Rama tregon masat e marra për të parandaluar koronavirusin: Po veprojmë sipas rekomandimeve të OBSH (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se që në monentin e parë të përhapjes së koronavirusit janë marrë masat të parandaluar mbërritjen e saj në Shqipëri sipas rekomandimeve të OBSH.

"Megjithatë, sot vendosëm që ta bëjmë këtë mbledhje të hapur, për të folur me fakte për situatën ku ndodhemi, për masat që kemi marrë dhe do të marrim, siç është bërë gjatë gjithë kësaj kohe, kur kemi parapëlqyer dhe kemi vendosur që të punojmë hap pas hapi, më shumë në heshtje, pikërisht për të mos ushqyer infodeminë dhe për të mos krijuar tensione artificialisht të rritura.Profesionalizmi për hir të të vërtetës ka qenë shembullor. Kjo, jo e thënë nga unë, por e konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

E para, deri tani që flasim, në Shqipëri nuk kemi asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit. Janë testuar deri sot, në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, - laborator reference i certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për kryerjen e diagnozës së koronavirusit në vendin tonë, - 17 raste të dyshuara që kanë rezultuar të gjitha negative. 17 individë të dyshuar për marrjen e virusit, që pas testeve rezultojnë të paprekur prej tij.

E dyta, situata është ndjekur me vëmendje të veçantë nga Ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe drejtpërdrejtë nga ministrja që ka ngritur që në momentin e parë Task-forcën dhe Komitetin Teknik të Ekspertëve për përgatitjen, parandalimin dhe kontrollin në sfidën e madhe, që është një sfidë globale, por që për pjesën që na takon ne, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në zbatim të rregullores ndërkombëtare të shëndetit, me të gjithë ekspertët dhe duke ndërtuar një strategji me të gjitha hapat në funksion të përballimit të rrezikut të infeksionit për njerëzit e vendit tonë.

E treta, është fakt se nga momenti i parë janë marrë masat si më poshtë: Është forcuar mbikëqyrja aktive e sistemit alert në të gjithë nivelet e sistemit shëndetësor në gjithë vendin, duke filluar nga njësitë shëndetësore të pikave kufitare tek Urgjenca Kombëtare, në strukturat vendore të kujdesit shëndetësor, Shërbimin Epidemiologjik, Inspektoratin Shëndetësor dhe strukturat spitalore rajonale dhe universitare;

Janë përcaktuar protokolle të sakta dhe janë shpërndarë udhëzues, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gjurmimin e rastit që në pikat kufitare, ndjekja e kontakteve dhe përgatitja e reagimit të të gjitha strukturave shëndetësore në vend; Janë trajnuar 800 profesionistë të shëndetit në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor dhe trajnimet vijojnë kaskadë në të gjithë vendin, sipas planit të paracaktuar;

Janë dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare ajrore dhe detare për të pasur kontroll, sipas rregullave të përcaktuara për kontrollin, si dhe monitorimi i pasagjerëve mbërritës kryhet nga ekipi shëndetësor, si një masë e shtuar pas konfirmimit të transmetimit komunitar në Itali të koronavirusit. Deri më tani janë kontrolluar imtësisht 8122 persona pasagjerë dhe në nivel të pikave kufitare detare dhe tokësore 14 mijë udhëtarë. Në aeroportin “Nënë Tereza” dhe në Portin të Durrësit e të Vlorës janë disponuar mjedise të caktuara për izolim dhe atë që quhet karantina e përkohshme në raste të dyshuara;

Janë marrë masat për rritjen e stokut të mjeteve të mbrojtjes specifike personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare në strukturat shëndetësore spitalore dhe deri në nivelin e diagnozës laboratorike. Është siguruar stoku i medikamenteve dhe terapive antiviralesi dhe janë marrë masat për ofrimin e kapaciteteve për trajtimin intensiv në rast paraqitjeje të rasteve të rënda.

Është alokuar një fond 1 milionë dollarë për rritjen e stokut aktual të mjeteve mbrojtëse. Kjo masë i shërben vetëm qëllimit të lartpërmendur dhe duke siguruar mbështetjen për çdo nevojë, sipas shkallës së riskut", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Koronavirusi/ Rama zbulon: Konvaleshenca e ushtarakëve në Durrës do të kthehet në karantinë (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë