Rama:Serbët, alibi me flamurin 
Ne krenarë, jo pre e provokimit
Rrezikohet vizita e Ramës/
Nikoliç: Provokim terrorist/
FSF:Duam fitore/UEFA nis hetimin..s'ka dhunë!!!

Rama:Serbët, alibi me flamurin <br />Ne krenarë, jo pre e provokimit<br />Rrezikohet vizita e Ramës/<br />Nikoliç: Provokim terrorist/<br />FSF:Duam fitore/UEFA nis hetimin..s'ka dhunë!!!
SHBA - Valëvitja e flamurit kuq e zi mbi stadiumin “Partizani”, mes mijëra flamujve serb, u përdor nga Beogradi zyrtar si alibi për të mbuluar dhunën e tyre të pashembullt ndaj futbollistëve shqiptarë. Me këtë qëndrim kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shpreh reagimin e tij në lidhje me incidentet gjatë dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i qeverisë tha flamuri i komanduar me dron mbi fushën e blertë serbe nuk fsheh asnjë provokim, pavarësisht se autoritetet serbe u ndjenë të tillë.

“Në lidhje me atë çka ndodhi ishte një fatkeqësi. Ishte një akt dhune dhe racizmi. Së pari dua të ndaj me ju futjen në ekran të flamurit fluturues, që e ndoqa në arvard që ishin nga shumë vende, dhe ajo shfaqje provokoi hilaritet dhe ju duk diçka e bukur. Pra larg zonës së nxehtë të urrjejtes askush nuk u ndje i provokuar nga flamuri, por fatkeqësisht deri edhe autoritetet e larta serbe thonë se janë ndjerë të provokuar dhe kjo është thjesht për të shprehur keqardhjen e thellë që shfaqja e flamurit në një fushë futbolli të mund të përdoret si alibi për atë çka ndodhi që kur u këndua himni kur stadiumi ulërinte “vritini shqiptarët” dhe deri tek dalja nga stadiumi e ekipit nën një dhunë të pashembullt. Ne si shqiptarë duhet të ndjehemi mirë se nuk kemi lidhje me atë çka u shfaq si një shëmbëlltyrë e egër e së shkuarës që duam ta lëmë mbrapa, pasi futbolli nuk mund të bëhet instrument i politikës, dhe se poltika nuk mund të udhëhiqet nga çka ndodh në një ndeshje futbolli”, u shpreh Rama.

flamuri
sherri serbi
ndeshja
(Në foto: Flamuri me simbolet shqiptare që fluturoi mbi stadium dhe dhuna që u ushtrua ndaj ekipit tonë kombëtar)
 
Për kreun e qeverisë shqiptare lajmet e përhapura në mediat serbe se ishtepikërisht vëllai i tij ai që komandonte flamurin, janë sërish një alibi e Beogradit për të fshehur urretjen e tyre që buron nga e shkuara. Duke e mohuar në mënyrë kategorike faktin se Olsi Rama është arrestuar nga autoritetet serbe, kryeministri tha nga ana tjetër se me sjellen që treguan në fushë, shqiptarët janë shembulli që bëjnë diferencën në Ballkan.
 
“Përsëri keqardhje dhe përsëri shprehje e një ndjenje mjaft keqardhëse për të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që nuk tregon asgjë tjetër veçse përpjekje për tu kacavjerë në një alibi për ta përdorur si një gjethe fiku për të fshehur lakuriqësinë që u shfaq urretja e së shkuarës dhe që ka penguar rajonin tonë për të shkuar përpara. S’ka asgjë të vërtetë në këtë, por se sa larg realitetit dhe qëllimeve tona të përbashkëta nga çka u shfaq dhe dje dhe u komentua edhe sot nga autioritetet serbe. Por Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të bien në këtë nivel, por ne do jemi shembulli i një transforimi nga një urrejtje në një oaz bashkëpunimi në të gjithë rajonin. Dua ta mbyll duke i parë të gjithë se të jemi të gjithë krenarë për kombëtaren dhe se ne sot në Ballkan bëjmë diferencën dhe pa rënë pre e çfarëdo provokimi e shfaqje që vjen nga e kaluara”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Ndërkohë dita e sotme është karakterizuar nga reagime të forta nga ndërkombëtaret por edhe autoritetet sportive. Bashkimi Europian, përmes Maja Kocijancic, zëdhënëses së shefes së Politikës së jashtme në BE, Caatherine Asthon tha se autoritetet serbe vepruan me përgjegjshmëri.  “Në konsiderojmë se politika nuk duhet të udhëhiqet nga provokimet në stadium. Ne nënvizojmë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe mirëpresim vizitën e planifikuar të kryeministrit Rama në Serbi”, tha Kocijançiç në konferencën për shtyp.

Kryeministri serb nga ana tjetër e ka vlerësuar valëvitjen e flamurit kuq e zi mbi stadiumin Pavarësia në Beograd si “rrëmbim” të krenarisë. Ndërsa ministri i jashtëm Daçiç tha se autoritetet serbe nuk mbajnë përgjegjësi!

Dy organizmat e futbollit botëror, FIFA dhe UEFA dënuan ngjarjen e dhunshme në fushën e blertë dhe bënë thirrje që politika të mos ngatërrohet me sportin. Sakaq, zëdhënësi i UEFA-s Petro Pinto tha se kanë nisur hetimet dhe pasi të dyja palët të paraqesin provat e enjtja tjetër do të jetë vendimtare për të përcaktuar se cili nga ekipit do të marrë fitoren, por edhe masat ndëshkimore ndaj tyre.

Takimi ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë  ndërpre në minutën e 42-të ndërsa përballja mes dy ekipeve nuk kishte shënuar asnjë gol, por rezultati 0-0 kaloi në plan të dytë pas dhunes qe shpertheu ne fushe.  Kjo ndeshje u zhvillua në kuadër të Grupit kualifikues të Kampionatit Evropian të Futbollit, që mbahet në vitin 2016 në Francë.  Gjyqtar i takimit ishte anglezi, Martin Atkinson.

Intervista e Kryeministrit per VOA-n

Zoti Kryeministër, përpara se flasim për vizitën tuaj apo zhvillime të tjera në Shqipëri, 24-orëshi i fundit është mbizotëruar nga lajmet dhe komentet për ndeshjen e mbrëmshme Serbi – Shqipëri, ndërprerja e së cilës është cilësuar si një ngjarje e rendë. Ju si e shihni atë që ka ndodhur?

Në radhë të parë, më lejoni që të jem krenar edhe në rastin që ju më jepni  për të komunikuar për 24 – orët e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe për c’ka na dhuruan dje djemtë e kombëtares, të cilët për sa kohë pati futboll, praktikisht, ishin superiorë me lojë dhe me raste.  Kështu që, për sa i takon Shqipërisë dhe për sa na takon ne shqiptarëve, besoj që s’kemi asnjë lidhje me çfarë ndodhi. Që, ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë, por që ishte edhe një shfaqje jashtëzakonisht e shëmtuar dhe plotësisht e dënueshme, dhune dhe racizmi.
 
