Kryeministri Rama duke folur për çështjen e Ballukut, e vuri theksin tek rëndësia e prezumimit të pafajësisë dhe tek roli që sipas tij luan sot prokuroria duke thënë se janë kthyer si kompani transporti që marrin male me dokumente nga zyrat e shtetit.
“Gjermania është një shtet model i të drejtës; prezumimin e pafajësisë e ka në piedestal ari. Nuk imagjinohen atje tezgat e tenxheret e pazarit mediatik të mbushura me materiale të nxjerra vjedhurazi, me bekimin e prokurorëve, nga dosjet hetimore. Atje gjykata i bën të pavlefshme ato materiale që dalin rrugëve dhe që mendohet se kanë cenuar balancën e drejtësisë, duke u përdorur si ushqim mediatik.
Jo vetëm kaq; në vende të tjera drejtësia nuk merret me gërmime, se nuk e ka fituar pavarësinë përpara 10 vitesh dhe nuk e ka filluar punën prokuroria e pavarur para 5 vitesh, por prej shekujsh. Mbi 85% e çështjeve i takojnë mandatit të parë dhe të dytë, apo ndonjë çështje u takon edhe atyre para nesh, po atyre nuk u kanë ngut. 700 tenxheret e pazarit tonë gurgullojnë për korrupsionin më të madh se asnjëherë.
Andej prokuroria nuk funksionon si kompani transporti që merr male me dokumente dhe i çon në zyrat e veta. Tani kërrehen dhe futen në fugon edhe dokumentet e një tenderi që është në proces. Në Gjermani këto nuk i imagjinon dot njeri, se andej kufijtë janë shkruar përpara se ata të nxirrnin shtypshkronjën.
Drejtësia po mëson në kurriz të lirisë së njerëzve e deri në dhunim të administratës. Është kollaj të marrësh të pandehur një tufë sipërmarrësish. Ata kanë kredi nëpër banka, kanë mijëra njerëz për të ushqyer dhe, kur u del emri, banka u thotë stop. Ndërkohë që prezumimi i pafajësisë do të ishte i mjaftueshëm që edhe ata sipërmarrës, edhe ata të administratës të hetoheshin në gjendje të lirë, pa u linçuar publikisht dhe madje duke pasur shumë mirë parasysh që mund të jenë të pafajshëm.
Është e rëndësishme që të fokusohemi më tepër në punët dhe objektivat tona, duke parë përpara dhe duke shmangur shikimet mbi njëri-tjetrin. Drejtësia ka detyrë të hetojë, të gjykojë, krejt e pavarur prej nesh, ndërsa ne kemi për detyrë të bëjmë detyrat tona krejt të pavarur nga drejtësia. Koha e dorëheqjeve morale do të vijë, por pasi të kalojë kjo kohë revolucionare e drejtësisë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Grupi i PS/ Rama 'lumë' kritikash drejtësisë: Nuk e prekim pavarësinë! Ja 7 çështjet për të cilat do të ndërhyjmë, marrim ‘ok’ nga KE (VIDEO)












