Kryeministri Edi Rama është shprehur se asnjë shqiptar i arsyeshëm nuk i mbështet protestat që sipas tij bëjnë sfilatë në Tiranë dhe shkojnë të bllokojnë aeroportin.
Më tej kryeministri tha se në protestat që po zhvillohen në Tiranë po vijnë njerëz nga shtete të ndryshme, për të protestuar në emër të shqiptarëve.
“Jemi në një laborator. Në një laborator ku në kohë reale algoritmi dhe gënjeshtra prodhojnë një realitet paralel që shumë më shpejtë sesa faktet gjejnë rrugën e tyre. Ajo që mbetet për tu bërë është që ne të refuzojmë të ndekim çdo dallgë. Ajo që duhet të bëjmë është të qeverisim Shqipërinë sipas kontratës që kemi me popullin shqiptar dhe jo sipas algoritmit. Të vazhdojmë përpara. Patjetër të dëgjojmë. Askush nuk mund ta thotë që nuk ka shumë të vërteta në ato që thuhen. Zgjedhja jonë është e detyruar. Nuk është një zgjedhje që është njëra nga disa zgjedhjet. Zgjedhja jonë është të bëjmë çmos që njerëzve t’u japim lajmin e mirë. Kemi një problem me shërbimet, patjetër që kemi, por sot mbi 3 milionë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që 95% të shërbimeve i marrin nga celulari pa takuar asnjë njeri. Kemi te ky 95% problematika sa të duash.
Ne kemi një detyrë që nuk e ka askush tjetër. Ne kemi detyrën të ndërtojmë. Shteti nuk ndërtohet duke bërë luftë nëpër kanalet e algoritmave, në emër të përmirësimit. Shteti ndërtohet duke mos e humbur drejtimin e historisë. Kam pasur shumë mesazhe sikur më ka shkuar ndër mend që unë të jap dorëheqjen. Sepse gjithmonë e më shumë njerëz ftillohen. Gjithmonë e më shumë njerëz besojnë që kjo nuk qëndron as në tokë as në qiell. Nuk mundet dot asnjë shqiptar i arsyeshëm që të pranojë që Tirana të bëhet territor sfilate për një turmë që shkon të bllokojë aeroportin. Ka mbetur një grup ku ka një përzierje të hatashme, që është një përzierje mbarëkombëtare. Vijnë njerëz nga Kosova, nga Maqedonia dhe shtete të tjera për të shpëtuar Shqipërinë, në emër të shqiptarëve. Edhe ata të bankave, të mirëpaguarit, me jetën e tyre e kuptojnë shumë mirë që këtu ka diçka që nuk shkon fare”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por nga emri i Kushner dhe hija e Trump! S’ka dorëheqje, sheshi i protestës, studio për të ushqyer algoritmin







