Kështu tha kryeministri Edi Rama, ku ishte i ftuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert” për të folur për domethënien që BE ka nga këndvështrimi i Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit. Ai shprehu bindjen se Shqipëria e Ballkani në BE kanë nevojë për njëri-tjetrin. “Statusi i vendit kandidat, është natyrisht diçka krejtësisht e ndryshme nga anëtarësimi në BE, por është gjithashtu, diçka që nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me negociatat. Statusi i kandidatit është një lloj pilule antidepresive për shoqëritë që kanë nevojë të kenë shpresë, ndërkohë që s’janë plotësisht të gatshme të bëhen pjesë e BE dhe madje, as të hapin negociatat”, shprehet Kryeministri.
Rama nënvizoi se BE është jo thjesht vizion për Ballkan, por siç theksoi ai edhe domosdoshmëri për shoqëritë dhe vendet e një rajoni që, pas një të kaluar të hidhur, jeton vitin e parë pa konflikte. “Kështu të mos e japësh statusin, sipas këndvështrimit tim është plotësisht e paarsyeshme. Ta japësh statusin është jo vetëm e arsyeshme por, do thotë që është si të japësh praktikisht pothuajse asgjë e të përfitosh shumë më tepër. Përfiton ndërtimin e shpresës dhe besimit të njerëzve në të ardhmen, në një zonë shumë të vështirë, për shkak të problemeve ekonomike, papunësisë së lartë, problemeve sociale dhe, e fundit jo më e parëndësishme, mjafton të shihni një panoramë të asaj që po kalon Ballkani sot.
Është një moment i veçantë në historinë tonë, i ekzistencës sonë mund të them, e cila është edhe më e madhe se vetë historia. Sepse për herë të parë që nga ekzistenca jonë si Ballkan, ne po jetojmë një vit pa konflikte, sepse rruga e paqes bëhet më e lehtë nëse u thua njerëzve se ka diçka shumë më të rëndësishme se konfliktet tona tradicionale, që është integrimi europian dhe Europa”, tha Kryeministri. Ndërsa theksoi se ka një shpresë që nuk duhet thyer, sepse potenciali për t’u kthyer në kohët e vështira është ende aty.
Kryeministri foli për domosdoshmërinë që rajoni ka për BE. Rama tha se s’duhet ngatërruar bashkëpunimi i BE me Ballkanin dhe marrëdhënia e Unionit me çdo vend. “Ne duhet të gjejmë mënyrën për të mos e lidhur vëmendjen dhe bashkëpunimin e BE me Ballkanin, me marrëdhënien midis Unionit dhe çdo vendi. Rruga individuale e çdo vendi është një gjë dhe bashkëpunimi rajonal, tjetër gjë”, tha Rama. Kryeministri tha se Ballkani, nuk mund të prosperojë pa kontributin e përbashkët të të gjitha vendeve të tij dhe pa mbështetjen e familjes europiane.
Qëndrimi
Për Fondacionin “Friedrich Ebert”, Rama e cilësoi statusin si një “pilulë antidepresive” për shoqëritë që aspirojnë t’i bashkohen familjes europiane.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)