Rama: Të nisim Vettingun tani
çadra e PD-së luftë për pushtet

Rama: Të nisim Vettingun tani<br />çadra e PD-së luftë për pushtet
Kryeministri Edi Rama i kërkon sërish Partisë Demokratike që të bashkëpunojë për të nisur nga zbatimi ligjin e Vettingut.

Përmes një video-mesazhi në rubrikën "Komunikimi i Javës" në Facebook, Rama thotë se protesta e opozitës dhe çadra e ngritur përpara Kryeministrisë, është luftë për pushtet. 

Sipas kreut të qeverisë, koha për zbatimin e ligjit që do pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, është tani, ndërsa kushdo që do tentojë ta vonojë shërimin e drejtësisë, do t'i kthejë ata në pengmarrës të Shqipërisë.  

"Tanimë themelet e një drejtësie të re janë vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kuvendi ka miratuar ligjet për fillimin e një revolucioni, duke nisur nga Vettingu. T'i hapim rrugë ndëshkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke zbatuar Vettingun. Koha është tani dhe çdo vonesë në shërimin e drejtësisë, i kthen poltikanët që pengojnë Vettingun, në pengmarrës të Shqipërisë. Koha është tani dhe shumica parlamentare është gati duke i hapur rrugë Vettingut. Opozita, PD, nuk mund të fshihet në çadrën e luftës për pushtet, duke braktisur detyrën e saj kushtetuese përpara qytetarëve, zgjedhësve, të cilët mund të mos duan drejtësinë, por duan Shqipërinë Europiane", u shpreh Rama. 

Kreu i qeverisë deklaroi se është i gatshëm të dialogojë me opozitën për çështje realiste, ose në të kundërt, u shpreh Rama, le të vetëvritet në Bulevard. 

"Natyrisht, opozita është e lirë edhe të vetëvritet politikisht në mes të Bulevardit, ku mund ta vazhdojë sa të dojë shfaqjen e dëshmpërimit të saj, në mungesë të një vizioni, programi, skuadre dhe lidershipi të besueshëm për Shqipërinë. Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta ftojmë dhe riftojmë në rrugën e arsyes dhe të dialogut ku mund të biem dakord për çdo propozim realist të saj dhe po ashtu ndërkohë të vazhdojmë të komunikojmë rëndësinë e këtij momenti me njerëzit, pa i ndarë në socialistë dhe demokratë, se dhe shtetin nuk duam ta bëjmë për një pjesë, por për të gjithë pa dallim", tha ai. 

Rama komentoi edhe deklaratën e Bashës i cili e quajti Bullshit (në anglisht gjepura) qëndrimet e ndërkombëtarëve se Vettingu mbetet kusht për çeljen e negociatave. 

"Të thuash se këto janë bullshit është njësoj si të kesh hipur në majë të pallatit dhe të thuash do hidhem me kokë nëse s'më japin çelësat e të gjithë pallatit. Ndjesë por këto ultimatume nuk kanë lidhje me demokracinë, ku qeverinë dhe opozitën e cakton populli në zgjedhje, jo një elitë e çoroditur partiake që janë mbledhur në një çadër proteste dhe aty ku protestuesit janë në hall që flasin me vete dhe për vete dhe hallexhinjtë janë figurantë që duartrokasin si në studiot e debateve televizive", tha Rama.

Ai përsëriti se mazhoranca ka një kontratë me shqiptarët për të kthyer drejtësinë ne duart e qytetarëve.

"Në 18 qershor, shqiptarët do zgjedhin qeverinë dhe opozitën për 4 vitet e e ardhshme. Ne kemi një kontratë me shquiptarët, kthimin e drejtësisë në duart e popullit. Ky është momenti për ta zbatuar këtë të drejtë themelore, duke nisur nga Vettingu. Kush nuk është gati ta bëjë këtë, tradhton haptazi Shqipërinë dhe shqiptarët", tha Rama.

Gjatë këtij komunikimi të përjavshëm, kryeministri foli dhe për reformat dhe planin kombëtar kundër kultivimit të lëndëve narkotike në të gjithë vendin.  

"Do ta bëjmë 2017-ën vitin e triumfit të shtetit mbi fenomenin e kanabisit që luftohet vetëm nga kjo qeveri. 

Po punohet në çdo sektor për të bërë shtet dhe reforma të thella që mungojnë prej 25 vitesh. 

Informaliteti në arsim është zmbrapsur tej çdo imagjinate në krahasm me tre vite më parë kur lulëzonte tregu i diplomave, me të rinj që diplomoheshin pa shkuar asnjë ditë në universitet.

Investimet e brendshme dhe të huaja janë në nivelin më të lartë, por jo aq sa duhet për ta fuqizuar ekonominë.

A duhen më shumë investime, sidmos të huaja, sigurisht, por na duhet një drejtësi e re, që garanton të drejtën e pronës, trajtimin e drejtë dhe të barabartë, hetime të drejta dhe të paanshme nga kushdo qoftë me pushtet apo pa pushtet, na duhet një drejtësi që e bën shtetin shtet
", tha Rama.

VIDEO/"Komunikimi i Javës" i kryeminstrit Edi Rama në Facebook
  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Ditëlindja e veçantë e Rudina Hajdarit, feston me të bijën dhe partnerin e ri (VIDEO)

Ditëlindja e veçantë e Rudina Hajdarit, feston me të bijën dhe partnerin e ri (VIDEO)