Rama: Vetëm Furgonë me licencë
si taksi, PD: Tërhiq vendimin

Rama: Vetëm Furgonë me licencë<br />si taksi, PD: Tërhiq vendimin
TIRANË -  Kryeminitri Edi Rama , zgjedh sallën e parlamentit, për të sqaruar skemën e qeverisë për përmirsimin e transportit të taksive 8 +1 . Ai ka deklaruar transformimin e këtij sektori duke pohuar se asnjë furgon nuk do të funksionojë pa license dhe se ata që do të udhëtojnë në linja ndërqytetase, do të pajisen me license taksie. Ndërkohë atyre me licencë do u jepet kohë.

Kreu i grupit PD-së Edi Paloka i kërkoi qeverisë të tërheqë vendimin që penalizon qytetarët dhe shoferët. Madje kanë ftuar të gjithë shqiptarët edhe shoferët e furgonëve taksi t'i bashkohen protestës që opozita ka parashikuar të mbahet më 20 shkurt. Rama akuzoi qeverinë e kaluar se i "la rrugët si Bangladeshi"  ndërsa ish kryeministri akuzoi Ramën se "Po rikthen vitet 2003-04"

Në seancën e sotme parlamentare, e cila zgjati më shumë se 10 orë,  Opozita dhe mazhoranca u përfshinë në debate të ashpra për sigurinë rrugore duke shkuar deri në përdorimin e fjalorit fyes mes njëri-tjetrit.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri mbrojtën planin e masave për sigurinë rrugore, si dhe vendimin për ndërprerjen e transportit të pasagjerëve me furgonat pa licencë. Afër përfundimit të seancës maratonë në Parlament, ka shfaqur probleme shëndetësore deputeti i PD-së Florion Mima. Pasi deputeti demokrat ka marrë ndihmë mjekësore në një ambulancë të mbërritur në ambientet e Kuvendit,dhe më pas seanca ka vazhduar me votimin e marrëveshjeve.

Sa i takon masave për qarkullimin e furgonëve të pasagjerëve, për qeverinë këto janë masa të domosdoshme për të parandaluar aksidentet të cilat janë në nivele alarmante krahasuar me statistika botëtore. Nga ana tjetër opozita akuzon qeverinë se po shkatërron vende pune.

Kryeministri Rama akuzoi  opozitën se në kohën e qeverisjes me afera korruptive ngriti rrugët më të pasigurta si të ishte periferi e Bangladeshit. Rama akuzoi opozitën se e lanë transportin si mos më keq dhe sot duan të përfitojnë politikisht.

Gjatë seancës opozita ka përsëritur akuzat për lidhjen e mazhorancës me krimin në Kuvend pas dorëheqjes nga mandatet e dy kandidateve femra të listës së LSI-së në qarkun e Durrësit. Dy deputete Ermia Koçi dhe Klodiana Pashka kanë hequr dorë nga mandati i deputetit dhe në Parlament, nga lista e LSI-së pritet të ulet Bujar Derverni. 

Deputetja Mesila Doda tha se po shkelet Kushtetuta pikërisht në Parlament dhe kryeministri nuk mban garanci pasi lidhjet me krimin e mbajnë të mbërthyer më fort se e drejta. Ajo kërkon të japë dorëheqjen, pasi ka dështuar me premtimet për sigurinë, rendin, punësimin dhe shërbimin shëndetësor falas.

Deputetja e opozitës Mesila Doda ka akuzuar sërish qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin, duke iu shmangur temës së diskutimit të ditës.

Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi dhe marrëveshjen ndryshuese mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane KFV, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 KV Shqipëri-Kosovë (Tiranë – Prishtinë).  Gjithashtu ratifikoi dhe tre marrëveshjeve me palën italiane në fushën e bujqësisë.


CFARE NDODHI NE SEANCEN E SOTME MINUTE PAS MINUTE
 
ORA 23:30 KUVENDI MIRATON MARREVESHJEN PER  LINJËN E INTERKONJUKSIONIT ME KOSOVËN

Kuvendi miratoi me 102 vota pro marrëveshjen me KfW-së për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV me Kosovën. Marrëveshja parashikon një ndryshim në Marrëveshjen e huasë dhe projektit mes Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave, Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), si agjencia e zbatimit dhe bankës gjermane KfW , të projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë), miratuar në parim nga Qeveria në 22 janar 2014.