Zoti kryeministër, rreth ndeshjes nuk kanë munguar as komentet e politikanëve. Kryeministri serb është cituar sot të ketë thënë, po citoj, se “shpalosja e flamurit në ndeshjen e së martës në Beograd ishte një aksion i organizuar dhe një provokim i rëndë politik. Apo se "synimi i ekstremistëve shqiptarë ishte që të shkelnin krenarinë e serbëve, por ne e ruajtëm fytyrën”. Ju keni planifikuar një vizitë në Beograd javën e ardhshme, a mendoni se ngjarja e mbrëmshme mund të hedhë hije mbi axhendën e vizitës tuaj? A pritet të ndikojë ajo gjatë vizitës tuaj?
Së pari, dua të ndaj me ju momentin e futjes në ekran të flamurit fluturues, të cilin unë e ndoqa bashkë me një grup njerëzish këtu, në Harvard, që ishin nga shumë vende. Ajo shfaqje provokoi ilaritet, në kuptimin që, të gjithë qeshën dhe ju duk diçka e bukur. Pra larg zonës së nxehtë të urrejtjes, larg zonës së nxehtë të historive të së shkuarës, askush nuk u ndje i provokuar nga shfaqja e atij flamuri, në të moment. Por, fatkeqësisht, siç e thatë edhe ju, deri edhe autoritetet më të larta serbe thonë se janë ndjerë të provokuar. Dhe, përsëri, kjo është thjeshtë dhe vetëm për të shprehur keqardhjen e thellë që shfaqja e një flamuri në fushën e futbollit, në një fushë ku kishte mijëra flamuj serbë, të mund të përdoret si një alibi për të gjithë atë që ndodhi. Që nga minuta kur u këndua himni ynë kombëtar dhe i gjithë stadiumi ulërinte “vritini shqiptarët”, deri në minutën kur djemtë tanë dolën nga stadiumi nën një trysni të madhe psikologjike, përveçse edhe nën një  dhunë të pashembullt antisportive. Unë mendoj që edhe në këtë rast, ne si shqiptarë duhet të ndjehemi mirë që nuk kemi asnjë lidhje me çka u shfaq në formën e vetë më të egër dhe në formën e vetë më negative, si një shëmbëlltyrë e së shkuarës, që ne jemi të vendosur ta lëmë pas dhe që ne e dënojmë duke qenë të bindur se futbolli nuk mund të bëhet instrument i politikës dhe se politika e shteteve nuk mund të udhëhiqet se çfarë ndodh në një fushë futbolli.
 
Shtypi ndërkombëtar sot, duke iu referuar burimeve nga Serbia, thotë se vëllai juaj është arrestuar përkohësisht nga policia serbe dhe më pas është liruar, i dyshuar për lidhje me objektin fluturues. Cili është komenti juaj për ketë?
Përsëri keqardhje dhe përsëri shprehje e një ndjenje mjaft keqardhëse për të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij manipulimi. Që nuk tregon asgjë tjetër, përveçse përpjekjen për t'u kacavjerrë dhe për t'u kapur pas një alibie tërësisht të montuar. Dhe për ta përdorur atë, më kot, si një “gjethe fiku” për të fshehur lakuriqësinë me të cilën u shpalos dje në stadium urrejtja e të shkuarës dhe ajo urrejtje që, praktikisht, e ka penguar boll rajonin tonë që të shkojë përpara. S’ka asgjë të vërtetë në të gjithë këtë, por ka vetëm një argument më shumë për të vërtetuar se sa larg realiteti dhe sesa larg qëllimeve tona të përbashkëta ishte ajo ç’ka u shfaq dje dhe ajo ç’ka u komentua sot, fatkeqësisht edhe nga autoritete të larta në Serbi. Por Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të bien në këtë nivel. Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur të jenë modeli i paqes, të jenë modeli frymëzues i të vështruarit nga e ardhmja, të jenë lokomotiva e transformimit të rajonit tonë nga një arenë luftërash, gjakderdhjesh, konfliktesh, urrejtje 100 vjet me radhë në një oaz bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik e social për të gjithë popujt tanë.



Te gjitha reagimet politike gjate dites se sotme per incidentit ne fushen e serbeve

Nikoliç: Flamuri, akt i një provokimi terrorist për të destabilizuar rajonin! 

Presidenti serb Tomisllav Nikoliç dënoi ashpër incidentin e djeshëm në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë ndërsa e cilësoi atë si një provokim të hapur politik, me qëllim destabilizimin e rajonit.  Madje Nikoliç, e cilëosn veprimin e djeshëm si një akt terrorist, duke e lidhur këtë sipas tij edhe me shqiptarët që janë bërë pjesë e luftimeve në Irak dhe Siri. Përmes një komunikate për shtyp, Presidenti Nikoliç tha se flamuri i Shqipërisë së Madhe është një provokim për shtetin serb.

