Mes të tjerash, ai foli edhe për Kreun e Ri të Shtetit, Bujar Nishani, zgjedhjen e të cilit e cilësoi një hap të madh “drejt vënies në kontroll të Prokurorisë së Përgjithshme, të Shërbimit Informativ dhe pa dyshim drejt përmbylljes së një procesi vënieje në kontroll të gjykatave më të larta të vendit”.
Rama propozoi që kompetencat që kishte Presidenti i zgjedhur me 3/5 (para ndryshimeve kushtetuese), tani t’i kalojnë Parlamentit si një lloj garancie.
(Në vijim intervista, me shkurtime, e Ramës në Vizion+)
Nuk i keni dhe aq mirë këto kohë marrëdhëniet me aleatët...?
Jam i bindur që tanimë do kemi kohën, por dhe të gjithë rrugët e nevojshme të arsyetimit të përbashkët për të ndërtuar një koalicion që do të jetë një koalicion më i madh se ai i 2009.
Fitoren në fushë e përcakton dhe fanella, që do të thotë fryma..?
Unë si kryetar i PS kur të jem kryeministër i vendit në mënyrën më absolute do të imponoj në emër të programit dhe të vlerave dhe parimeve të kësaj force që do të jetë lokomotiva e koalicionit, një qeverisje radikalisht ndryshe në sjellje dhe veprim.
Berisha ka thënë që ju do të hyni në Guinnes si i vetmi kryetar opozite që e doni kryeministrin me imunitet...?
Është në kuadrin e një përpjekjeje për të shpëtuar nga gjykimi i njerëzve për ekonominë, për papunësinë, nga gjykimi i njerëzve për shërbimet e degraduara deri në fund duke fajësuar opozitën.
Nano ka deklaruar se ka themeluar një lëvizje që do t’i japë frymë, që do t’i japë jetës në funksion të 2013...?
Ka hapësirë për të gjitha idetë për lëvizje të reja, por s’ka vend për asnjë lëvizje të çfarëdolloj natyre tjetër përveç lëvizjes që tanimë ka filluar dhe që është organizuar si një lëvizje kompakte e forcës sonë politike brenda PS.
Bashkëpunoni me Ngjelën, Milon, me Berishën dhe jo me Nanon?
Bashkëpunimi me Milon, Ngjelën, Gjinushin, Petro Koçin, me Kurt Kolën dhe të gjithë të tjerët me radhë është bashkëpunim me aleatë opozitarë të cilët përfaqësojnë segmente të opozitës politike sot në Shqipëri. Ndërkohë që në PS as s’ka vend e as s’do lihet vend për asnjëlloj lëvizje që cenon milimetrikisht rrugën tonë të përbashkët.
Pra, mirëprisni edhe Nanon?
Çdolloj investimi në frontin opozitar që synon të japë kontribut në funksion të rrëzimit të këtij regjimi që s’mund dot të tolerohet dhe të një fitoreje të opozitës, pa dyshim që ka vendin e vet dhe nuk jemi ne që e përcakton se sa vend ka, por është vota e popullit shqiptar.
Cili është gjykimi juaj sot për Ilir Metën dhe a do të vazhdoni të joshni LSI-në për një koalicion parazgjedhor për 2013?
LSI është pjesë e koalicionit qeverisës dhe për sa kohë do të jetë nën koalicionin qeverisës do të jemi përballë dhe do ta mundim bashkë me koalicionin qeverisës përmes një koalicioni që do ta ndërtojmë me të gjithë forcat dhe që individët që janë në opozitë dhe që kërkojnë një ndryshim rrënjësor duke filluar nga rrëzimi me votë popullore i këtij koalicioni të kthyer në regjim.
Nëse pas zgjedhjeve matematika do të kërkojë...?
S’do kemi nevojë për asgjë të kësaj natyre. Zgjedhjet do t’i fitojmë me koalicionin që do të ndërtojmë me qendër graviteti PS.
Kurrë nuk e keni sulmuar Shpëtim Idrizin...?