Këto ndryshime lidhen me kohën e shlyerjes së kredisë si pasojë e vonesave të proçedurave të prokurimit të kontratave për zbatimin e projektit, ku nuk u realizua disbursimi i kredisë sipas afateve të parashikuara tek marrëveshja e parë. Proçedurat e prokurimit të kontratave për zbatimin e projektit kanë përfunduar në dhjetor 2013.

Marrëveshja e parë u miratua me ligjin nr.10248, datë 11 mars 2010 për projektin “Linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë” nëpërmjet huasë prej 42 milionë euro. Shlyerja e kredisë prej 42 milionë euro në këtë projektligj parashikohet të kryhet me afate të përcaktuara brenda 8 viteve, nga 30 qershor 2016-30 dhjetor 2024.

ORA 23: 25 SHQIPËRI-ITALI, MIRATOHEN ME SHUMICË VOTASH 3 PROJEKTLIGJE PËR ZHVILLIMIN E BUJQËSISË

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë votash tre projektligje në fushën e zhvillimit të bujqësisë: Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për programin “Fuqizimi i Agjencisë Shqiptare të Pagesave (AZHBR) për lëvrimin e Kontributeve në Bujqësi”, Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit “Projekti pilot për krijimin dhe eksperimentimin e një sistemi sigurimesh të lehtësuara për mbulimin e rreziqeve në bujqësi” si dhe Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për programin “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Sektorit të Ullishtarisë Shqiptare (ZHQSU).

ORA 22:45 DEBATET PËR INTERKONJEKSIONIN BRACE-BALLA-BERISHA
Në seancën maratonë të Parlamentit ish-kryeministri Berisha është akuzuar nga mazhoranca për bllokimin e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.
 
Deputetët e kanë cilësuar atë përgjegjës të drejtpërdrejtë për dështimin e projektit në të madh energjetik mes 2 vendeve, për shkak të interesave të tij. Sipas ish-kryeministrit Berisha, tenderi u anulua për shkak se fituesi kishte korruptuar komisionin.
 
Projektligjet të cilat ishin në rend të ditës morën miratimin e parlamentarëve ndonëse u fol shumë pak për to. Kuvendi po ashtu miratoi edhe listën e kryetarëve dhe anëtarëve të Komisionit Hetimor që do të merret me emërimet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit.


ORA 21:00 DEPUTETI I PD FLORION MIMA SHFAQ PROBLEME SHENDETESORE NE KUVEND
Në fund të seancës maratonë në Parlament, ndërsa nuk kanë munguar debatet për sigurinë rrugore mes opozitës dhe mazhorancës, probleme shëndetësore ka shfaqur deputeti i PD-së Florion Mima.

Partia Demokratike ka kërkuar 5 minuta pushim, por gjatë kësaj periudhe të shkurtër pushimi, deputeti demokrat ka shfaqur probleme.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se një ambulancë ka ardhur me urgjencë në ambientet e brendshme të Kuvendit, ku deputeti demokrat ka marrë ndihmë mjekësore. Ndërkaq ka vijuar seanca në Kuvend.

ORA 17:30, MENDJET E SËMURA NUK KUPTOJNË REALITETIN, ARRITJET E QEVERTISË SË SHKUAR
Në një dalje tjetër, ish-kryeministri Berisha përmendi të gjitha arrtijet e qeverisë së tij, në rrugë, në sistemin energjitik etj. Por sipas ish-kreut të PD-së, ka mendje të sëmura që nuk arrinin të shikonin veprat publike të ndërtuara nga qeveria e tij, por e ngatërronin relitetin.

“Ata që jetonin në realitetin qytetarë e kuptonin, por jo mendjet e sëmura. Ata kanë një raport të vdekur në raport me realitetin. Për ta realiteti nuk ekziston. Kryekryetari juaj ka thënë një deklaratë skandaloze, që Shqipëria nuk fiton nga projekti TAP. Injoranca kurrë nuk është një argument. Problemi i tyre është që nuk dinë të lexojnë kontrata”, tha Berisha. 

ORA17:02 BERISHA: SHQIPËRIA E PELESHIT EKZISTON VETËM NË KOKËN E RAMËS
“Dua të falenderoj zotin Peleshi që nxorri para korçarëve veten. Ky foli nga ana e pasme e hënës, foli nga ajo Shqipëri ku nuk ekziston askund veç në kokën e Edi Ramës. Janë veç dy komuna ku nuk ka rrugë të asfaltuara në fshatra. Nuk është Korça në mëndjen tënde, por është Korça që ka në mendje Edi Rama”, tha Berisha për zv/kryeministrin Peleshi.

