TIRANË – Gjatë diskutimeve për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”, deputetët demokratë u shprehën skeptikë se këto ndryshime ligjore do të reduktojnë dhe frenojnë pastrimin e parave në vend.
Deputeti Luçiano Boçi tha se Rama se nëpërmjet këtij projektligji, ndoshta mbyllen disa shtigje, por “por Rama hap 100 shtigje për pastrimin e parave”.
“Mbyllin 5 porta, po rama hap 50 porta për pasrimin e parave, dhe kjo ëstë e vërtëta, dhe ky pastrimi i parave është dhe i dëgjueshëm dhe i shikueshëm dhe i nuhatshëm, kapet nga të gjithë shqisat e seiclit prej nesh dhe qytetarëve”,- tha Boçi.
Deputeti Oerd Bylykbashi theksoi se treguesi më i dukshëm dhe i prekshëm nga qytetarët i pastrimit të parave është çmimet e larta të pasurive të paluajtshme, veçanërisht sektori i ndërtimit.
“Kush i blen 4-5 mijë euro/metri katror nëpër kulla? Çiftet e reja nuk kanë mundësi. Edhe një që ka para thotë prit se nuk është shaka. Ka njerëz që thonë dhe këtë gjë, që nëpër hyrjet e këtyre kullave gjen dhe roje sigurie speciale. Ta thonë dhe arsyen pse. Ka aty apartamente që janë ding me euro të drogës. Ruhen që të mos shkojë njeri aty”,- tha Bylykbashi.
Por, ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se projektligji është një hap i domosdoshëm për të plotësuar kuadrin ligjor dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e tij.
“Masat që kemi ndërmarrë dhe vazhdojmë të marrim synojnë forcimin e sigurisë kombëtare, garantimin e integritetit të sistemit financiar dhe mbrojtjen e ekonomisë shqiptare nga ndikimet e mundshme të aktiviteteve të paligjshme financiare. Në një kohë kur rrjetet terroriste dhe ato kriminale operojnë në një kontekst global, përgjigjja jonë duhet të jetë plotësisht në përputhje me kërkesat e aleatëve tanë strategjikë”, u shpreh ministri.
Deputeti Pirro Vengu thotë se Shqipëria ka bërë progres të pamohueshëm dhe domethenënës në luftën kundër pastrimit të parave.
“Në luftën kundër pastrimit të parave, Shqipëria nuk është më në fazën e korrigjimit. Është një fakt që që në tetor të 2023, vendi doli nga lista gri e vendeve me probleme. Por ndoshta nuk e dini që ka dhe sot vende të Bashkimit Europian që janë listën të gri të vendeve me risk”,-tha Vengu.
Lajm në përditësim...

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është shprehur se në Shqipëri bëhet pastrim parash të pista, ashtu siç sipas tij, bëhet në çdo vend të Europës dhe botës.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe tha gjithashtu se edhe Vatikani është në listën gri të pastrimit të parave të pista.
Por deputeti socialist shtoi se institucionet përkatëse kanë marrë masa për parandalimin e këtij fenomenti dhe kanë bërë edhe kallëzime konkrete në Prokurori.
Për Braçen, Parlamenti duhet të rrisë kontrollin mbi institucionet që merren me luftimin e fenomenit të pastrimit të parave, me qëllim zvogëlimin sa më shumë të jetë e mundur të këtij fenomeni.
“Unë nuk kam dëgjuar kënd që të thotë se në Shqipëri nuk pastrohen para të pista. Nëse del ndonjë që thotë se nuk pastrohen para të pista, duhet të jetë anormal. Sepse nuk ka vend në Europë dhe botë që nuk pastrohen para të pista. Edhe Vatikani ishte në listën gri të pastrimit të parave të pista. Unë vazhdoj të them që ‘po në Shqipëri pastrohen para të pista, nga mëngjesi deri në mbrëmje’ dhe nuk e mohon dot kërkush këtë gjë. Por ama që ka akte të qarta të agjencive që ligji i ka ngarkuar të merren me këtë fenomen, po ka. Ka, siç ka Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave kallëzime në drejtim të organit të akuzës. Ka kallëzime të qarta për këtë fenomen, për kompani apo pronarë kompanish që merren me këtë gjë dhe që infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista. A duhet të ushtrojë Parlamenti kontroll mbi këto institucione për ta forcuar këtë luftë? Po duhet ta forcojë”, tha mes të tjerash Braçe.
Ministri Petrit Malaj ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, se niveli i euros ka rënë për shkak të hyrjes në vend të parave të siguruara nga aktiviteti kriminal.
Teksa tregoi disa parametra që sipas tij pasqyrojnë qartë rritjen ekonomike në Shqipëri, Malaj tha se s’kemi të bëjmë me para kriminale, por me para që kalojnë përmes sistemit bankar dhe që janë të mirë-monitoruara.
“Shqipëria si një vend kandidat për në BE, ndodhet në një fazë të rëndësishme të forcimit të shtetit ligjor. Remitancat për vitin 2025 sipas të dhënave të Eurostat u llogaritën në mbi 2 miliardë euro. Të ardhurat nga turizmi në 2025 kapën shifrën prej 5.7 miliardë eurosh, me një rritje prej 14.5 % krahasuar me vitin 2024. Investimet e huaja direkte u rritën në nivelin më të lartë historik për 9 mujorin e parë të vitit 2025, në vlerën 1.6 miliardë euro. Kreditimi në valutë, pra në euro, në 2025 u shtua me 1.8 miliardë euro. Investimet e shtetasve të huaj për blerjen e pasurive të paluajtshme u llogaritën në masën 560 milionë euro. Këta tregues tregojnë se nuk kemi të bëjmë me para të pista që hyjnë në territorin shqiptar, por kemi të bëjmë me para që kalojnë përmes sistemeve bankare, që janë të mirë-monitoruara”, tha mes të tjerash Malaj.
Komente











