KAVAJE - Qeveria shqiptare ka shpërndarë sot 500 legalizime për qytetarët e Kavajës, ku të pranishëm në shpërndarjen e legalizimeve ishte Kryeministri Edi Rama, kreu i ALUIZNI-t Artan Lame dhe Ministria e Turizmit Eglantina Gjermeni.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama, theksoi se qyteti i Kavajës, një nga qytetet me kontribut të posaçëm në demokracinë e vendit, po del më në fund në dritë, duke u dhënë qytetarëve falas, atë për të cilën kanë punuar me djersë në 25 vjet.

Shefi i qeverisë tha se shpërndarja e 500 legalizimeve në Kavajë, vjen brenda punës së një 1 viti, ndërsa në 8 vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike u shpërndanë 461 të tilla.

Por në ndryshim nga ato të kaluarat, veç afatit kohor, Rama nënvizoi se në të kaluarën qeverisja e djathtë në 461 legalizimet e shpërndara, pjesa më e madhe e tyre ka qenë për lokale, hotele dhe restorante, ndërsa tashmë të 500 legalizimet e shpërndara sot janë vetëm për shtëpitë e qytetarëve. 

rama
(Në foto: Kryeministri Rama gjatë shpërndarjes së legalizimeve për qytetarët e Kavajës)  Foto të tjera

"Më lejoni të them që në fillim se është kënaqësi e veçantë që të vij këtu pasi kemi parë disa ndryshime shumë të rëndësishme që po e prekin nga afër Kavajën në rrugën e rilindjes urbane dhe jam shumë krenar se çfarë kemi premtuar po bëhet realitet. Jam shumë i lumtur që ky qytet me tradita të hershme bashkëkohore, dhe ka një kontribut të posaçëm në transformimin demokratik, pas 25 vjetësh po sheh dritë dhe po bëhet me sheshin evropian mesdhetar që i takon qytetarëve dhe do të jetë një nga hapësirat më të bukura të Shqipërisë. Nga ana tjetër sot ka rëndësi ky takim për faktin se në 8 vjet, ata të cilët e morën 20 vjet rresht pa kushte votën tuaj, bënë vetëm 461 legalizime, ne sot bëjmë 500 legalizime, që janë rezultat i një punë më pak se një vit i vetëm. Jo vetëm kaq, por edhe në Kavajë e njëjta histori, nga 461 legalizime, 80% ishin hotele, restorante, motele por jo shtëpi, ndërsa që 500 legalizimet sot janë shtëpi të atyre me gjak e me djersë, kanë pritur në radhë, kanë paguar disa herë. Sot ata e marrin atë që ju takon dhe e marrin falas." theksoi Rama në fjalën e tij Fjala e Kryeministrit Rama ne Kavaje per legalizimet‏

rama
FOTO

Rama: Në 8 vite PD legalizoi vetëm lokale, hotele dhe restorante
Kreu i qeverisë, u shpreh se në të kaluarën jo vetëm që nuk janë dhënë legalizimet për ata që kanë punuar me mund e djersë, por do të mbetet në histori një fakt qesharak, që është legalizuar një lokal fare pranë Bashkisë së qytetit të Kavajës. Madje siç u shpreh Rama kjo është e vetmja godinë në botë, që edhe në lejen e dhënë e ka të shkruar se 3 faqe janë private dhe një faqe është e shtetit.

“Dhe Kavajën legalizuesit e mëdhenj të viteve të rrënimit, e futën në histori me një rekord qesharak, bënë legalizim të një lokali ngjitur me Bashkinë. Është e vetmja godinë në botë që ka 3 faqetë vetat dhe një faqe të shtetit. Dhe në letrat e legalizimt shkruhej ekzaktësisht kështu. Ishte bërë edhe pronar zotëria, dhe nuk futeshin as ambulancat.” tha ai

Shpërndarja e legalizimeve, Rama: Tashmë keni në dorë një pasuri të patundshme
Tashmë, sipas Ramës qytetarët po marrin falas atë për të cilën kanë punuar në këto 25 vjet, dhe që siç tha ai do të shndërrohet në një pasuri të patundshme që mund të përdoret nga qytetarët për të marrë kredi dhe për të hyrë në marrëdhënie legjitime me çdo bankë.

