Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Asambleja e Partisë Socialiste në Durrës se taksa 3% për strehimin në lejet e ndërtimit që merret nga bashkitë, do të mblidhet në një fond të vetëm, për të pasur më pas një shpërndarje më të mirë të këtij fondi për ata që kanë nevojë për strehim.
“Kemi hyrë në fazën ku duhet të flasim edhe për strehimin e përballueshëm. Jemi duke bërë një riorganizim komplet të gjithë procesit të politikës dhe procedurave të strehimit. Kemi vendosur, jemi i vetmi vend që e kemi, një 3% në taksë për strehimin në lejet e ndërtimit. Edhe Bashkia Durrës ka potencialin të krijojë të ardhura të konsiderueshme nga lejet e ndërtimit. Ne do t’i mbledhim këto të ardhura në një fond të vetëm, por nuk do t’ia lëmë vetëm Tiranës le të themi, megjithëse ka nevojën më të madhe për strehim.
Ndërkohë që kemi një bashki tjetër që është e dyta pas Tiranës për të ardhura të vetat, është Himara. Aty ka shumë projekte për ndërtimin por nuk ka nevojë për strehim. Himara e merr 3%, por nuk ka nevojë për strehim, kështu që do të krijojmë fondin e përgjithshëm. Janë disa dinamika që do të lehtësojnë marrjen e shtëpive nga persona që janë në punë, të rinj, që kanë disa parametra, por nuk e marrin dot shtëpinë. Kemi filluar me kredi me 0 interes për mësuesit, punonjësit e policisë, ushtarakët, kemi filluar një program. Do ta zgjerojmë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
‘Na ka rënë në kurriz një gur i madh’- Rama nga Durrësi: Kemi detyrë të vulosim prezencën e Shqipërisë në BE! Zgjedhjet e ardhshme janë më shumë politike sesa lokale









