Rama shpërblen kombëtaren
kuqezi: Gati stadiumi i ri në Tiranë

Rama shpërblen kombëtaren<br />kuqezi: Gati stadiumi i ri në Tiranë
TIRANE- Shqipëria do të bëhet me një tjetër stadium, pas ‘Elbasan Arenës” dhe stadiumit të Shkodrës, shumë shpejt do të nisin punimet për ‘Arenën Kombëtare’. Lajmin e konfirmoi kryeministri Rama gjatë ceremonisë së pritjes së kuqezinjve pas ardhjes nga Armenia ku fituan 0-3 dhe siguruan kualifikimin në Europian. Kryeministri Rama ka qenë i pari që e ka pritur kombëtaren në aeroport duke udhëtuar më pas me ekipin në kryeministri ku kishte përgatitur edhe fjalin e rastit për kuqezinjtë, teksa i nderoi me “Medaljen e Mirënjohjes”.

Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi punën e Dukës, De Biasit dhe të gjithë ekipit në këto eliminatore. “Asnjëri prej kundërshtarëve nuk krahasohej me ne, teknikisht apo nga talentet. Akush nuk do të guxonte të vinte bast për vendin e tretë, pale për kualifikimin. Harruan se ju kishit siguruar “play-off”-in shumë kohë më parë, gjë që edhe shumë ekipe të mëdha nuk e kishin bërë ende. U lëshuan me fjalë të shumta kundër jush me mllëfe dhe akuza pas Serbisë.

Kush nuk e ka veshur asnjëherë fanelën kuqezi, nuk e kupton peshën e rëndë të përgjegjësisë, që ajo fanelë sjell mbi kokat tuaja. Barrën e tmerrshme që keni mbajtur vetëm ju e dini, përballë erërave që sa vinin e bëheshin edhe më të fuqishme, deri në stuhi, saqë ju rrëzoi dy herë në fund në minutat shtesë të dy takimeve radhazi. Në fakt fati është me ata që nuk dorëzohen, ju besuat dhe fituat” u shpreh Rama. Ndërsa më pas zbuloi edhe surprizën.

“Çfarëdo që të ndodhte, do të jepja për ju lajmin se kemi vendosur së bashku me presidentin Duka se kemi nisur punën për ndërtimin e stadiumit të ri të Kombëtares kuqezi. “Arena Kombëtare e Tiranës” do t’iu dedikohet juve. E bëmë “Elbasan Arenën” për të gjetur në strehë, sepse ju duhej për të mos luajtur ndeshjet diku tjetër. “Loro Boriçi” do të ishte gati për ndeshjen me Serbinë, por UEFA kërkoi që ndeshja të luhej në Elbasan për arsye të sigurisë së rreptë.

Tashmë mendos se stadiumi kombëtar, edhe më i madh se këta të dy, është një detyrim për ju. Sot kryeministri i Italisë Matteo Renzi më shkroi një mesazh: Rroftë Shqipëria që hyri në Europën e futbollit, tashmë ju presim edhe në Europën politike, gjë që sigurisht kërkon të tjera sakrifica”, tha kryeministri Rama. Ndërsa në fund i kërkoi Dukës rinovimin me teknikun, ose në të kundërt “Do t’i bllokojmë pasaportën italine De Biasit dhe nuk do ta lëmë që të ikë” e mbylli me batutë kryeministri.
 
Rama: Xhani o xhan, Etriti më bëri të dua Berishën e parë    
Gjatë pritjes për kombëtaren, teksa i dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” kyeministri Rama bërë disa batuta me trajnerin De Biasi, Berishën, Salihin, por edhe me Dukën. “Carisimo Giani, ose si i thonë në shqip, Xhani o xhan, fjalët nuk shprehin dot mirënjohjen ndaj teje.

Do më falësh që varfëria e fjalëve të mia është e dukshme për madhështinë e veprave të tua. Të falënderoj Xhani o xhan, i dhe krenari këtij populli. E di që do të të kërkojnë njerëz me para më të mëdha e klube më të mëdha, po ne s’të lëshojmë e kemi mësuar këtë gjë nga ti. S’të lëshojmë edhe nëse duhet të të sekuestrojmë pasaportën italiane dhe të lëmë atë shqiptare”.

Ndërsa nga batutat nuk shpëtoi as portieri “O Etrit më bëre të dua një Berishë, por edhe Saliun. Kryeministri kishte edhe një porosi për Dukën: Tani president, dua të sekuestrojmë pashaportën e De Biasit, e kam merak, kontratën e De Biasit”. Ndërsa në fund e mbylli sërish me Dukën “Dëgjova që tha që nuk mbaron këtu, nuk e di se cfarë donte me thënë, por ndoshta synon postin e Blaterit, se Platinin e zuri haku i shqiptarëve” përfundoi Rama.
 
Nishani: Na bëtë krenarë kombëtarja bashkoi kombin
Presidenti nderoi kombëtaren me titullin “Nderi i Kombit” teksa i shprehu konsideratën më të lartë për arritjen historike që bëri duke u kualifikuar për herë të parë në një kampionat Europian. “Emocionet janë të forta. Rrugëtimi ishte i gjatë me ulje ngritje, me triumfe të papërsëritshme.

Që të gjitha të mbuluara nga entuziazmi i tifozëve kuqezi. Sot ndihemi më të bashkuar se kurrë. Këtë nuk e them vetëm unë, por mbarë kombi shqiptar duke demonstruar shfaqje dhe shembull atdhedashurie në cdo skaj të vendit dhe trevave shqiptare. Kudo që rreh edhe një zemër e vetme kuqezi. Kombëtarja paraqet fytyrën e vërtetë të kombit shqiptar, që me merita të plota po na përfaqëson me dinjitet të plotë, plot talent dhe shpirtë të pamposhtur, të cilët nuk dorëzohen kurrë para asnjë pengesë, apo ndonjë fryme ksenofobie, brenda apo jashtë fushe.

Kombëtarja jonë ia doli mbanë, edhe në saje të mbështetjes së një kombi të tërë, i cili sot ndihet me të drejtë më kryelartë se kurrë më parë dhe prandaj kam gëzimin dhe privilegjin e veçantë ta shpall atë: “Nder i Kombit”! Po kështu ruaj kënaqësinë t’u shpreh edhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit mirënjohjen personale dhe institucionale për kontributin e tyre të vyer duke i vlerësuar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”” u shpreh ndër të tjera Nishani.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Arrestohet çifti shqiptar në qendër të Athinës, u kapën me lëndë plasëse dhe armë në makinë

Greqi/ Arrestohet çifti shqiptar në qendër të Athinës, u kapën me lëndë plasëse dhe armë në makinë