Besoj duhet të pyesni Idrizin a e ka çështjen çame në program. Pyetini dhe kërkojini që t’ju thotë se çfarë ka bërë përderisa është pjesë e qeverisë për atë çfarë ka shpallur në program.
Jeni ftohur me të kohët e fundit me Dulen siç thonë zërat?
Unë e vlerësoj shumë Vangjel Dulen. Ky nuk është një vlerësim që buron nga konjuktura e sotme. Është një vlerësim i kahershëm. Dhe pa asnjë dyshim, jo vetëm unë, por edhe PS e çmon PBDNJ-në dhe lidershipit e saj përmes Dules si një vlerë shumë të qenësishme të koalicionit që kemi dhe të koalicionit që duam të ndërtojmë.
Majko është shprehur për një bashkëpunim të mundshëm midis PS dhe FRD të Topit dhe Aleancës KuqeZi të Spahiut. Ju i keni quajtur dy PD të reja. A do i ftoni dhe këto dy parti në koalicion?
Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të të majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku s’ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta. Madje kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do tregojë se si do zhvillohen dinamikat në tërësi.
PDK-në dhe Nard Ndokën e keni humbur përfundimisht si aleat?
Unë e kam një bindje që të qenit në opozitë nuk është funksion i asnjë llogarie pragmatike sepse nuk jemi në një Shqipëri normale, nuk jemi në një vend normal. Unë dua të shpresoj se ka hapësirë për t’u kuptuar e për të vazhduar koalicionin dhe me partinë e Nardit dhe jemi plotësisht të hapur që diskutojmë me të siç kemi filluar të diskutojmë me të gjitha forcat aleate.
Ka surpriza?
Unë besoj që po. Por koha është indikatori më i mirë.
Merret ndonjëherë shembull kjo që bëtë ju në 2009, por edhe ajo që bëri PD-ja në 2005. Keni ndërmend një gjë të tillë?
S’kemi nevojë për shpikje të tilla. Kemi brenda PS ristrukturim tërësor që sigurisht vazhdon. Një produkt i jashtëzakonshëm është një nga nënkryetarët e FRESSH, më e reja, Maria Meridinas, që është një fëmijë emigrantësh e që është vetëm 20-vjeç dhe do të jetë pa asnjë dyshim një nga yjet e politikës të së majtës.
Keni pasur një problem me kryetarin e FRESSH-it është tejkaluar?
Këto janë probleme që s’janë probleme. Janë thjesht stërzmadhime në mediat jo dashamirëse përgjithësisht që pastaj reflektohen për inerci dhe media të tjera, çështjesh të karakterit organizativ që një familje e madhe politike i ka përditë.
Timonieri i PS, trenisti, ku do të kandidojë? Do të kandidojë këtë radhë dhe a do të jetë i pari i listës diku?
Sigurisht që do jem një nga kandidatët, si të gjithë të tjerët.
Si janë në fakt marrëdhëniet tuaja me zotin Arvizu?
Besoj që janë marrëdhënie shumë të mira dhe marrëdhënie të një luajaliteti reciprok.
Çfarë duhet të presin të huajt nga Rama kryeministër dhe çfarë ju duhet të bëni ndryshe nga Berisha kryeministër ...?
Pa asnjë dyshim s’do shpenzoj asnjë qindarkë të popullit shqiptar për të lobuar kudoqoftë në funksion të fshehjes së deformimeve të qeverisjes apo më keq akoma të demokracisë në Shqipëri.
S’duhet të fshehim edhe një të vërtetë, që edhe zoti Berisha është një proamerikan. Ku duhet të ndryshoni në këtë pikë?
Saliu është një proamerikan i gatshëm për të çuar trupa kudo e kërkon angazhimi ynë krah për krah SHBA-ve dhe në këtë pikë nuk ndryshojmë në asnjë milimetër. Aty ku ndryshojmë është një pikë tjetër që Saliu nuk është proamerikan kur është puna për të respektuar vlerat dhe parimet e demokracisë amerikane në jetën e përditshme demokratike shqiptare. Në atë pikë anon nga një taleban se sa një proamerikan.
(im/shqiptarja.com)