Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave për mosreagimin e tij të drejtpërdrejt ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila në një intervistë televizive tha se nëse do ta kishte në dorë, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Kreu i qeverisë shkruan se Qeveria e Shqipërisë dënoi deklaratën e qeveritares serbe përmes ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hxoha, dhe shtoi se kjo rrugë reagimi është e duhura për çdo shtet që ka respekt për veten. Duke quajtuar çyryke ministren serbe, Rama shkruan se nuk mund t'i bashkohet korit të histerisë që jo rrallë herë përfshin opinionin publik.

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!

Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë.

Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës, ndërkohë që po deshe të mbash ijet me dorë duhet edhe të gjesh kohë t’i lexosh.

Paunoviç para pak ditësh në “Kurir TV”, deklaroi se po të ishte në vend të ish-presidentit Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Më herët, Sali Berisha akuzoi qeverinë se nuk ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik në Kosovë. Berisha tha se ajo ka shprehur mendimet e padronit të Edi Ramës, presidentit serb Aleksandër Vuçit. Si dhe përsëriti edhe njëherë qëndrimin e PD për shpalljen e ministres non grata.

Edhe gjatë seancës parlamentare të ditës së sotme, deputetët Erald Kapri nga Mundësia dhe Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë, kërkuan një qëndrim nga qeveria shqiptare ndaj zyrtares serbe.

Fjalët e Paunoviç kanë trazuar jo vetëm Kosovën dhe Shqipërinë por edhe politikën e brendshme serbe. 53 deputetë të opozitës parlamentare atje kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit Gjuro Macut që ta shkarkojë Paunoviç.

Lajmin e njoftoi deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi,  i cili në një status në Facebook, tha se grupi parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, inicioi shkarkimin e ministres serbe për Administratë Publike.