“Qëllimi i dukshëm i atyre që organizuan dhe kryen planin e dronit, i cili valëviti Shqipërinë e Madhe ishte për të provokuar dhunë në Serbi, dhe një përpjekje për të destabilizuar të gjithë rajonin. Ndeshjet sportive nuk janë vend për vendosjen e mesazheve provokuese politike," tha presidenti serb, duke shtuar se "promovimi i paskrupullt dhe ideja e parealizueshme e Shqipërisë së Madhe, skhkaktoi reagime të forta në stadium dhe të gjithë vendin

nikolic ne stadium
(Ne foto: Presidenti i Serbise Tomislav Nikolic dje duke ndjekur ndeshjen Serbi-Shqiperi ne stadiumin Partizani)

Venizelos: Të veprohet me qetësi

Zëvendës kryeministri  grek, njëherësh ministër i Jashtëm i Greqisë,  Evangelos Venizelos ka komentuar incidentin e ndodhur në stadiumin “Partizani” të Beogradit.

"Ngjarjet sportive duhet të jenë ngjarje të tregojnë miqësinë, bashkëpunim dhe bashkëjetesën paqësore midis popujve dhe kombeve.  Çdokush që përdor ngjarjet sportive  bën një veprim të gabuar.  Në Ballkan ne kemi përvoja shumë të pakëndshme historike dhe unë jam i sigurt se qeveritë e të dy vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Serbisë, jo vetëm që do të dënojnë këto ngjarje, por do të shfrytëzoj rastin për të transmetuar ndjenja të stabilitetit në rajon, respektimin e kufijve ekzistues dhe perspektivën e përbashkët evropiane të të gjitha vendeve në rajon", deklaroi  Venizelos.

venizelos

Vuçiç Provokim i paralajmëruar, ne stadium bandë zyrtarësh shqiptarë

Incidenti në ndeshjen Serbi-Shqipëri ka qenë një aksion i organizuar i cili synonte rrënimin e stabilitetit në Serbi dhe në rajon është shprehur kryeministri i Serbisë,  Aleksandar Vuçiç. Ai ka shtuar se ka paralajmëruar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian tre orë para ndeshjes për një provokim të mundshëm.
 
“Qëllimi i ekstremistëve ka qenë të tregonin se Serbia është një vend jotolerant ndaj diversitetit dhe për të poshtëruar të gjithë qytetarët e saj.” është shprehur kryeministri serb gjatë një interviste për ceremoninë festive që do zhvillohet nesër.
 
Duke komentuar valëvitjen e flamurit gjatë ndeshjes, Vuçiç shprehet se “Ata donin të shkelnin krenarinë tonë dhe një bandë zyrtarësh falco shqiptarësh të cilët treguan një distancë të qartë mes nesh.

vucic

Daçiç: Ndeshja, veprim i paramenduar politik

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka dënuar fuqishëm incidentin e mbrëmshëm në stadiumin e Beogradit duke thënë hapur se ai ishte një 'provokim i qëllimshëm politik'. "Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në asnjë ndeshje futbolli. Unë pres që të shohim se si do të reagojnë Bashkimi Europian dhe UEFA, pasi nëse do të ishte një serb ai që do të kishte ngritur flamurin e "Serbisë së Madhe" në Tiranë ose Prishtinë, çështja do të ishte tashmë në agjendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së", ka thënë Daçiç për të përditshmen serbe 'Blic'.