“Besoj që sot ne po hapim një faqe të rëndësishme të historisë së rilindjes urbane, sepse siç e kam përsëritur, kjo leje legalizimi nuk është vetëm dokumenti që e bën shtëpinë tuaj të paprekshëm, por e kthen shtëpinë tuaj në një pasuri, duke iu dhënë mundësi që ta përdorni këtë pasuri për të marrë kredi, për të hapur biznes, për të çuar në shkollë fëmijët. Pra nga një strehë pa leje dhe pa vlerë, sot keni një pronë të patundshme që e njeh shteti dhe çdo bankë që doni të hyni në marrëdhënie. Ky është një ndryshim historik që do të sjellë të mira për ekonominë tonë, dhe të gjithë atyre që kanë djerdhur djersë e mund.” tha Kryeministri

Karburanti, Rama: Nuk hiqen taksat, çmimi më i ulëti në rajon
Kryeministri Rama flet për herë të parë publikisht për çmimin e karburantit ku ka theksuar se nuk do të ketë heqje të taksave pasi sipas tij ato janë të drejta, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë paguajnë më pak se vendet e rajonit për makinat e tyre. 

"Taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, vendet e tjera të rajonit e paguajnë veç ndërsa ne e kemi te çmimi që do të thotë që ky nuk është një vendim që e kemi marrë ne, është një vendimin që e kanë marrë ata që sot bëjnë llafe dhe është një vendim i drejtë që kanë marrë që ta fusion te çmimi dhe kështu po e bëjnë dhe vendet e tjera të rajonit sot. Nga pikpamja e parave që harxhojnë njërëzit për mjetin e tyre, shuma është e njëjtë ose më pak këtu tek ne sesa në vendet e tjera sepse nëse këtu tek ne të gjitha paguhen brënda çmimit të naftës, vendet e tjera paguajnë çmimin e naftës, paguan taksën e qarkullimit, paguan taksën dhe taksën e karbonit dhe po t'ia shtosh llogaria është shumë e thjeshtë" u shpreh Rama


rama
FOTO

Vetëdeklarimet, Rama: Pas 1 shkurtit nuk ka më tolerime
Në fund Rama u ndal edhe në afatin e përcaktuar nga qeveria shqiptare, deri më 1 shkurt, ku qytetarët të vetëdeklarojnë ndërtimet pa leje. Pas kësaj date, Rama theksoi se nuk do të ketë më tolerime, pasi vendosja qoftë edhe të një tulle pa leje, konsiderohet vepër penale.

“Nga ana tjetër, dua ta theksoj që paralelisht me legalizimet ne kemi zgjatur edhe për pak kohë procesin e vetëdeklaraimit duke marrë në konsideratë 4000 vetëdeklarime të reja në Kavajë, dhe kemi përcaktuar qartë në ligj që pas kësaj nuk ka më shaka me ligjin, pronën e tjetrit, pronën e shtetit, sepse vendosja e një tulle të vetme pa leje, konsiderohet vepër penale dhe ndëshkohet. Pra ky është fundi i lumtur i një rrumpalle që zgjati 20 vjet.” nënvizoi Rama

Lame: Harta e re territoriale, ul çmimin e truallit 3-4 herë
Nga ana e tij kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame në fjalën e tij përmendi problematikat me të cilat ka hasur puna e zyrës së kësaj Agjencie në Kavajë, që nga problemet me regjistrimin e pasurive, probleme të pronësisë, etj. Lame shtoi se kjo zonë që përfshin dy bashki dhe disa komuna ka një përfitim të madh në këtë proces me hartën e re të çmimit të trojeve, pasi janë ulur çmimet për këtë zonë me 3-4 herë.

"Ndryshimi  ka filluar nga një moment shumë i rëndësishëm, nga rioriganizimi që iu bë institucionit. U bë hapja e një dege të veçantë për Kavajën, që ka një numër punonjësish 10-11 veta, por po mendojmë të sjellim një grup tjetër shtesë që të merret me problemet e kësaj zone, duke synuar që ta sjellim procesin sa më afër qytetarëve, njerëzve dhe problematikave të tyre. Për fat të mirë Kavajës i ka rënë një fat sivjet, sepse në ndryshimet që iu bënë edhe hartës së vlerës së trojeve, zona ka përfitim sepse ka ulje të çmimit të trojeve. Pra ata familje që e kanë ndërtuar në truall që nuk është i tyre, çmimi ka rënë deri në 3-4 herë. Ndërsa ata që e kanë në truallin e tyre legalizimi është falas i gjithi." tha Lame Fjala  e kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame

Redaksia Online
(e.c/Shqiptarja.com)