TIRANË- Përballë pasojave të rënda që kanë sjellë dhe pritet akoma më shumë të vijnë nga lufta Ukrainë-Rusi, kryeministri Edi Rama u ka thirrje qytetarëve shqiptarëve që të bashkohen për të përballuar krizën.

"Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajo, besim dhe durim. Të bashkuar, jo të ndara", shkruan Rama.

Theksin e ka vënë te energjia. Ai jep argumentet e tij duke theksuar se Shqipëria e ka të pamundur që të mos preket nga kriza e energjisë, pasi nuk është në gjendje për ta prodhuar vetë. Mirëpo në një kohë kur çmimi i energjisë ka pësuar një rritje në tregjet kombëtare, Rama thotë se kjo është nuk është reflektuar në vendin duke siguruar që do të vijojë financimi nga shteti, por thekson "deri kur të jenë mundësitë". Ai shtoi se qeveria ka vendosur mburojë financiare për familjarët dhe biznesit e vogël.

"Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet. Prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë! Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjitike. Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht! Gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë!

Qysh me shfaqjen e shenjave të krizës energjitike disa muaj më parë, qeveria ka paralajmëruar kohë të vështira përpara dhe ka vendosur një mburojë financiare për familjet dhe biznesin e vogël. Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend  që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lek, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lek!

Të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë. Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi. Por të gjithë duhet të vetëdijësohen se tanimë tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje", shkruan Rama.

Në lidhje me rritjen e çmimit të naftës ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta. Ai ka shkruar në Facebook se rritja është abuzive dhe se ukrainasit e blejnë më lirë naftën. Meta ka bërë thirrje që të ndalet rritja abuzive e cila sipas tij vjen nga babëzia duke u justifikuar me luftën. Nga ana tjetër, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se fajtor për rritjen e çmimeve nuk është vetëm lufta, por edhe vetë Rama, i cili ka rritur taksat. Ajo thotë se zgjidhja e vetme është ulja e taksave, dhe jo justifikimet, siç ajo i ka quajtur, deklarata e Ramës. Edhe Berisha ka reaguar, duke thënë se nëse nuk merren masa, atëherë do thërrasë një protestë.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama, krah ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku ka paralajmëruar qytetarët se duket të përgatiten psikologjikisht për skenarët më të këqij të mundshëm të pasojave ekonomike, përfshirë këtu edhe shkurtime dramatike të energjisë dhe naftës. Nga ana tjetër, Balluku tha se qeveria ka gati planin për kursim, që përfshin administratën, por edhe për qytetarët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:41
LSI depoziton në Kuvend nismën ligjore për uljen e çmimit të naftës, Vasili: Të pezullohet deri në fund të vitit taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit

Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar në Kuvend nismën ligjore, ku ka kërkuar pezullimin e pagesës së Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit deri në fund të vitit. Sipas nënkryetarit të LSI-së kjo do të sillte uljen e çmimit të naftës.

‘Kam paraqitur sot ne Kuvendin e Shqiperise Nisme ligjore per uljen e çmimit te karburanteve!(Dokumenti) Kam kerkuar pezullimin e pageses se Takses se Qarkullimit dhe Takses se Karbonit. Koha nuk pret. Demagogjia nuk i duhet kujt ne keto momente kritike. Kuvendi duhet te miratoje menjehere kete Nisme Ligjore ne te mire te qytetareve dhe familjeve e bisneseve shqiptare. Qytetaret duhen ndihmuar e mbeshtetur sot.’- shkruan nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili.

Ora 13:23
 Rritja e çmimit të naftës, Berisha: Të ndalen spekulantët, Rama sikur e lajmëron vetë i pari! Të merren masa, përndryshe opozita do të jetë në rrugë

 

Lajmëtarin e parë të rritjes së çmimeve. Kështu e ka cilësuar ish-Kryeministri Sali Berisha Kryeministrin Rama lidhur me deklaratat e tij së fundmi për krizën energjetike nga lufta në Ukrainë.

Në një deklaratë për mediat Berisha ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk merr masa opozita do të dalë në rrugë.

"Rimbursim apo bonus për të gjitha familjet në nevojë. Qëndrimi i Ramës është i papërgjegjshëm ndaj kësaj krize. Nëse nuk merren masa opozita shqiptare do të dalë në rrugë", tha Berisha.

"Hordhitë e dyta në mbarë Evropën janë spekulantët që si shushunja duna të pasurohen nga lufta. Në këtë kontekst është në detyrën më parësore të qeverive të vendeve evropiane të luftojnë më vendosmëri këta spekulantë. Të gjitha vendet e BE-së kanë marrë një seri masash për të mbrojtur qytetarët e tyre. Sot, Shqipëria ka çmimet më të lartë në Evropë për sa i përket naftës dhe gazit ndonëse është një vend prodhues i naftës, sasi të konsiderueshme, prodhues në sasi jo të mëdha të gazit. Megjithatë shqiptarët paguajnë sot naftën rreth 2 euro në treg, çmim që është më i lartë i regjistruar në Evropës pavarësisht se pagat e tyre janë 10 herë më të ulëta sesa në vendet e zhvilluara. 150-200 ka qenë çmimi i naftës në bursë në vitin 2008 dhe çmimi nuk ka qenë kaq i ma dh për qytetarët. Ky çmim në Shqipëri vjen si pasojë e një serie taksash të vendosura me arbitraritet nga qeveria. Sot qeveria ka vendosur që përveç TVSH-së, akcizës, edhe taksën e qarkullimit, e cila ekzistonte në 70 lekë dhe u bë 270 lekë. Krahas tyre janë vendosur tarifa absurde si ato të kontrollit, të pompës", u shpreh ai.