Ministri serb ka shtuar se çdo gjë ka marrë një dimension politik dhe bëhet fjalë për provokim të tillë. Më tej, Daçiç ka shtuar se Serbia nuk mban asnjë përgjegjësi për pezullimin e ndeshjes duke akuzuar drejtpërdrejt shqiptarët. Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Ministri i Sportit dhe Rinisë Vanja Udovicic, e cila e cilësoi ngjarjen e mbrëmshme në Beograd si një provokim të pabesë të ekstremistëve. Sipas saj, kjo ishte një abuzim brutal i sportit nga shqiptarët, që i cilësoi ekstremistë.

ivica dacic

Gazetarja serbe: Asnjë qëndrim zyrtar për ndalimin e Olsi Ramës

Gazetarja serbe e “Blitz”, Tamara Markovic Subota në një lidhje telefonike për “A1 Report” thotë se pavarësisht në publikimet e disa mediave në Beograd, policia serbe nuk ka një qëndrim zyrtar lidhur me ndalimin e Olsi Ramës. Subota tha se sipas atyre që thuhen në media, Olsi Rama ishte duke filmuar me një celular në dorë, por pati dyshime se ai komandonte dronin me flamurin shqiptar.
 
Megjithatë sipas gazetares serbe pritet një qëndrim zyrtar nga ana e policisë serbe lidhur me këtë çështje.
 
Sa i takon situatës në Serbi pas ndeshjes dhe dhunës në stadium, gazetarja Subota thotë se atmosfera është më e qetë. Duke iu referuar reagimeve të qytetarëve, Subota thotë se perceptimi kryesor është se faji për skandalin e ndodhur është i shqiptarëve. Sipas politikanëve serbë ky është një provokim politik, ndërsa autoritetet zyrtare nuk kanë shprehur qëndrimin e tyre.

Si ka ardhur deri në stadium? Pse nuk u ndal me kohë? Janë vetëm dy nga shumë pyetjet kryesore në lidhje me fluturimin e dronit me telekomandë që shkaktoi kaos në stadiumin e Partizanit, theksojnë mediat në Serbi.

Ato shkruajnë se  kanë ‘zbuluar’ se si ka arritur droni në mes të stadiumit, i cil mbante një flamur të Shqipërisë etnike.

Sipas medieve, mjeti fluturues u lëshua nga maja e Kishës së Shën Gabriel Archangel, e cila është e vendosur 20 metra larg stadiumi i Partizanit.

Për të arritur deri në qendër të stadiumit, mjetit fluturues i është nevojitur më shumë se një minutë.


droni me flamurin shqiptar




















Bumçi: Beogradi të distancohet nga ekstremizmi i shfaqur dje 
Partia Demokratike ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve të kombëtares shqiptare në ndeshjen me Serbinë në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Në një deklaratë për mediat, deputeti Aldo Bumçi tha se PD dënon aktet e dhunës dhe shprehjet ksenofobe anti-shqiptare, duke i kërkuar Beogradit që të distancohet nga ekstremizmi i shfaqur dje.
 
“Ndeshja e futbollit mes kombëtares tonë dhe asaj serbe mbrëmë në Beograd ishte një rast i humbur nga fqinji ynë për të dëshmuar shkëputje nga ekstremizmi i dhunshëm i së shkuarës. Po ashtu, një rast i humbur për të dëshmuar vizion europian dhe vullnet për të ecur përpara. Që në nisje, u tregua mosrespekt për himnin tonë kombëtar nga tifozeria serbe, u mbajtën kore raciste, dhe u manifestuan akte dhune ndaj përfaqësueses shqiptare.
 
Është për të ardhur keq që një ndeshje futbolli, e luajtur nga ana jonë me sportivitet, me fair-play dhe korrektësi maksimale, serbët e pranishëm në stadium e kthyen në një arene të betejës politike me djegien e flamurit të NATOS-s, e me lëshimin e mesazheve ksenofobe përmes thirrjeve anti-shqiptare”, tha Bumçi.
 
PD i ka kërkuar ndërkaq autoriteteve serbe që të hetojnë rastet e agresionit në kundërshtim me rregullat e UEFA-s, dhe të vënë para ligjit përgjegjësit. 

aldo bumci

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim