedhin mes rrënimit të mëtejshëm dhe tatëpjetën e një keqqeverisjeje në një rrugë të mirë për të ardhmen. "- tha Rama.
(sg/shqiptarja.com)