Ora 13:19
Rritja e çmimeve, Tabaku: Fajtor nuk është vetëm Putin! Rama: Ka rritur taksat, sot vetëm justifikohet

 Nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se nuk po ia bën aspak të lehtë jetesën qytetarëve, përballë rritjes së çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë. Në një reagim, Tabaku tha se rritja e çmimeve nuk ka fajtor vetëm Putin, si shkak i luftës, por edhe vetë kryeministrin Edi Rama i cili ka rritur taksat, e ndërsa sot nuk bën gjë tjetër veçse justifikohet. Ajo ofron si zgjidhje uljen e taksave.

"Po i afrohemi një krize ekonomike dhe në xhepat e secilit prej qytetarëve. Çmimi naftës po shkon 300 lekë/litër dhe kjo do të thotë që të gjithë produktet e tjera do të rriten ndërsa të ardhurat e qytetarëve do të zhvlerësohen. Shqipërinë po e përndjek kriza e stagflacionit, ku njerëzit do të shpenzojnë më shumë për naftën dhe më pak për ushqimet e shportës. Në një vend ku 40% e të ardhurave shkojnë për ushqimet bazike dhe pijet joalkoolike kjo do të thotë më shumë shpenzime për më pak produkte.

E gjitha kjo nuk ka fajtor vetëm Putin edhe as luftën, qeveria Rama ka që në vitin 2014 që ka rritur taksat që ka vendosur tek nafta. Sot gati 60% e çmimt të naftës është prej taksave dhe tarifave ndërkohë që shqiptarët kanë rrogat më të ulëta në rajon. Një qeveri e papërgjegjshme që më lehtë ka justifikimin se sa punën për të ndihmuar shqiptarët që ta kalojnë krizën nuk është një qeveri për qytetarët. Duhet të veprohet përpos se të propagandohet.

Rruga e vetme është lehtësimi i politikave fiskale, pra ulja e taksave, por kur qeveria ka më shumë përzemër koncesionet dhe PPP-të korruptive se sa kuletën e qytetarit ajo nuk është më një qeveri e qytetarëve por një qeveri e oligarkëve. Nëse vazhdohet kështu kriza do shkojë edhe më thellë në xhepat dhe kursimet e qytetarëve", tha Tabaku.

Ora 12:47
Kriza energjetike, Rama: Kostoja është rritur, por nuk është reflektuar në faturë! Kemi vendosur mburojë për familjarët dhe biznesin e vogël

1646727134_rama222.jpg

Çmimi i energjisë nuk do të rritet. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama. 

"E mirëkuptoj tërêsisht stresin e madh të kësaj kohe, prandaj u them të gjithë atyre që pa dëgjuar e as lexuar reagojnë mbrapsht:

Qeveria ke vendosur mburojë financiare mbi faturën e energjisë për familjarët dhe biznesit e vogël dhe prej disa muajsh kostoja rritet si pasojë e krizës, çmimi në faturë jo! 

Lufta po i ngre zgupthi çmimet! Sot energjia na kushton 61 lek për kilovat, familjet vazhdojnë të paguajnë 9.5 Lek! Pyesni, shikoni çfarë bëhet në vendet fqinje dhe mos duartrokisni, po vetëm kuptoni se nuk jetojmë në një kohë normale, e cila kërkon kurajo dhe dinjitet", shkruan Rama. 

Ora 12:14
Meta: Të ndalet rritja abuzive e çmimit të naftës, edhe vetë ukrainasit e blejnë më lirë

1645272603_META2.jpeg

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, bën thirrje që sipas tij të ndalet rritja abuzive e çmimit të naftës në Shqipëri që prej ditës së nisjes së luftës në Ukrainë. Madje sipas Metës edhe vetë ukrainasit e blejnë më lirë naftën.

"Ukrainasit në luftë e blejnë naftën 1 euro/litër, shqiptarët në paqe me 2.2 euro/litër. Edhe sipas raportit të “Global Petrol Price”, të datës 7 mars 2022, 1 litër naftë në Shqipëri kushton më shtrenjtë se:  Në Slloveni 1.75 USD/litër; Në Kroaci 1.65 USD/litër; Në Rumani 1.6 USD/litër; Në Serbi 1.57 USD/litër; Në Bullgari 1.55 USD/litër

Rritja abuzive dhe e shfrenuar e çmimit të karburanteve duhet të ndalet menjëherë! Babëzia me justifikim luftën është e papranueshme", shkruan Meta në Facebook.