BERISHA: NËSE NUK JANË 51 TË VRARË DO JU KËRKOJ NDJESË PUBLIKE
“Kalojmë tek ky miku i bandave. Ka shumë mundësi dhe se përjashtoj, sepse komunikatat e policisë nuk i diskutoj. Ka ndodhë dje dhe duhej që të njoftohej dje. Është bërë e domosdoshme që në Komisionin Sigurisë të paraqiten 1 për 1 të vrarët. Nëse janë 34 unë dhe forca ime politike do ju kërkojë ndjesë publike, por nëse janë 51 atëherë ju shkelni mbi kufomat”, tha Berisha në replikën e tij për ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.

ORA 16:55 TAHIRI: MË THONI EMRAT E 51 TË VRARËVE OSE IKNI SI MASHTRUESË
“Ju ftoj dhe ju sfidoj që të vini këtu dhe më thoni emrat e 51 të vrarëve. Hajdeni ju dhe më numëroni emrat e 21 të vrarëve, ose ikni si gënjeshtar nga ky Parlament. Faleminderit që i lexoni komunikatat e Policisë së Shtetit dhe prandaj i kemi nxjerrë edhe online që ju ti lexoni. Ngjarja për të cilën ju thoni, e ka vërtetuar edhe policia dhe prokuroria që është bombul gazi”, deklaroi ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, duke iu përgjigjur akuzave të Berishës.

ORA 16:45 SHALSI, BERISHA I VETMI POLITIKAN QË IMITON KOMEDINË VETË
“Kolegu im po më thoshte që sot Saliu nuk do të jetë në Kuvend po është ai që e imiton. Ne kemi parë shumë politikanë që imitohen nga komedianët. Berisha është i vetmi politikan që imiton komedinë e vetë. E kam të vështirë ta gëlltis faktin që një politikan në moshën e tij, ku duhet të demonstronte maturi, urtësi, mençuri, vazhdon të nxjerrë nga goja vrerë. Kjo është jo dinjitoze për parlamentin”, deklaroi deputeti, Eduart Shalsi në Kuvend.

ORA 16:31 ULUSI MANJA: TI DHE FAMILJA JOTE NOTONI NË HARAM, KA ARDHË KOHA TI LANI
Deputeti i Dibrës, Ulusi Manja i është përgjigjur deklaratës së Berishës. Në fjalën e tij ai tha se, tani ka ardhë koha që ish-kryeministri Berisha dhe familja e tij të paguajnë për haramet e tyre.
 
“Ki durim të të jap një përgjigje. Para se të vije këtu një nga zëdhënësit e tu këtu përmendi një shprehje të Maos. Tani duke dëgjuar refrenin tënd të mashtrimeve ordinere, bindem se Enver Hoxha me ty e ca të tjerë ndërtoi pemën e mashtrimit për 40 vite. Ti dhe familja jote notoni në haram dhe duket se ka ardhur koha ti lani pak e nga pak. Familja ime përbëhet nga vajzat dhe gruaja ime
Një shprehja thotë: Vdekja ka mijëra dyer për tu larguar nga kjo botë edhe për mua do të ketë një rrugë, por unë do të ik nga kjo botë si njeri dhe jo si mashtrues ordiner që i ka të lara duart me gjak”, tha Manja.

ORA 16:24 BERISHA: PO RIKTHENI BANDAT NE QEVERI SI NE 2003-04
“Një njeri i cili me një paranojë të papërbajtur shpall ditën e parë të ardhjes në pushtet se nuk zbatojnë ligjet e Berishës, zëvendësimin e shtetit ligjor me atë policor. Me vendime të qeverisë, të kryeministrit, apo të ministrave janë dhunuar një numër ligjesh.  
 
Ju po riktheni me shpejtësi 2003-04. Ju po ktheni bandat që sundojnë ju, biznesin. Mu në zemër të zonës së kryekreut ju doli banda e partisë. Të gjithë e kanë marrë vesh se i penduari i parë kishte bërë vrasje. Denoncoi por ju e latë për 7 ditë, rrugëve. Ai kishte lidhje me ju, mes Gjikës së Bashkisë, Dervishit të qeverisë.
 
Sinanaj, Gjokonaj, janë ushtarë. Ky është tekniku i vrasjeve, ai është shegert i tij. Por bossat janë këtu mes jush. Kush po i nxjerr. Në grupin e hetuesve ka numërues të tyre, sepse ka qenë numërues i parë, i dytë. Ky është 151 ditori. E cila është zgjidhja? Zgjidhja është se kemi 34 vrasje. Ftoj deputetë e PS-së, që të marrin komunikatat e policisë në të cilat është firmosur për 51 vrasje. Turp! Nuk fshihet krimi.
 
Familjes së Todi Bidos i kanë vënë tritol dhe policia raporton se ka shpërthyer gazi. Po policia pse nuk ka dhënë versionin e saj në lidhje me ngjarjen.  Këtu u fol për një aksident tragjik. Po një urim u bë mo zotëri, një vendim u mor për tua marrë shpenzimet. Asnjë nga këto nuk u bë. Shumë shumë dobët, pastaj unë ju pengoj ju këto.   
 
Garantoj ata se, çdo premtim mashtrim do ta shndërrojmë realitet së bashku. Çdo mashtrim të tyre. Në hirarkinë e vlerave më eprorja është dinjiteti dhe ne do të marrim nismën që ti çojmë deri në fund premtimet ndaj tyre. Do të jenë shqiptarët krenarë dhe ne nuk mund të pranojmë që të shkatërroni çdo ditë vende pune. Prandaj ftoj çdo qytetar shqiptar, ata që i thonë lirisë, liri, dinjitetit, dinjitet, të vijnë e të bashkohen me ne në 20 shkurt në marshimin e madh”, përfundoi ish-kryeministri Sali Berisha në Kuvend.

ORA 16:07 BERISHA: THATË SE BORXHI ISHTE 700 MILIONË $ POR JU DOLI VEÇ 200 MILIONË
“Po ndërtoni me shpejtësi sistemin e boshit. Premtuat adresim të drejtë të shëndetësisë. Hoqët lokalet për ti dhënë hapësirë spitaleve, por ju keni 150 ditë dhe ka vetëm rrënim. Ky nuk është më buxheti i Sali Berishës, por i juaji. Vitin tjetër ju do jeni të detyruar që do çoni borxhin në 85 %.
 
Nxorrët shpifje për borxhin 700 milionë por ja erdhi Deloitte & Touch dhe ua nxorri 200 milionë dollarë. Prandaj dhe 20 shkurti është dita e madhe. Denar Biba është i regjistruar dhe çdo tender e bën me Edi Ramën dhe ndajnë përqindjen”, deklaroi Berisha.
 
“A e dini ju. Krimi ekonomik është ai i karroatrecave. A e dini ju se, Olsi që u vra u mor në telefon badigardi i ministrit. Momentin kur e kapën plumbat ai po fliste me truprojën e ortakut të tij.
 
Si hajdut xhepash hiç një e nga një koncesionet dhe tani u thoni hajdeni e merrini sërish. Emëruat Koçon në krye të naftës”, tha gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha.

ORA 15:47 BERISHA: I MORËT VOTAT DUKE MASHTRUAR SHQIPTARËT
Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të shumta ndaj mazhorancës dhe kryeministrit për mashtrime që i kanë bërë shqiptarëve. Sipas tij, marrëveshja e bashkë-qeverisjes u firmos 100 vjet pas pushtimit të Shkodrës nga sllavët.
 
“I nderuar bashkëkryetar i mazhorancës së 1 Prillit, që u themelua në 100 vjetorin e pushtimit të Shkodrës nga forcat sllave dhe ju zgjodhët pikërisht atë qytet për të hedhur firmat. Kjo mazhorancë hyn sot në 150 ditëshin e dytë të saj të qeverisjes së falimentuar. Këto 150 ditë u mbushën sot për të nxjerrë në shesh mashtrimin e tmerrshëm, që një njeri me probleme të mëdha psiqike i lejoi vetes të mashtrojë shqiptarët.
 
Çurçili thotë: Të majtët me fjalë të marra të çojnë në katastrofë. Komunistët çojnë edhe në dhunë. Këtu po vjen edhe me dhunë. Thelbi i lirisë është dinjiteti njerëzor.
 
Po sot pas 23 vjetësh si janë shqiptarët? Mjerisht sot shqiptarët janë më të mashtruar se bjellorusët, janë kombi më i mashtruar në Europë. Votat e tyre u rrëmbyen duke premtuar atyre shërbim shëndetësor falas, legalizime falas, duke u premtuar fermerëve 5-fishimin e granteve për ta. Votat e tyre u rrembyen duke premtuar ulje 100 % të shqiptarëve, 97 % uljen e taksave, duke u premtuar atyre heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike. Besimi i tyre u përdhos, duke iu premtuar atyre heqjen e TVSH për ushqime.
 
Po çfarë ka ofruar. Ka ofruar faturën afrofe, një gjobë e madhe për qytetarët. BB ka bërë një kërkim se 60  % e shqiptarëve konsumojnë vetëm 220 KV në muaj”, deklaroi Berisha në fjalën e tij.            


REPLIKA DHE OFENDIME MES KRYEMINISTRIT EDI RAMA DHE EDI PALOKES
 
PALOKA: MË MIRË BAJGË SE DEMAGOG
Unë po ju ju citoj një filozof më të madh të këtyre, Mao Ce Dunin. Shoku Mao ka thënë që bajga është më e vlefshme se dogma se bajga të paktën bëhet pleh. Faleminderit.
 
RAMA: MBI KËTË CITAT JANË NGRITUR KËTA PREJ 20 VITESH
Rama: Është e qartë që burimi i citatit të Mao Ce Dun-it është dikush tjetër dhe mbi atë citat është ngritur dhe qënia 20 vjet deputet e këtij e këtij hotdokmës që foli përpara meje
 


ORA 15:10 DODA: ATENTATI NDAJ PREFEKTIT TË VLORËS, I BENI IRONI SHOQI-SHOQIT
Deputetja e PD-së Mesila Doda është ndalur tek rasti i vendosjes së lëndës eksplozive C4 në automjetin e Prefektit të Vlorës, duke akuzuar qeverinë për rritje të kriminalitetit të vend. Doda tha se po ironizohet lidhur me atentatorin ndaj Prefektit, ndërsa nuk po vendoset rendi dhe siguria në vend.
 
“Nënat, gratë, burrat e këtij vendi po përjetojnë një tragjedi që të zënë derën e shtëpisë tënde të kryeministrisë e parlamentit për të kuptuar përmasën tragjike që i keni dhënë ekonomisë së familjeve të tyre. Keni premtuar rend, por njerëzit po shpërthejnë çdo ditë me makinë dhe nëpër shtëpi, dhe si për ironi i bëni shoqi shoqit pas kush është vrasësi i prefektit që akuzon klanin e policisë bashkiake apo ai që i ngjiti C4 Prefektit sepse nuk i hap telefonin zot na ruaj nga kjo farë vrasësish”, tha Doda.

14:00 TAHIRI: DO NDALOJME TRANSPORTIN PA LICENCE
Tahiri akuzon qeverinë e kaluar për situatën në të cilën ndodhet transporti i udhëtarëve me furgona me targa të bardhë. "Mos sulmoni në mënyrë të verbër. Siguria rugore nuk është çështje vetëm eparlamentit. Nuk po mburremi për paketën e masave të sigurisë edhe pse ju s’e keni bërë.  Situata ku gjendemi është fakt sepse ju nuk keni marrë asnjë masë.  Ky transport nuk ofron asnjë kusht sigurie, është dëmtuar nga pikëpamja e tregut dhe bëhet fjalë për një kusht që duhet kthyer në shinat e ligjshmërisë. E kishte parashikuar ligji edhe kur ishit ju, por ju s’e bëtë, tani thoni mos zbatoni ligjin. Po ndalojmë mjetet që po zhvillojnë transport të pasagjerëve pa licenca.”
 
ORA 13:40 RAMA: KENI KTHYER SHQIPERINE SI PERIFERI E BANGLADESHIT, DONI TE PERFITONI POLITIKISHT
Kryeministri Rama akuzoi opozitën se në kohën e qeverisjes me afera korruptive ka ngritur rrugët më të pasigurta duke e kthyer Shqipërinë si të ishte periferi e Bangladeshit. Rama tha se do të funksionojnë vetëm furgonët taksi.

“Kërkoni diçka që keni pasur 8 vite kohë për ta bërë e që nuk e keni bërë. Në 8 vite as që e keni qarë kokën ndonjëherë ta ktheni kokën nga qytetarët, pleqtë,të sëmurët që udhëtojnë çdo ditë në Shqipëri. Nga 2005-2013 janë vrarë në rrugët e Shqipërisë- vend i zhvilluar 2952 vetë. Janë plagosur mijëra të tjerë, por ju çfarë keni bërë? E di përgjigjen: rrugë, rrugë, rrugë. Keni bërë dhe disa shfaqje, duke dalë nëpër ato rrugë për të vendosur të famshmit policë në çdo kilometër. E vërteta është se keni hedhur lumenj parash në infrastrukturën rrugore dhe keni ndërtuar sot në Shqipëri sistemin më të pasigurt, më jocilësor, me varfëri në sinjalistikë dhe edhe më të shëmtuarin e rrugëve në rajon.Sot keni gojë dhe flisni dhe nuk pushoni kur na shihni të merremi me sistemimin e rrugëve që keni lënë rrugëve. Si kjo më e afërta, rruga dalëse Tiranë-Elbasan. Ju kërkoni që të ecin burri para, gruaja mbrapa, fëmijët mbi mur. Ky është vizioni që keni ju për këmbësorin. E latë transportin publik në ditën më të zezë e doni të nxirrni sot përfitime politike.  Kush është oferta juaj? Cilën rrugëdalje tregoni ju, që ndërkohë dilni e mallkoni qeverinë për çdo aksident në rrugët që keni lënë rrugëve?! Zero, zero, zero argumenta. Madje as logjikë. Krijuat një sistem transporti publik sikur të ishte Shqipëria një periferi jashtë kontrolli e Bangladeshit."- tha Rama.

RAMA: PROTESTA JUAJ RITUAL PESHPERITJEJE
"Javën tjetër do të bëni atë ritualin e përshpëritjes që do të bëni atë luftën me komunizmin që ekziston vetëm në kokën e njërit prej jush. Transportin e latë si mos më keq sot doni të përfitoni edhe politikisht. Cilën rrugëdalje bëtë ju që dilni dhe akuzoni qeverinë sot. Zero, zero, zero argumenta. Ndërtuar një sistem transporti publik sikur të ishte Shqipëria një periferi e Bangladeshit”, tha Rama.

RAMA: FURGONET LICENCE SI TAKSI
"Qeveria nuk do të lejojë më qarkullimin e mjeteve të palicensuara, qeveria do t`u japë kohë për t`u riorganizuar të gjithë atyre që e kanë një licencë të rregullt dhe që do të bëjnë një zgjedhje bazuar në kushtet e tyre nëse do të kalojnë në shërbimin taksi normal apo nëse do të bëjnë shërbimin urban brenda rrethit të përcaktuar nga autoriteti që ka përcaktuar licencën për ta. Dhe së treti qeveria do të ndërmarrë projektin për inovacionin dhe transformimin e gjithë sistemit të transportit tonë publik. Për të bërë të mundur që mos të kemi autobuza të standardeve europiane vetëm në ato linja të Tiranës që u vunë në kohën kur ju bëtë të njëjtën protestë, të njëjtën rezistencë dhe nga ana tjetër të formalizojmë sektorin.

Është sektor i mbytur nga informaliteti, është sektor i mbytur nga konkurrenca e pandershme, është sektor i mbytur nga kthetrat e pamundësisë për t`u zhvilluar. Ne duhet të formalizojmë sektorin dhe do të hapim prespektiva të reja për të gjithë ata që në këtë sektor kanë investuar deri më sot dhe për të gjithë ata që duhet të investojnë në këtë sektor. Dhe nuk kemi shpikje për të bërë por është shumë e thjeshtë dhe normalisht ata që kanë qënë 8 vjet në qeveri dhe nuk e kanë bërë këtë gjë dhe të rrish dhe të pyesësh se si, domethënë i mjeri ky popull kë ka pasur në qeveri dhe fatkeqësisht mjerë ata që besojnë ndryshe nga ne në një rrugë tjetër dhe në krye të kësaj rruge ju"- tha Rama.

''Furgonat kanë marrë jashtë ligjit rolin e shërbimit ndërurban dhe shërbimin normal ndërurban si në të gjithë botë nuk zhvillohet dot. Madje kompani të tëra autobuzësh kanë falimentuar. Ata pa liçensë kurdo ku do kapen do të ndërshkohen sipas ligjit. Ata me liçencë do t'ju jepet kohë që të bëjnë një zgjedhje në rastin kur duan të bëjnë shërbimin taksi, pra shërbimin ndërurban taksi, jo shërbim urban të qyteteve që janë dy gjëra të ndryeshme por nuk mund t'jua shpjegoj dot të gjitha ato atëherë mbi bazë të kësaj zgjedhjeje do përmbushin standartet siç janë në të gjithë Europën ku duam të integrohemi. Ndërkohë që të tjerët do të bëjnë zgjedhjen tjetër, do të mund të qarkullojnë me liçensë brenda zonës ku kanë liçencën", deklaroi kryeministri Edi Rama.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS