Kostana Morava ka shprehur haptazi skepticizmin e saj lidhur me protestat e më shumë se dy javëve të fundit që janë karakterizuar nga dhuna. Moderatorja thotë gjatë një diskutimi në Report Tv se protestuesit janë përpjekur të manipulojnë ata që nuk iu bashkuan dhe kanë arritur deri në fyerje.
“U manifestua me një lumë fyerjesh që në kohën e protestës së “Flamingos”, ndaj të gjithë atyre që në rrjetet sociale kishin qëndrime, po themi, neutrale. Pra, këtu pati një manipulim të hapur. Sepse ti, në qoftë se je në shesh dhe je për një kauzë dhe beson te kauza jote, qëndro te kauza jote. Mjetet që kanë përdorur rrugës janë të ndryshme. U përpoqën të bëjnë pis të gjithë ata të cilët nuk iu bashkuan. Kjo është një gjë që duhet thënë. U përpoqën t'i bëjnë pis të gjithë ata që nuk iu bashkuan, nëpërmjet komenteve fyese”, tha Morava.
Sipas moderatores, e cila mbrëmjen e djeshme bëri edhe një kallëzim penal në polici për kërcënimet ndaj saj, ajo s’është e vetmja që ka përjetuar këtë situatë nga protesta.
“Sot njerëzit... Unë kam kush e di se sa qindra mesazhe që më vijnë, dëshmi që më thonë: “Po, Kostana, kemi frikë të flasim”. Arriti deri aty sa u mboll një lloj frike. Personalisht, edhe vetë e kam përjetuar patjetër. Nuk po e them këtë për të bërë rolin e viktimës, sepse nuk është momenti, por po të tregoj një fakt real. Kam qindra mesazhe, ndoshta edhe mijëra, aq sa mund të jenë numri i protestuesve në shesh, që më shkruajnë dhe madje më luten: “Aman, nxirre këtë mesazh, publikoje”, sepse kanë frikë të shprehen, të bëjnë një koment. I gjithë rrjeti është i mbushur me adresa false, me rreth 1000 e ca llogari”, thotë Morava.
Ajo është e bindur se numrat virtualë janë shumë më të lartë se ata realë, çka ndikon edhe në vetë vërtetësinë e protestës. Më tej, Morava shton se askush nuk e përkrah dhunën.
“Sot njerëzit kanë filluar jo thjesht të distancohen nga protesta, por të distancohen fare nga politika. Kam vënë re këtë fenomen. Nuk duan t'ia dinë më. Po bëhen indiferentë, sepse kjo situatë po shkakton pasiguri, paqartësi dhe stres të akumuluar. Njerëzit duan të jetojnë. Njerëzit nuk jetojnë në sheshe. Ata shkojnë në punë, ushqehen, studiojnë, shkojnë në shkollë dhe vazhdojnë jetën e tyre. Realiteti është tjetër. Prandaj them se ka një zhvendosje, një përmbysje të realitetit dhe të perceptimit të tij”, tha Morava.
Ngjashëm me atë që kryeministri Edi Rama shpesh ka shprehur se në protestë ka “duar të errëta”, Morava flet për ndikim monetar, politik apo për famë.
“Duhet të flasim edhe për ndikimet dhe interesat që mund të qëndrojnë pas kësaj situate. Bëhet fjalë për interesa monetare, për ndikim, për famë apo për interesa të partive politike. Është e rëndësishme që secili të jetë i vetëdijshëm për atë që thotë dhe për interesat që mund të fshihen pas qëndrimeve të ndryshme”, thotë moderatorja.
Në fund, përmbyll se ka vetëm një rrugë që protestuesit t’ia dalin në betejën e tyre përballë “vampirëve dhe hienave.”
“Aty brenda ka shumë vampirë dhe hiena që luftojnë për influencën dhe pushtetin e tyre. Në qoftë se këta studentë arrijnë ta kuptojnë dhe të organizohen, të shkëputen prej tyre, të krijojnë një organizim të pavarur, sado i vogël që të jetë”, thotë Morava.
Diskutimi lidhur me protestat e dhunës kaloi në një debat në studion e Report Tv midis Kostana Moravës dhe Alban Durajt. Sipas avokatit, në çdo protestë ka akte vandale, ndërsa moderatorja iu përgjigj se deklaratat e tij janë minimizim i dhunës dhe përkrahje e saj.
Alban Duraj: Çdo protestë ka akte të tilla.
Kostana Morava: Nuk ka akte të izoluara. Është djegur Tirana! Ju që minimizoni ato skena lufte që kanë ndodhur, duhet të dini që jeta vazhdon, nuk është këto ditë. Mund të vijë dita dhe të përgjigjeni për këto deklarata që bëni.
Alban Duraj: Po më kërcënon mua ti?
Kostana Morava: Jo, nuk po kërcënoj, por mund të vijë dita kur do të përgjigjeni për këto deklarata pro dhunës. Ti dhe të gjithë si ty!
Alban Duraj: Kush është pro dhunës?
Kostana Morava: Ti je pro dhunës!
Alban Duraj: Ça po thua?!
Kostana Morava: Po, shumë pro dhunës dhe po minimizon aktet vandale.












Komente
Komento