Rama uron Fatos Nanon për ditëlindje: Mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta! Uroj që të shkruajmë në një libër raportin e ‘turneve’ tona

Rama uron Fatos Nanon për ditëlindje: Mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta! Uroj që të shkruajmë në një libër raportin e ‘turneve’ tona

Fatos Nano

*Urimi i kryeministrit Edi Rama për liderin historik të Partisë Socialiste Fatos Nano në 71-vjetorin e ditëlindjes.

FATOS NANO u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysmë shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45 vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake. Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurërreshkur nga dielli i arafabrikakantiereve, "Qorri" ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.

Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare. Mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë. Fotoja që kam përzgjedhur për këtë ditë urimi ka qenë për mua pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes së tij nga burgu dhe ende sot befasohem nga ndryshimi i hatashëm mes saj e pamjes së tij në gjyq. Fatosi i prangosur para gjykatësve me vështrimin enigmatik, është presori i Ekonomikut i marrë peng që mbahet fort për sytë e popullit. Ndërsa Fatosi me duart e lira dhe sytë që shkëlqejnë fort është një kafshë e rrallë politike, të cilën pata fatin ta njoh nga afër.

Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur të PS e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara. Në krye të qeverisë atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtetndërtimit nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit '97. 

Historia e marrëdhënies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga "birësimi" im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek "vrasja e babait" për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm,  me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurrenca e dobët.

Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t'ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh. Po ka kohë plot deri atëherë dhe në ndërkohë, uroj për Fatosin shëndet, gëzime e çdo të mirë familjarisht.

#TëRRALLË

*shtator 2020

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pali: 16/09/2023 19:55

    Kuadri i Tiranes enveriste nuk e "vret" gjulyshne apo babane. Ja edhe Rame byroisti gjithmone e uron "baba" Nanon. Jo si Basha, qe e vret Salen tre here ne dite!

    Përgjigju
  • Intelektuali: 16/09/2023 17:39

    S'ke lidhje me Nanon ti o Rame ti nuk i vleresove si aset intelektualet por mbajte legenat qe skan len gje pa bere por njerz nuk behen kurr.

    Përgjigju
  • Xxxxxxx: 16/09/2023 17:11

    Nano eshte nje qen dhe si qen iku..

    Përgjigju
  • POPULLI: 16/09/2023 15:52

    e mbajti timonin e PS,,POR NA FUTI NEVE KOLLODOKUN....

    Përgjigju
    • fiks: 16/09/2023 17:42

      mire e the. cdo e shkruaje librin kot. do jape llogari per te tera 1qe ka bere andej nga do veje se shpejti. se per ato qe ka lene ketu do e japin llogarine keta te tjeret.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Reshje dëbore në Krujë, pamje spektakolare nga Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës

Reshje dëbore në Krujë, pamje spektakolare nga Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës